Korrespondencë me shokun tim të ish-Armatës Jugosllave (Pjesa II)

“I nderuari shoku im Mlladen!

Në Serbi ka nevojë për një ndërgjegjësim të metejshëm të vetëdijes qytetare të shoqërisë. Akoma edhe sot vazhdon të mbizotërojë mentaliteti i kohës së pas-Millosheviçit. Bisedimet dhe marrëveshjet reciproke mdis dy shteteve, të Kosovës dhe Sërbisë, për zgjidhjen përfundimtare   me sa duket do të vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe shqiptarët duhet të presin disa dekada që ato të marrin fund. Logjika e shumicës së liderëve, akademikëve e politikanëve serbë dhe doktrina e krerëve, teokratëve të kishës orthodokse serbe ende nuk ka ndryshuar. Ata vazhdojnë me frymëzimin e miteve, ideologjisë e psikozës së albanofobisë kolektive. Për ta zhdukur këtë sindromë primitive dhe për ta çrrënjosur këtë ‘kancer’ atavistik duhet ndërhyrje kirurgjikale radikale. Për t’u çliruar nga kjo sindromë dhe për t’u rehabilituar shoqëria serbe, qytetarët serbë që vuajnë nga kjo sindromë, kanë nevojë për aktorë, politikanë e liderë të rinj me mendësi të re dhe që nuk janë të infektuar nga ky virus. Mendoj se duhet një gjeneratë e re e zhveshur nga mitet e stereotipet nacionaliste për të zgjidhur nyjet e pazgjidhura, për të çliruar ngërçin e konflikteve të vjetra.”

“I nderuari shoku im Merxhan!

Për ironi të fatit, duhet pranuar se psikologjia e popullit serb gjatë shekujve është kultivuar mbi bazën e miteve për Kosovën. Historia, legjendat, mitet dhe idolet kanë ndërtuar një identitet nacionalist të brumosur me patriotizëm romantik e folklorizëm politiko-fetar, sipas të cilit etnogjeneza, gurthemeli i artdheut e shtetit serb ka filluar në Kosovë, se Kosova është “zemra” e Stara Srbias. Prandaj po të humbisnin cilëndo pjesë tjetër të Sërbisë, përveç “zemrës”, ata në fund të fundit do ta përballonin dhe nuk do ta konsideronin tragjike. Në aspektin shpirtror, emocional serbët e kanë shumë të vështirë ta pranojnë humbjen e Kosovës.”

“Është e shkruar nga Zoti i historisë”

“Mlladen! Për ndryshimin e mentalitetit të serbëve që ata të mos mbeten në Mesjetë, duke valëvitur flamurin e vjetër të monarkisë, dhe të mos vazhdojnë të jetojnë me ëndërra të vjetra për Kosovën, mund të ushtrojnë ndikimin e duhur liderë pragmatikë prototipë siç ishte Zoran Xhinxhiç. Pasardhësit e tij Boris Tadiç, Dragan Xhillas, Vuk Jeremiç nuk kanë mësuar fare leksione bashkëkohore, përveç Çedomir Jovanoviçit e ndonjë politikani të moderuar nga Vojvodina.

Mlladen, po të ishte gjallë Zoran Xhinxhiçi, konflikti, ngërçi do të ishte zgjidhur dhe ndoshta tani Serbia do të ishte në BE ose më afër saj dhe në fund dy popuj do të hynin në familjen europjane.”

“Merxhan! Ne në Serbi kemi forca progressive, politikanë, intelektualë, gazetarë dhe akademikë që mendojnë ndryshe nga mendësia zyrtare dhe pranojnë se Kosova nuk kthehet mbrapsht, se dy shtetet – Sërbia dhe Kosova duhet të kenë fqinjësi të mirë, marrëdhënie ekonomike reciproke dhe të jetojnë në paqe. Ne në Serbi kemi opozitë të dobët, të përçarë, por kemi një lëvizje, një front të përbashkët nga disa subjekte të vogla politike pasi shumica e popullit e ka humbur besimin te qeveria dhe opozita.

Merxhan, është e shkruar nga Zoti i historisë që ne serbët dhe ju shqiptarët të jetojmë me njëri tjetrin afër, të ndajmë një kufi dhe të jemi fqinjë. Ne dikur banonim afër njëri tjetrit dhe secili shikonte punën e vet, ashtu si banorët e një pallati ose vllazëria në një konak të madh. Mirëpo kur plasi konflikti, ata nuk mund të jetonin më bashkë dhe u ndanë. Nuk mjaftoi me kaq por dhe u vunë kundër njëri tjetrit.

Merxhan, unë nuk pajtohem me mendimin tënd se u takon ndoshta gjeneratave të ardhëshme që ta zgjidhin ngërçin dhe të arrijnë ta zhdukin hasmërinë e urrejtjen mes serbëve e shqiptarëve. Unë kam tre fëmijë dhe nuk dua që fëmijve të mi t’u lëmë trashëgim urrejtjen për fëmijët tuaj, nuk dua që fëmijët tanë të vazhdojnë me urrejtje nacionale, të merren me mite e fobi dhe të kenë barrën për të zgjidhur konfliktet e mosmarrveshjet e së shkuarës.

Unë mendoj se kësaj gjenerate i ra fati, i mirë ose i keq, për ta zgjidhur konfliktin një herë e përgjithmonë që dy popujt të fillojnë të jetojnë në harmoni dhe të jenë fqinj të mirë. Dy popujt më të mëdhenj europjanë, gjermanët e francezët, kanë bërë luftra kundër njëri tjetrit shekuj me radhë, kurse tashti jetojnë në paqe në familjen e përbashkët europjane. E pse mos të marrim shembull edhe ne serbët dhe shqiptarët nga këta popuj të civilizuar e të iluminuar? Jam i sigurtë se gjeneratat tona të ardhëshme do ta ndjekin rrugën e popujve të qytetëruar europjanë. Ata do të habiten për absurdin e urrejtjeve e armiqësive të kota që kemi provuar deri tani, ashtu sikurse ne kur i rikthehemi historisë së popujve që kanë bërë luftra në të shkuarën. Fëmijve tanë do t’u duken absurde e paradokse edhe konfliktet e viteve ’90-të të shpërbërjes së Federatës Jugosllave. Tashmë edhe vetë protagonistët kryesorë të luftrave dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, serbët dhe kroatët, janë të zhgënjyer e të penduar për konfliktet e ndodhura në atë kohë, kur fare mirë mund të ishin ndarë pa luftë, siç ndodhi me ndarjen e çekëve e sllovakëve.”

“Indianët e Ballkanit”

“Merxhan, ne serbët dhe ju shqiptarët mendojmë se Amerika dhe Rusia janë të brengosur e të preokupuar për konfliktin midis nesh, për krizën, vuajtjet e varfërinë tonë. Amerikanët ne ballkanasit na llogarisin si indianë. Po ashtu edhe Putinit Serbia dhe Kosova i nevojiten para së gjithash për ‘marketing politik’. Duhet vetë serbët dhe shqiptarët të ndërmarrin nismën për të filluar bisëdimet mes tyre, t’i shtrijnë dorën njëri tjetrit dhe të ulen e të bisedojnë për të zgjidhur ngërçet. Sipas sociologëve dhe psikologëve, çdo konflikt, sado i ndërlikuar qoftë, mund të zgjidhet po të ketë vullnet të ndërsjelltë.”

“I nderuar shoku im Mlladen!

Ka afër dy dekada, pa marrë parasysh se cilët subjekte politike kanë qenë në qeveri, që liderët politikë serbë kanë vazhduar me avazin e vjetër, nuk kanë ndryshuar dhe kanë pasur të njëjtën doktrinë e teori konspirative. Më në fund, liderët dhe elita politike serbe e kanë kuptuar se Kosova është shtet i pavarur dhe asgjë nuk mund të rikthehet mbrapësht. Tani, duke e ditur këtë, ata përpiqen të bëjnë kompromise të tilla si shkëmbimi i territoreve ose të arrihet ndonjë skenar i dytë, si ai që ka të bëjë me garantimin e autonomisë territoriale e administrative të serbëve të Kosovës dhe në të ardhmen nëpërmjet referendumeve ata t’i bashkangjiten Serbisë.

Mlladen, shqiptarët e Kosovës vetëm nën drejtimin, praninë e mbështetjen e SHBA dhe BE mund të ulen në bisedime. Pala shqiptare ka qenë gjithmonë e gatshme për bisedime, por ka munguar vullneti i palës tjetër. Pala serbe, me Vuçiçin në krye, nuk ka opsion tjetër, por të pranojë të ulet në bisedime me shqiptarët, deri sa bisedimet reciproke të vulosen me pranimin e pavarësisë së Kosovës.”

“I nderuari shoku im Merxhan!

Maskat e pandemisë mund të hiqen, por maskat e liderëve dhe politikanëve të korruptuar e të inkriminuar janë më të vështira për t’u hequr. Protestat, grevat dhe demostratat para Parlamentit në Beograd janë duke vazhduar. Disa aktivistë të opozitës kanë hyrë në grevë urie. Çedo (Çedomir) Jovanoviçi, një ndër liderët karismatikë të Partisë Demokratike Liberale, ka deklaruar se partia e tij e ka njohur Kosovën. Kur ai protestoi para parlamentit në Berograd, turmat nacionaliste dhe përkrahësit e Aleksandër Vuçiçit e sulmuan Jovanoviçin me thirrjet ‘Tradhëtar, pleh i shqiptarëve! Ik, shko në Kosovë!’ Pas rrëzimit të qeverisë së Arben Kurtit, Çedo Jovanoviçi është shprehur se i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën dhe Sërbinë Grendell ishte autori dhe protagonisti i qeverisë Kurti. Jovanoviçi gjithashtu tha se Grendelli po përgatit një ‘Jaltë të vogël’, ku dy liderët Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, sipas planit të bisedimeve, me ndërmjetësuesin amerikan Grendell, do të bien dakord për shkëmbimin e territoreve.

Pas debatit të politikës së jashtme për Lindjen e Mesme për çështjen e Izraelit dhe Palestinës, Presidenti Trump ka treguar se me retorikën e tij në merkaton politike kërkon që të fitojë reputacion e kredibilitet për zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA.

Mlladen, Vuçiçi dhe Thaçi, në takimin e tyre para tre viteve në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Davos të Zvicrës kanë bërë bisedime sekrete për shkëmbimin e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës. Edhe në çështjet e bisedimeve midis Kosovës e Sërbisë, politika e jashtme e Trampit ka qenë që i dërguari i posaçëm për bisedime Grendell të luajë rolin e avokatit për largimin e europjanëve, të kancelares gjermane Angela Merkel dhe tëe presidentit francez Manuel Makron. Grendelli, si ambasador i SHBA në Gjermani ka qenë ‘persona non grata’.

Merxhan, sipas projektit është parashikuar që qyteti Leposaviç (ose Albanik) me të gjithë 72 fshatrat që bëjnë pjesë në komunën më veriore të Kosovës t’i jepet Serbisë, kurse Kosova të marrë Luginën e Preshevës bashkë me fshatrat e Komunës së Bujanovcit për rreth kufirit. Për Beogradin shqiptarët e kësaj zone janë të padëshirueshëm, janë ‘teprica’ dhe ‘mikrobe’.”

“Mlladen, të mos harrojmë se pas hapjes së ‘kutisë së Pandorës’ i vjen radha Maqedonisë perëndimore, Serbska Republikës dhe Sanxhakut. Në të ardhmen mund të përsëriten luftrat e tmerrshme ballkanike të viteve ’90-të, mund të shpërthejë përsëri ‘fuçia e barutit’. Uroj që kjo të mos ndodhë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button