Humbjet e ujit në sistemet e furnizimit me ujë vitin e kaluar u zvogëluan, por larg nivelit të duhur (Infografik)

Kompanitë e ujit vitin e kaluar arritën të ulnin nivelin e ujit të pa arkëtuar në nivel kombëtar për afërsisht 3 përqind, por kjo është larg nga standardet e pranueshme ndërkombëtare për përqindjen e humbjeve të ujit të pijshëm në sistemet e furnizimit me ujë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Nga 271.262.710 metra kub ujë të prodhuar nga sistemet e furnizimit me ujë në vend vitin e kaluar, madje sasia prej 175.349.029 metra kub ujë (64.64 përqind) nuk është arkëtuar, ka treguar Raporti vjetor për punën e Komisionit rregullator për energjetikë dhe shërbime ujore (KRRE) për vitin 2019.

“Përqindja e ujit të pa arkëtuar në vitin 2019 mbetet një nga çështjet e rëndësishme për ofruesit e shërbimeve të ujit dhe ai shkon midis 13 dhe 85 përqind, varësisht nga ofruesi i shërbimit të ujit” – thuhet në Raportin vjetor të KRRE.

“Meta.mk” tashmë ka shkruar se Maqedonia është një nga vendet në të cilat konsumatori më i madh i ujit të pijshëm janë sistemet e furnizimit me ujë të ndërmarrjeve komunale. Pjesëmarrje në përqindjen e lartë të ujit të pa arkëtuar kanë tubacionet e vjetruara dhe infrastruktura nga e cila rrjedh uji, kontrolli i pamjaftueshëm i konsumit të paligjshëm të ujit, matësit e pa riparuar për konsum të ujit dhe mënyra e papërcaktuar e kontrollit të ujit të pijshëm që përdoret për ujitje të sipërfaqeve publike dhe shatërvanët.

Pikërisht për këto arsye shumica e ujit të pijshëm të prodhuar në të vërtetë humbet përmes rrjetit të shpërndarjes para se të arrijë te konsumatorët e fundit. Kjo përqindje e lartë e ujit që nuk është arkëtuar është në kundërshtim me standardet e Shoqatës ndërkombëtare të ujërave, për të cilën përqindje e pranueshme e humbjes së ujit është nën 30 përqind.

Në vitin 2013, Banka Botërore ka kryer një studim mbi zhvillimin e sektorit të ujit në Maqedoni. Qysh atëherë, ekspertët thanë se deri në vitin 2020 do të ndjehen efektet e para të ndryshimeve klimatike mbi furnizimin e komunave me ujë. Në tre dekadat e ardhshme, sasia e reshjeve do të ulet, vëllimi i ujit në lumenj do të ulet, ndërsa temperaturat e ajrit në vendin tonë do të rriten. Për këto arsye, ulja e përqindjes së ujit të pa arkëtuar duhet të jetë prioritet për autoritetet shtetërore dhe komunale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button