Metodologjia e re e BE-së, nëse s’ka përparim në reforma, RMV-së do t’i kufizohen ndihmat nga Evropa

Duke filluar nga viti 1992 dhe deri në futjen në përdorim të Instrumentit të ri të “Ndihmës për para-anëtarësim”, në vitin 2007 (më tepër e njohur si IPA), Maqedonia e Veriut është ndihmuar dhe vazhdon të ndihmohet me qindra projekte nga Bashkimi Evropian. Ndihma financiare e BE-së, në suaza të programit IPA, ka për qëllim të ndihmojë vendin që t’i përfundojë reformat e planifikuara dhe të domosdoshme për arritjen e anëtarësimit në BE, shkruan Portalb.mk.

Mirëpo, Bashkimi Evropian ka miratuar një metodologji të re, e cila parashikon që pa përmbushjen e reformave, si në planin ekonomik, gjyqësor, lirinë e fjalës, mirëqenien sociale, raporte më të mira ndëretnike dhe fqinjësore, e të tjera, nuk ka ndihma nga Bashkimi Evropian. Maqedonia e Veriut e cila bën përpjekje për të qenë anëtare e re e BE-së përpos që do të duhet të ndjek rekomandimet e Brukselit, ajo duhet të pret edhe versionin final për vlerësimin e kritereve të përmbushura.

“Më 1 korrik, Komisioni Evropian prezantoi në Këshill draftin e kornizës së  negociatave për Maqedoninë e Veriut. Drafti i kornizës së negociatave bazohet në përvojën e zgjerimeve të kaluara dhe negociatat në vazhdim të pranimit. Ato gjithashtu integrojnë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, të propozuar nga Komisioni në muajin shkurt dhe të miratuar nga Shtetet Anëtare në muajin mars. Tani është për shtetet anëtare të BE-së që të diskutojnë dokumentin dhe ta miratojnë atë përpara konferencës së parë ndërqeveritare, e cila shënon fillimin zyrtar të negociatave të pranimit. Do të duhet të presim dhe të shohim versionin përfundimtar të dokumentit për të vlerësuar implikimet e tij të mundshme për vendin”, thanë për Portalb.mk. nga selia e Bashkimit Evropian, në Shkup.

Se çfarë do të thotë stopimi i ndihmave nga BE-ja, për qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga qeveria e RMV-së thonë për Portalb.mk, se vendi do të duhet të ndjek kriteret dhe shembujt e vendeve anëtare të BE-së, si një mënyrë për t’a çuar vendin përpara si në të gjitha sferat e saj ashtu edhe për t’u bërë pjesë e strukturave euro-atlantike.

“Kjo do të thotë që do të duhet të punojmë vazhdimisht për përparim të qëndrueshëm në reforma dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Ai konfirmon që përgjegjësia për përparimin në integrimin evropian qëndron kryesisht tek ne dhe dinamika do të varet nga forca jonë për reformë dhe efikasitet në zbatimin e tyre”, tha për Portalb.mk. Bojan Mariçiq, Koordinator Kombëtar për Integrimin në BE dhe kryenegociator teknik nga qeveria e RMV.

Nga Instituti për Politikë Evropian në Shkup, thonë se vetëm këtë vit Maqedonia e Veriut ka përfituar nga Bashkimi Evropian pesëdhjetë milioni, gjë gjë ndihmon vendin të ec përpara. Në të kundërtën, zvogëlimi i ndihmave, do të fundos vendin.

“Korniza negociuese vetë më qartë e thotë se çfarë është tashmë një praktikë në procesin e integrimit. Nëse nuk ka reformë – ndihma është zvogëluar, nëse ka – merret një shpërblim, siç janë 50 milion euro në fillim të vitit. Kjo do të thotë që vendi ynë duhet të sigurojë vazhdimësinë dhe rezultatin e reformave gjatë negociatave, veçanërisht në sundimin e ligjit, si dhe aftësinë në rritje për të përdorur fondet e BE-së.”, tha për Portalb.mk. Malinka Ristevska Jordanova, anëtare e bordit drejtues nga Instituti për Politikë Evropiane (EPI) – Shkup.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe pret të fillojë negociatat për anëtarësim. Faza e ardhshme në procesin e anëtarësimit është marrja e një date për negociata për anëtarësim në BE.

Procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Republikën e Maqedonisë do të thotë përfundim i procesit të përafrimit drejt Bashkimit Evropian, marrja e përfitimeve dhe vlerave të saj, si dhe aftësim të plotë të institucioneve drejt mënyrës të funksionimit të institucioneve të Bashkimit Evropian. Negociatat në të njëjtën kohë do të nënkuptojnë edhe krijimin e bazave dhe pre gatitjeve për funksionim të ardhshëm të suksesshëm të Republikës së Maqedonisë si vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button