Kujdes me tekstet nga portalet joprofesionale që manipulojnë me shkrimet e mediave tjera!

Burimi: KriThink

Është tërësisht e lejueshme që një gazetar të marrë lajme apo edhe informacione nga mediet tjera duke i cituar ata, gjegjësisht duke cituar burimin e lajmit. Megjithatë, në asnjë mënyrë nuk është korrekte që lajmi i marrë nga një medium të shtrembërohet, abuzohet si dhe të ndryshohet duke u thirrur në autoritetin e mediumit i cili ka publikuar lajmin origjinal.

Autor: Ardit Ramadani

Kur merret informacioni/lajmi nga një media tjetër

Në raste të tilla është jashtëzakonisht e rëndësishme e para që të citohet burimi i vërtetë i lajmit, edhe atë në paragrafin e parë të lajmit dhe në mediat online me “hiperlink” (vegzë) për të klikuar në linkun e lajmit burimor.

E dyta, përderisa i njëjti merret nga një medium dhe përdoret emri i këtij të fundit, lajmi duhet patjetër të transmetohet ashtu siç është, duke mos e ndryshuar, shtuar informacione tjera (përveç në qoftë se kjo theksohet në lajm) apo shtrembëruar.

Faktet dhe informacionet të cilat i ka shënuar autori i lajmit origjinal, autori i cili e merr lajmin “copy-paste” nuk guxon që me qëllim të orientoje publikun në kahe të gabuar, të ndryshojë faktet dhe të prezantoje materiale tjera, të imagjinuara, si të vërteta.

Shembuj se si mediumet në RMV manipulojnë me këtë të drejtë

Në lajmin të cilin e ka marrë portali “Arena” që nga titulli e deri në fundin e tij manipulon me lexuesit, edhe atë duke u thirrur në një televizion nacional në Maqedoninë e Veriut, Alsat M. Autori i këtij “lajmi” pretendon se Alsat M ka thënë se “Amerika mbështet koalicionin ASH-AA”, kjo nuk është e vërtetë.

“ALSAT: Vjen mbështetja amerikane për koalicionin ASH-AAA” është titulli i lajmit të cilit i referohemi.

Në qoftë se i përkushtohet vëmendje titullit të këtij lajmi, autori me shkronja të mëdha dhe tërësisht e ka vendosur faktin në atë se këtë informacion e thotë një televizion nacional, kështu duke manipuluar me lexuesit se kjo deklaratë është e vërtetë.

Ndërkaq, gazetari i Alsat M nuk ka thënë një gjë të tillë por vetëm ka publikuar kumtesën e Aleancës për Shqiptarët dhe AlternAtivës kur këta të fundit kanë njoftuar se një ish-kongresmen amerikan mbështet koalicionin nën moton “Tash është koha”.

Po thuajse e njëjta gjë ka ndodhur me shtrembërimin e lajmit të “Zërit të Amerikës” nga ana e portalit “Tetova Sot dhe më pas i marrë nga një numër i madh i medieve në RMV. Në këtë lajm, ka shtrembëruar lajmin e gazetarit të Zërit të Amerikës.

“Zëri i Amerikës: Opozita shqiptare pa program, mirren vetëm me rrëzimin e BDI-së” thotë titulli i lajmit të cilit i referohemi.

Në asnjë moment në lajmin origjinal ku autor është gazetari i Zërit të Amerikës nuk thuhet se opozita shqiptare nuk ka program, ndërkaq vetëm përmendet fakti se këta të fundit më shumë janë fokusuar në retorikën e rrëzimit të Bashkimit Demokratik për Integrim nga pushteti.

Për dallim nga lajmi paraprak, në këtë rast gazetari i “Tetova Sot” ka manipuluar vetëm me titullin e lajmit kurse në brendësi lajmi është i transmetuar saktë, ashtu si ai origjinali.

Pse ndodh kjo?

Marrë parasysh se Maqedonia e Veriut aktualisht është në proces të fushatës parazgjedhore dhe vetëm disa ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, lexuesit janë të prirë të besojnë vetëm mediet kredibile dhe të anashkalojnë ata të cilat janë të njohura për masën se anojnë politikisht dhe transmetojnë lajme të rreme.

Andaj, duke qenë të vetëdijshëm për këtë fakt, autorët e medieve të cilat nuk janë të besueshme për masën përdorin emrat e mediumeve kredibile me qëllim që lexuesve të ua bëjnë me dije se atë gjë nuk e thonë ata, por dikush i besueshëm.

Kjo teknikë e manipulimit nga ana e gazetarëve jo të ndershëm është e njohur dhe në doracakun e krithinkut përshkruhet si “Thirrje në autoritet” apo “Argument from authority” .
Sipas Kodeksit Etik të Gazetarëve në Maqedoni “detyra themelore e gazetarëve është ta respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e publikut që të jetë i informuar, në pajtim me nenin 16 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”.

Manipulimet e lartpërmendura janë të papranueshme për shkak se mediet duhet të jenë korrekte dhe të ndershme si ndaj lexuesve ashtu edhe ndaj kolegëve të tyre. Raportimi mediatik sidomos për tema politike në periudhë parazgjedhore duhet të reflektoje fakte relevante dhe jo në dëshirat e gazetarit i cili anon politikisht dhe keqpërdorim profesionin e gazetarit për përfitime të tjera.

Për lexuesit:

në rastet kur do të shihni se një medium nga titulli i jep shumë rëndësi faktit se kush e ka shkruar lajmin se sa vetë informacionin, bëni verifikimin e të njëjtit duke klikuar në faqet zyrtare të mediumeve kredibile në të cilat thirret autori. Vetëm pse në titull figuron emri i një mediumi të besueshëm, në asnjë mënyrë nuk do të thotë se lajmi është i vërtetë.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button