Ramadani: NATO e mban Maqedoninë të sigurtë, të gjithë kemi përgjegjësi për demokratizimin e vendit

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, duke qenë në aleancë me shtetet më të fuqishme në botë, i garanton vendit siguri dhe stabilitet dhe kjo krijon kushte për zhvillimin e demokracisë. Kështu ka deklaruar në intervistën për Portalb.mk, kryetari i Këshillit Euro Atlantik i Maqedonisë së Veriut, Ismet Ramadani. Ai ndër tjerash, ka folur për rolin e NATO-s në përballjen e sfidave që ka sjellë pandemia COVID-19, në sigurinë dhe stabilitetin, dezinformatat dhe sulmet hibride me të cilat është përballur vendi para dhe tani pas anëtarësimit në NATO. Sipas tij, kërcënimi i shtrirje së ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor ekziston akoma.

Intervistoi: Teuta Buçi

Portalb: Maqedonia e Veriut tani më është anëtare e plotë e NATO-s. A mund të na thoni se çfarë përfitime deri më tani i ka sjellë kjo vendit në aspektin ekonomik dhe politik?

Ramadani: Republika e Maqedonisë së Veriut me anëtarësimin në NATO është në aleancë me shtetet më të fuqishme, më demokratike, më të pasura në botë dhe të jesh në klubin e tyre është një përparësi ose favor që do të krijohet në ecje duke marrë pjesë në aktive në të gjitha aktivitetet e NATO-s. Republika e Maqedonisë së Veriut definitivisht është brenduar si shtet i NATO-s ku është garantuar siguria dhe stabiliteti i saj, që në këtë rast krijon kushte optimale për zhvillimin e demokracisë, duke marrë parasysh aty edhe drejtësinë, lirinë, lirinë e mediave dhe në këtë mënyrë, Maqedonia tani ndan bashkë me shtetet e NATO-s të gjitha vlerat demokratike.

Portalb: Anëtarësimi në NATO erdhi në një periudhë kur bota u përball me një pandemi, e cila u solli sfida shumë të mëdha vendeve të botës. Si ka ndikuar anëtarësimi në NATO që vendi të përballojë më lehtë këto sfida?

Ismet Ramadani
Ismet Ramadani

Ramadani: Siç është e njohur ka tre takime shumë të rëndësishëm në nivel të ministrave të Mbrojtjes dhe ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel nën udhëheqjen e sekretarit gjeneral, sekretarit të përgjithshëm, Stoltenberg. Edhe pse këto takime janë mbajtur në distancë online, megjithatë janë marrë masa dhe një pëlqim i përbashkët që NATO-ja të inkuadrohet edhe në përballimit më të lehtë dhe ndihmën e shteteve që të përballohen sa më mirë me COVID – 19. Sa i përket Maqedonisë së Veriut, disa avion të cilët na sollën ndihma këtu duke u nisur nga Turqia, Hungaria Sllovenia, Çekia, Polonia.. pra të gjithë ato kanë qenë të koordinuar nga Brukseli, respektivisht nga struktura udhëheqëse e NATO-s. Në luftën kundër COVID-19, ne si shtet i barabartë mund t’i shfrytëzojmë të gjitha benefitet, respektivisht të gjitha kapacitetet për të na ndihmuar që të përballemi dhe ta tejkalojmë sa më mirë këtë pandemi apo këtë të keqe të kësaj pandemie.

Portalb: Armik global sot konsiderohen edhe dezinformatat dhe sulmet hibride. Maqedonia e Veriut është po ashtu shtet ku lajmet e këtilla qarkullojnë, ndërkaq flitet se kjo bëhet nga vende që nuk e duan RMV-në në NATO. Cili ishte rreziku që i kanoset vendit nga sulmet e këtilla?

Ramadani: Maqedonia e Veriut edhe në prag të anëtarësimit në NATO, por edhe pas anëtarësimit është bërë në një mënyrë njëfarë targeti i lajmeve të rrejshme ose fake neës pra sulmeve për ta çorientuar ndonjë strukturë e cila është e luhatshme dhe e gatshme të bashkëpunoj me ata të cilët janë munduar ta dezorientojnë Maqedoninë në alternativë tjetër jashtë opsionit euroatlantik. Këtu kam parasysh pra, strukturat e politikës së jashtme të Rusisë, e cila jo vetëm Maqedoninë por në forma të ndryshme ka tentuar dhe diku – diku ia ka arritur duke shfrytëzuar forca destruktive, antiperëndimore për t’i bërë servile që të destabilizojnë vendet e NATO-s dhe vendet që pretendojnë të hyjnë në NATO.

Me që tani jemi anëtare të NATO-s, këtë luftë pra hibride këto lajmet e rrejshme, megjithatë më suksesshëm mund t’i përballojmë dhe po i përballojmë duke shfrytëzuar edhe resurset dhe teknologjinë e përsosur edhe të NATO-s. Siç e dimë pra, NATO ka marrë vendim që të angazhoj në hapësirën evropiane aeroplanët, respektivisht helikopterët AVAX, për të bërë një ndërprerje hapësinore të sulmeve kibernetike dhe lajmeve të rrejshme. Sepse, duhet ta kemi parasysh që Rusia dhe disa vende të tjera të Lindjes, janë duke bërë një luftë tepër agresive, respektivisht të sulmeve kibernetike, sulmeve hibride, lajmeve të rrejshme. Duhet ta kemi parasysh që në Petersburg është një qendër enkas për lajme të rrejshme dhe sulme kibernetike që është e njohur si ushtria e robotëve që merret vetëm me këtë punë dhe NATO është e brengosur por është në një luftë të cilën megjithatë mirë po e përballon sepse, duhet ta kemi parasysh se shtetet autoritare janë të interesuar që ideologjinë dhe mënyrën e veprimit të tyre ta shtrijnë edhe në BE por edhe në shtetet të cilat janë anëtare të NATO-s.

Portalb: A janë tentimet për shtrirje të ndikimit të Rusisë dhe Kinës kërcënim për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi?

Ismet Ramadani
Ismet Ramadani

Ramadani: Ai kërcënim ekziston, është permanent. Këtu e keqja është se edhe Rusia edhe Kina në një mënyrë kanë gjetur një çerdhe të sigurt të veprimit të përafërt ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Serbisë, e cila është në raporte të mira me këto dy shtete dhe në këtë mënyrë ata e shfrytëzojnë edhe territorin edhe hapësirën ajrore, por edhe strukturat udhëheqëse të Serbisë që të bëjnë përpjekje për të destabilizuar rajonin. Por, megjithatë duhet ta kemi parasysh faktin se edhe shtetet e NATO-s, nën udhëheqje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kuptohet, janë mjaft prezentë në këtë rajon dhe këtu është një lehtësim se Serbia është e rrethuar me shtete anëtare të NATO-s. Po ashtu, veprimi i kundërshtimeve të këtyre përpjekjeve për destabilizim është efikas edhe nga ana e NATO-s dhe kuptohet do zhvillohet kjo betejë ose luftë politike, luftë diplomatike, luftë për ndikim por tani për tani është në përparësi absolute NATO-ja dhe shtetet e BE-së.

Portalb: Si e shihni Maqedoninë anëtare në NATO, pas një dekade?

Ramadani: Se ku do të jetë Maqedonia e Veriut pas një dekade varet se si dhe kush do ta udhëheq këtë shtet më tutje. Duhet të bëhet çmos që sa më pak hapësirë t’ju lihet forcave destruktive të cilat koketojnë me strukturat e shteteve të Lindjes, respektivisht me Rusinë. Si qytetarë, të gjithë duhet të marrim përgjegjësi, pra të përkrahim opsionin euroatlantik dhe të jemi aq të zgjuar sa të identifikojmë edhe udhëheqësit politik por edhe partitë politike të cilat, jo vetëm deklarativisht, por me punën e përditshme na krijojnë bindje se janë të orientuara drejt integrimeve euroatlantike. Mendoj se kemi një përvojë në identifikimin e opsioneve. Shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre janë të sigurt në kuptimin e orientimit euroatlantik. Atëherë, Maqedonia e Veriut pas dhjetë viteve, definitivisht do të jetë edhe shtet anëtare e BE-së, shtet me një përvojë në NATO dhe do hyjë në kategorinë e shteteve relativisht të zhvilluara në aspektin ekonomik, ngritjen e standardeve të shtetit juridik, mediave të lira, mirëqenies së qytetarëve e cila do të jetë përafërsisht si e shteteve të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button