Përfundoi video takimi i Parisit Kosovë – Serbi

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, zhvilluan sot një video konferencë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi ishte paraparë të mbahej në Paris, por duket se gjerat ndryshuan edhe për shkak të pandemisë së COVID-19-tës, transmeton VOA.

Video konferenca e sotme pasoi takimet e ndara të presidentit francez Macron, fillimisht të martën me kryeministrin Hoti dhe të enjten me presidentin Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha gjatë konferencës se suksesi i procesit të normalizimit duhet të mbështetet në parimet se “tërësia tokësore e Kosovës është e pangeociueshme, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe marrëveshja duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”.

Ai tha se Kosova synon “një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë”. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të sigurojë njohjen nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën. Pjesë e marrëveshjes duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB, tha ai.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cilësoi si ultimatum qëndrimet e tilla.

Pala shqiptare doli me kërkesa që janë: ruajtja e tërësisë tokësore dhe kushtetuese të Kosovës, njohja e ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës”, tha ai, duke i cilësuar si maksimaliste kërkesat e Prishtinës, ndërsa theksoi siç tha gatishmërinë e Beogradit për të hedhur hapa të vegjël.

Të dy udhëheqësit do të diskutojnë sërish të dielën në një video-konferencë, të organizuar nga Bashkimi Evropian,si fillim formal i dialogut Kosovë-Serbi, teksa është shtyrë për të enjten më 16 korrik ulja e tyre ballë për ballë në Bruksel.

Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian kësisoj “do të rifillojnë diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që do të trajtojë të gjitha çështjet e hapura”.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit, ndërsa u shprehu mbështetjen përpjekjeve evropiane, duke shfaqur shpresën se video konferenca e sotme do të sigurojë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Zyrtarët evropianë thonë se rifillimi i bisedimeve do të hap një periudhë të re me më shumë shpresa për një marrëveshje përfundimtare.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, por normalizimi i marrëdhënieve është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button