RMV, pacientët shkojnë vonë në spital, “8 shtatori” i stërmbushur në ‘luftë’ me vdekjen

Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në fazë kritike të përhapjes së korona virusit, duke regjistruar raste treshifrore çdo ditë. Një gjendje e këtillë po zgjatë thuajse dy muaj, ndërkaq nga 3 qershori vendi shënon gati çdo ditë mbi 100 raste të reja. Kulmi është shënuar më 13 qershor, kur u regjistruan 196 raste të reja. Kjo ka bërë që spitalet të mbushen përplot me pacientë dhe situata që gjatë tre muajve të para të pandemisë dukej se menaxhohet lehtë, tani është rënduar dukshëm, shkruan Portalb.mk.

Me rritjen e numrit të pacientëve të hospitalizuar, është rritur edhe numri i vdekjeve që kanë pasur për pasojë infektimin me Covid – 19. Vetëm gjatë 8 ditëve të para të muajit korrik kanë vdekur 57 pacientë, ndërsa rekordi u shënua më 2 korrik, kur ndërruan jetë 15 persona.

Numri më i madh i këtyre pacientëve kanë qenë të shtrirë në SPQ “8 shtatori”, ku ka pothuajse çdo ditë pacientë që vdesin. Dita më e vështirë ka qenë 2 korriku edhe për këtë spital, kur ndërruan jetë 9 pacientë.

Portalb.mk kontaktoi me drejtorin e këtij spitali, Hristijan Kostov, i cili tha se arsyeja që në këtë spital është rritur numri i vdekjeve ditëve të fundit, ndodh për shkak se, numri më i madh i pacientëve shkojnë në spital shumë vonë dhe kur gjendje e tyre është përkeqësuar deri në atë nivel sa nuk ka mënyrë se si t’u ndihmohet.

“Dy muajt e fundit numri më i madh i pacientëve që i sjellin te ne shumë vonë i sjellin në spital. Me siguri i mjekojnë në shtëpi dy javë dhe kur t’u përkeqësohet gjendja, kur t’u bie koncentrati i oksigjenit në gjak 30 – 20%, atëherë shumë pak mund t’i ndihmoni. Mund vetëm kur ta sjellin ta vendosni në respiratorë dhe fatkeqësisht, shumë prej tyre vdesin. Do të thotë nuk keni opsion t’u ndihmoni. Nuk ka mënyrë se si t’u ndihmoni. Por, çdo ditë kemi edhe pacientë që shërohen, nga 10 minimum. Numri më i madh i personave që vdesin nga korona, kanë edhe sëmundje të tjera, zemër të dobët, diabet, veshkë të dobëta apo ndonjë sëmundje tjetër dhe kjo e komplikon gjendjen”, tha Kostov.

SPQ 8 shtatori

Ai tha se “8 shtatori”, është qendra e vetme për Kovid, tek e cila sillen pacientët që kanë sëmundje dhe komplikime të tjera, përfshirë edhe ata që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ai tha se spitali ka kapacitete, megjithatë numri i pacientëve është i madh dhe pranojnë çdo ditë nga 10-15 pacientë nga i gjithë vendi, ndërsa lëshohen më së paku 10. Momentalisht në këtë spitali ka rreth 100 pacientë që përdorin oksigjen.

“Që nga 15 marsi jemi qendër për Covid, kemi dokument zyrtar që të jemi qendër triazhi, ajo do të thotë se të gjithë pacientët nga shteti që kanë simptome të koronës që nuk janë testuar të vijnë te ne. Deri më tani mbi 1000 është numri që kanë qenë te ne. Pacientë me pasqyrë mjekësore të rëndë, 90% e të cilëve që i pranojmë u nevojitet oksigjen, janë pacientë me sëmundje të vështirë te të cilët angazhimi për t’u mjekuar nuk është i thjeshtë. Virusi është i tillë që ndikon në më shumë organe. Mjekimi është multidisiplinar dhe  marrin pjesë më shumë lloje të specialistëve, infektologë, internistë të më shumë degëve, anestiziologë.
Është shumë e rëndësishme të keni laboratori, transfuziologji. Përveç atyre që kanë pasqyrë të pneumonisë dhe simptome të koronës, këtu vijnë edhe njerëz me pneumoni, janë pozitiv në koronë por i nevojitet edhe ndonjë ndërhyrje kirurgjikale. Të gjithë ato që janë të dyshimtë nga i gjithë shteti i sjellin këtu”, deklaroi për Portalb.mk, Kostov.

SPQ 8 shtatori

Edhe nga Ministria e Shëndetësisë, të pyetur rreth situatës së krijuar në këtë spitali, janë përgjigjur se, të gjithë pacientët që kanë humbur betejën me koronavirus gjatë ditëve të fundit në këtë spital, kanë qenë kryesisht raste shumë të rënda.

“Pothuajse të gjithë prej tyre kanë ardhur shumë vonë, në fazën ku çfarë do lloj terapie është e pamundur që të ndikojë dhe mjekët nuk janë të gjithëfuqishëm që të bëjnë çfarë do qoftë në atë moment. Një pjesë e tyre kanë qenë me komorbiditet dhe sëmundje kronike, pas të cilave faza për trajtim të hershëm është veçanërisht e rëndësishme, me çka mundet vetëm të kontribuohet në përmirësimin e stadiumit gjithëpërfshirës të pacientit”, kanë thënë nga kjo ministri.

SPQ 8 shtatori

Ndërkohë, mjeku Ridvan Bajrami, i cili është kirurg në spitalin “8 shtatori”, thotë se kapaciteti i spitalit është i mbushur, çdo ditë pranohen pacientë të ri dhe ka mungesë të stafit. Sipas tij, rotacioni i mjekëve, për të cilën u arrit marrëveshje ditëve të fundit me Ministrinë e Shëndetësisë, nuk është i mjaftueshme për mbulimin e kapaciteteve të spitalit. Ai sqaron se ky spital është i vetëm në Maqedoninë e Veriut që merret me ndërhyrje kirurgjikale te pacientët me Covid – 19 dhe kjo, sipas tij, rëndon situatën.

“Mjekët janë të lodhur, gati 4 muaj, unë jam si kirurg punoj në spital. Vetëm ne e mbulojmë në gjithë Maqedoninë rastet ku duhet intervenime kirurgjikale për personat që janë pozitiv me covid. Në bazë të rregullave të OBSh-së, duhet që çdo spital të ketë pjesën për Covid-19. Dmth kirurgët e Spitalit të Qytetit Shën Naum apo Klinikës në Shkup, pse ato të mos kenë qasje apo ndërrim të kuadrit, në këtë drejtim nuk është lëvizur shumë”, deklaroi Bajrami.

SPQ 8 shtatori

Sipas statistikave të fundit të publikuara të mërkurën nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, në Klinikën Infektive momentalisht ka 89 pacientë, prej të cilëve 57 marrin oksigjen dhe nuk ka pacient të vendosur në respirator.

Në spitalin në Kozle janë të hospitalizuar 23 pacientë të rritur me Covid – 19, 1 fëmijë dhe 1 tjetër që dyshohet se ka virus.

SPQ “8 shtator” janë 97 pacientë, prej të cilëve 3 janë vendosur në respiratorë.

Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar 45, në Shtip 48, në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep dhe Gostivar janë hospitalizuar 106 pacientë pozitiv dhe të dyshuar me Covid – 19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button