Shërimi

Fushata parazgjedhore sapo filloi vrullshëm. Gjatë njëzet ditëve të ardhshme do të kemi mundësi t’i shqyrtojmë pikëpamjet dhe strategjitë e partive politike për atë se si e shohin udhëheqjen e këtij shteti gjatë katër viteve në vijim. Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare duke pasur parasysh që qeveria e kaluar, e krijuar në mes të vitit 2017 pati rreth tri vite kohë për të realizuar qëllimet e vendosura gjatë zgjedhjeve të fundit, të mbajtura në fund të vitit 2016.

Sivjet kemi mundësi të shohim kuptime interesante lidhur me motot e partive politike dhe programet e tyre parazgjedhore. Ajo që është interesante është se të gjithë partitë mundohen në një farë mënyre t’i qasen në mënyrë proaktive raporteve ndëretnike. Dhe zhvillimi në këtë drejtim është shumë interesant. Të gjitha partitë politike zhvillojnë kampanja të cilat mundohen ti referohen inkluzivitetit, e megjithatë, vërehet sërish tendenca që punët dhe kampet politike të ndahen, men nesh dhe atyre, mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Njashtu, LSDM ka promovuar edhe gjatë qeverisjes së kaluar Strategjinë për zhvillimin e një shoqërie dhe interkulturalizmit. Paralelisht me ta BDI zhvillon konceptin e barazisë konsensuale duke promovuar njëkohësisht edhe konceptin e barazisë ndëretnike përmes kërkesës për kryeministrin e parë shqiptar. Partitë tjera shqiptare po ashtu promovojnë koncepte inkluzive si një shtet për të gjithë. Ndërsa VMRO mundohet ta tregojë LSDM-në si albanofobe dhe të mos e zemërojë BDI-në e deri diku edhe të koketojë me konceptin e tyre të kryeministrit të parë shqiptar.

Fakti që BDI e koncentron pjesën më të madhe të kampanjës në përkatësinë etnike të kryeministrit të ardhshëm, krahas asaj që ofron një program të larmishëm parazgjedhor, tregon synimin tradicional të partive shqiptare që asnjëherë të mos largohen nga temat puro-etnike, ku përmes simbolikës së funksioneve shtetërore të udhëhequra nga shqiptarë mendohet se mund të përmirësohet pozita e të gjithë shqiptarëve në këtë shtet. Por gjithnjë e më tepër mund të vërehen debate dhe diskutime relevante ku insistohet që përkatësia etnike e personave kyç në shtet është vërtet shumë e rëndësishme, por më e rëndësishme është mirëqenia dhe progresi i gjithanshëm ekonomik, social dhe kulturor i komunitetit në tërësi. Me fjalë të tjera, gjithnjë e më e qartë bëhet që shumë qytetarë të këtij vendi nuk impresionohen shumë nga simbolika por kërkojnë esencialisht jetë më kualitative dhe mirëqenie të përgjithshme.

E kur jemi te jeta kualitative dhe mirëqenia e përgjithshme duhet bërë dallim i qartë mes simbolikës dhe realitetit. Është e qartë që përkatësia etnike e kryeministrit problematizohet vetëm në vende ku urrejtja ndëretnike është aq e madhe sa që konsiderohet tabu pjesëmarrja e etnive të ndryshme në pozitat kyçe në shtet. Në një shtet normal, përkatësia etnike e kryeministrit është më pak e rëndësishme se sa vizioni i tij për ta udhëhequr shtetin dhe pikëpamjet e tij liberale apo konzervative, përparimtare apo hegjemonike, pro-perëndimore apo pro-lindore, të ndershme apo kriminale. Janë këto gjërat për të cilat vendoset kur zgjidhet kryeministri dhe qeveria që do të udhëheqë vendin në periudhën pas zgjedhjeve parlamentare. Pra kur qytetarët në një vend normal zgjedhin kryeministrin dhe partinë që do i udhëheqë, zgjedhin programin në bazë të të cilin ai entitet politik zotohet të punojë në vitet në vazhdim.

Maqedonia e Veriut vetëm deri para tri viteve ndodhej ne regjim hegjemonik në të cilin strukturat qeveritare u akuzuan për përgjim ilegal me vite të tëra të më tepër se 20.000 qytetarëve. Në Maqedoninë e Veriut deri para tri vitesh udhëhiqej një luftë e ashpër, e ftohtë dhe e fshehur ndëretnike, e cila fillonte e mbaronte kur u konvenonte pushtetarëve. Në Maqedoninë e Veriut deri para tri vitesh për një dekadë të tërë u shkelën në mënyrë të hapur të drejtat fondamentale të njeriut ndaj të gjithë qytetarëve, të të gjitha përkatësive etnike.

Dhe përgjegjësi për të gjitha këto gati se nuk u mbajt sepse i gjithë procesi gjyqësor ku duhej të vendoset kjo drejtësi u komprometua, u sabotua dhe u harrua. Sot ish kryeministri që vazhdon të jetë kryetar nderi i VMRO-DPMNE është në arrati të cilën ai e quan ekzil dhe nga ku e presin të kthehet dashamirë të flaktë e të shumë-numërt të cilët thellësisht besojnë në ato politika të ndarjes, regresit dhe dështimit të cilat ishin në fuqi deri para tri vitesh. Të mos harrojmë se vetëm gjatë tri viteve të kaluara arritëm të kthehemi në rrugën e integrimit euro-atlantik edhe atë vetëm përmes marrëveshjeve të rëndësishme si ajo e Prespës e të cilën marrëveshje e kritikon pikërisht VMRO-DPMNE duke e ftuar popullin “e përulur” nga “shitja” e emrit të “drejtohet” dhe ta rifitojë krenarinë e vet.

Në këto kushte kemi një dualizëm të theksuar të pikëpamjeve të cilat promovohen në këtë fushatë parazgjedhore. Në njërën anë e kemi mundësinë për të vazhduar më tej me politikën e gjertanishme pro-perëndimore të kthimit në rrugën e integrimit evropian, ndërsa në anën tjetër e kemi thirrjen për të reviduar gjithçka që na ka sjellë deri tek integrimi në NATO dhe mundësia për hapjen e negociatave me BE-në. Opsioni i kryeministrit shqiptar mund të paraqitet si faktori që do të vendosë për atë se cili nga dy opsionet e lartpërmendura do ta formojë qeverinë e re.

Pyetja ime është kjo: A është çmimi i duhur pozita e kryeministrit shqiptar për të pasur dilemën se kush duhet ta formojë qeverinë e ardhshme? A bëhet pazarllëk me të drejtat esenciale të njeriut për të fituar një të drejtë simbolike kolektive? Dilema legjitime është a jemi të gatshëm ta kthejmë VMRO-në në pushtet në këmbim të një kryeministri shqiptar? Sepse sipas logjikës kush ofron më shumë ai do të marrë qeverinë i bie që licitues në ato bisedime të mund të jetë edhe kjo VMRO e pareformuar, me Mickoskin që i “shëron” njerëzit me një prekje të lehtë në duar. A thua mund të lejojmë që Mickoski t’i “shërojë” edhe shqiptarët në këmbim të pozitës së kryeministrit?

Qeverisja e një shteti përmes koalicionit qeveritar duhet të nënkuptojë përputhje të programeve parazgjedhore dhe pikëpamjeve esenciale për drejtimin që shteti duhet të marrë. Me një subjekt politik që ende nuk ka pastruar me të kaluarën nuk mund të negociohet për të ardhmen evropiane të shtetit, pa dallim se çfarë jepet në këmbim, qoftë kjo edhe pozita më e fuqishme ekzekutive në shtet si ajo e kryeministrit. Ka parime të cilat janë të panegociueshme, e njëri ndër këto parime është ardhmëria e proceseve integrative të cilat janë ngushtë të lidhura pikërisht me ato marrëveshje nga të cilat Mickoski mundohet të na “shërojë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button