fbpx

Grumbuj mbeturinash në ish-deponinë ilegale të Tetovës (FOTO)

Një sasi e madhe mbeturinash janë parë afër ish-deponisë ilegale të Komunës së Tetovës, bëhet fjalë për lokacionin në rrugën e vjetër Tetovë-Shkup. Kjo pjesë është zonë ekonomike dhe veprojnë disa subjekte afariste. Ndërkaq, autoritetet komunale na thanë se të njëjtat do ti dislokojnë, fajin pse nuk është bërë deri tani kjo ia adresojnë situatës me virusin korona, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse një vit më herët nga Ndërmarrja Publike Komunale (NPK), Tetovë, bënë të ditur lokacionin e ri për hedhjen e mbeturinave të ngurta, një pjese të qytetarëve të kësaj komune mesa duket më lehtë ju ka ardhë që të njëjtat ti hedhin te ish deponia ilegale e qytetit.

Mbeturinat te ish-deponia ilegale e Tetovës.
Mbeturinat te ish-deponia ilegale e Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës na thanë se do të intervenojnë me polici për dislokimin e këtyre mbeturinave dhe sigurojnë që ish-deponia ilegale nuk do të rikthehet.

“Do të intervenojnë me polici për dislokimin e këtyre mbeturinave afër ish-deponisë ilegale në këtë pjesë të qytetit, për shkak të situatës me virusin korona ka rënë edhe efikasiteti në punë, nga mungesa e resurseve njerëzore” thanë nga Komuna e Tetovës.

Numri i vogël i inspektorëve ekologjik

Tetova shpesh herë është cilësuar si “parajsë” për kryerësit e veprave penale kundër natyrës, kjo jo vetëm për faktin se numri i inspektorëve ekologjik është shumë i vogël por edhe se autorët e krimeve kundër natyrës thuajse asnjëherë nuk janë gjetur edhe dënuar.

I pyetur sot nga Portalb.mk zëdhënësi i kësaj komune për këtë, ai tha se janë të vetëdijshëm se ka nevojë për më shumë inspektorë ekologjik megjithatë nuk mund ta përballojnë një gjë të tillë, përshkak se përbën një ngarkesë buxhetore.

“Po, absolutisht që kemi nevojë për më shumë inspektorë ekologjik po në sistem nuk kemi mundësi të parashohim punësime të reja. Punëtori duhet të planifikohet me sistematizim dhe kjo e fundit kalon në ministrinë e informatikës dhe administratës. Është ngarkesë buxhetore, ne mezi se i bëjmë rogat për punëtorët aktual” theksuan nga Komuna e Tetovës.

Sipas informacioneve që kemi siguruar, Sektori për Inspektim të Inspektoratit të Komunës së Tetovës ka gjithsej 41 të punësuar, prej të cilëve 21 janë inspektorë. Vetëm 6 prej tyre janë inspektor ekologjik.

Ndryshe, disa nga rastet për të cilat autorët ngelën të pazbuluar, si pasojë e paaftësisë të inspektoratit ekologjik janë djegia e deponisë së Tetovës, djegia e mbeturinave te lagjet “Bllok 70” dhe “Dardania” , djegia e mbeturinave në “Lagjen e romëve”, si dhe shumë tjera të cilat qytetarët vazhdimisht i denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në webfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button