RMV, Spasovski-Koja: Zgjedhje në atmosferë demokratike

Oliver Spasovski, kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut sot zhvilloi takim me shefin e OSBE-së në RMV, Klemens Koja për të diskutuar për zhvillimin e procesit zgjedhor në vend, transmeton Portalb.mk.

Spasovski theksoi se Qeveria, tashmë ka filluar komunikimin intensiv me institucionet kompetente për realizimin e zgjedhjeve, në plan të parë me Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe shtoi se për zgjedhjet, pushteti dhe opozita kanë përgjegjësi të përbashkët, duke pasur parasysh se opozita ka rol kyç dhe përgjegjësi për shkak të udhëheqjes me MPB-në, si institucion me rëndësi shumë të veçantë për procesin zgjedhor”, njoftuan nga Qeveria.

Kryeministri falënderoi Kojan për mbështetjen e reformave, si në polici, gjyqësor, arsim, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve, duke vazhduar në procesin zgjedhor, përmes misionit special.

“Në takim me shefin e misionit të OSBE-së në Shkup, Kryeministri Spasovski potencoi se Qeveria do ti sigurojë të gjitha kushtet për realizimin e procesit të sigurt zgjedhor nga aspekti shëndetësor, në të cilin qytetarët do ta realizojnë të drejtën e tyre për votë të drejtë në atmosferë  demokratike”, deklarojnë nga Qeveria.

Sipas Qeverisë, Koja theksoi se misioni do të mbikëqyr gjithë aspektet e procesit zgjedhor, duke realizuar misionin e tij në mënyrë efikase dhe cilësore.

Ndryshe, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka filluar zyrtarisht Misionin e posaçëm për vlerësim të zgjedhjeve (MPVZ) në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 15 korrik.

“Misioni do të udhëhiqet nga Laima Andrikiene (Lituania) dhe përbëhet nga ekipi kryesor i tetë ekspertëve ndërkombëtar të vendosur në Shkup”, thuhet në njoftim e OSBE-së. Në njoftim sqarohet se Misioni vjen pas ftesës zyrtare nga autoritetet e RMV-së.

OSBE/ODIHR ka shpalosur edhe qëllimet e Misionit për procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut.

“Një raport përfundimtar me një vlerësim të të gjithë procesit zgjedhor, që përmban rekomandime do të publikohet afërsisht dy muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor”, kanë sqaruar nga OSBE/ODIHR.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) javën e kaluar  e miratoi librin e rishikuar të afateve për zgjedhjet parlamentare për të cilat partitë politike arritën marrëveshje që të mbahen më 15 korrik. Libri i afateve është përgatitur në përputhje me Dekretin e Qeverisë me fuqi ligjore për Zgjedhjet, me të cilin, veç të tjerash parashikohet, heshtja të fillojë më 12 korrik në mesnatë, më 13 korrik të votojnë personat me Kovid-19, në izolim dhe vetizolim për të cilët do të formohen vendvotime speciale këshilla të përbërë nga punonjës shëndetësore dhe përfaqësues të partive, ndërsa më 14 korrik të sëmurët dhe të burgosurit e tjerë që do të aplikojnë për të votuar. Qytetarët e moshës madhore do të kenë mundësi të votojnë në ditën e zgjedhjeve nga ora 7:00 deri në orën 21:00.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button