fbpx

ANALIZË: Miliona euro për zhvillim të barabartë rajonal në RMV, kush i përcakton projektet prioritare?

Miliona euro për çdo vit “derdhen” në nivelin lokal me një qëllim kryesor – zhvillim të barabartë rajonal që duhet të sigurojë para së gjithash zhvillim ekonomik dhe një standard më të mirë jetësor. Çfarë projektesh ofrojnë autoritetet lokale, kush i zgjedh ato dhe kush vendos nëse do të realizohen, sa para ndahen çdo vit për zhvillim të barabartë rajonal dhe sa Qendrat për Zhvillimin e Rajoneve të Planifikimit e kanë përmbushur misionin e tyre?

“Portalb”-i do t’u përgjigjet në disa vazhdime këtyre pyetjeve që lidhen me shpenzimin e fondeve të pakthyeshme qeveritare, qëllimi të cilave është përmirësimi i kushteve të jetesës së qytetarëve.

Sipas legjislacionit, mjetet shtetërore në shumën prej 1% të PBB-së duhet të përfundojnë për mbështetjen e zhvillimit të barabartë rajonal. Mirëpo, shuma për këtë qëllim është shumë më e vogël, por gjithsesi bëhet fjalë për miliona që për çdo vit në formën e fondeve të pakthyeshme përfundojnë në nivelin lokal – me qëllim të zbatimit të projekteve strategjike që duhet ta përmirësojnë standardin e jetesës së qytetarëve.

Tetë rajonet e planifikimit kanë nivele të ndryshme të zhvillimit.

“Rajonet e Pollogut dhe Jugperëndimit dallohen me pjesëmarrje të lartë të popullsisë që jeton në zona rurale, ndërsa në rajonet e tjera vendbanimet rurale janë më pak të populluara. Rajoni më i madh për nga sipërfaqja është Pellagonia, e cila ka numër më të madh të vendbanimeve, rreth 343, por ka një dendësi të ulët të popullsisë prej 50 banorësh për kilometër katror, ndërsa rajoni më i vogël, ai i Shkupit, ka një popullsi shumë të dendur prej 319 banorë për kilometër katror dhe përfshin më shumë se një të katërtën e popullsisë së përgjithshme në Maqedoni “- theksojnë nga Byroja për zhvillimin e barabartë rajonal.

Fondet shtetërore për zhvillimin e barabartë rajonal janë në rritje

Këtë vit, sipas Programit për Zhvillimin e Barabartë Rajonal 2020, 7.500.000 euro janë planifikuar të derdhen në llogaritë e Qendrave për Zhvillim të Barabartë Rajonal. Edhe 209.000 euro të tjera janë siguruar përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Të gjitha këto fonde janë të destinuara për financim të pakthyeshëm të projekteve, por edhe për mbështetje e aktiviteteve dhe detyrave të vetë qendrave.

Në ueb-faqen zyrtare të Byrosë për Zhvillimin e Barabartë Rajonal, e cila, ndër të tjera, është edhe mbikëqyrëse e realizimit të projekteve dhe mënyrës së shpenzimit të fondeve për projekte, që nga fillimi i vitit janë shpallur thirrje publike për zhvillimin e zonave me nevoja specifike të zhvillimit në vlerë prej 1.5 milion eurove dhe për zhvillimin e fshatrave në vlerë prej 750.000 eurove.

Secili prej tetë rajoneve të planifikimit do të marrë një pjesë të barabartë në vlerë prej 95.000 eurosh nga shuma për zhvillimin e fshatrave. Këto fonde u rritën në krahasim me vitin e kaluar, kur ishin në nivelin prej 1.3 milion eurosh për zhvillimin e zonave me nevojave specifike të zhvillimit dhe 671.000 euro për zhvillimin e fshatrave.

“Qëllimi i Programit për zhvillim të barabartë rajonal është ta zvogëlojë pabarazinë, dallimet në zhvillim midis rajoneve të ndryshme të planifikimit. Tani kemi rajone që janë shumë më të zhvilluara se të tjerat, të cilat kanë një nivel të ulët të zhvillimit ekonomik. Komunat janë ato që i përcaktojnë projektet prioritare me të cilat aplikohet në Qendrat për zhvillim të barabartë rajonal, e të cilat miratohen nga Këshilli për zhvillimin e rajonit të planifikimit, në të cilin anëtarë janë kryetarët e komunave të përfshira në rajonin e planifikimit. Fjalën e fundit, për atë se cilët projektet do të marrin para nga shteti, e ka niveli qendror, gjegjësisht së pari ato kalojnë në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, e më pas në Këshillin Kombëtar për Zhvillimin e Barabartë Rajonal, ku si anëtarë janë ministra nga sektorë të ndryshëm” – shpjegon për “Portalb”-in drejtori i Byrosë për Zhvillimin e Barabartë Rajonal, Ramiz Rexhepi.

Sa para janë miratuar dhe për cilat projekte në kuadër të tetë Rajoneve të planifikimit – në vazhdimin tjetër “Portalb”-i do ta publikojë listën e projekteve, por edhe shumat që do të derdhen ose tashmë janë derdhur në llogaritë në nivelin lokal për realizimin e projekteve.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close