Poeti korçar Skender Rusi është nderuar me çmimin e parë në manifestimin “Takimet Poetike të Karadakut”

Poezia “Ditë pa mëngjes”, e poeti korçar Skender Rusi, ka marrë vendin e parë në edicionin e 28-të me radhë të manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”,  të organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, në teren të hapur në amfiteatrin e Gjimnazit “Ismet Jashari” në Likovë, njofton Portalb.mk.

Juria në përbërje: Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi dhe Selajdin Shabani, vendin e dytë poetit ia ndau poetit kumanovar që jeton dhe vepron në ShBA, Abdurrahman Thaçi, për poezinë “Nga të shkoj”. Ndërsa, në çmimin e tretë u vlerësuan poeti gjilanas Nijazi Ramadani  për poezinë “Amaneti i nanës”, si dhe poeti kumanovar Kreshnik Sopaj për poezinë “Ana ime”.

Kryetari i Klubit, Fatos Rushiti, në fjalën e tij u shpreh se nuk janë pak plotë 28 vite që ky klub mbledh shumë poetë anembanë trojeve shqiptare, duke i dhënë tradicionalitet, ndjeshmëri e shije të lartë estetike rrjedhës së këtij manifestimi.

“Profesionalizmi, paanshmëria, mikpritja, vlerësimi adekuat, tingujt e pianos dhe kitarës, jehona e poezisë kumanovare ndër krijues të mirëfilltë shqiptarë, dhe jo vetëm, kanë bërë qe ky manifestim të merr vëmendjen e duhur nga vetë institucionet shtetërore në shtetin tonë dhe të përkrahet në vazhdimësi”, u shpreh Rushiti.

Rushiti, ndau edhe disa plaketa, në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për angazhimin dhe bashkëpunimin e suksesshëm.

Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, mbahen për çdo 11 mars për nderë të kujtimit të demonstratave të ’81-shit të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, edhe përkundër përgatitjeve me kohë, që ky manifestim të mbahej më 11 mars 2020, u shty për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike.

Manifestimi i përvitshëm “Takimet Poetike të Karadakut” u përkrah financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pjesërisht edhe nga komunat e Likovës dhe Kumanovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button