“Bëhu zëri im”, sot shënohet Dita Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në luftë

Me instalacionin “Bëhu zëri im” të vendosur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është shënuar 19 Qershori – Dita Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në luftë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky instalacion u vendos nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës me qëllim për të treguar se “viktimat e luftës në Kosovë ende bartin plagë të rënda”.

Drejtoresha e kësaj qendre, Feride Rushiti ka thënë se ky aktivitet simbolik është bërë për të kërkuar edhe më tej mbështetje institucionale për këtë kategori.

“Jemi mbledhur këtu për t’i thënë mjaft paragjykimeve shoqërore, që këto gra dhe burra padrejtësisht tash e 20 vjet me radhë ende vazhdojnë të stigmatizohen qoftë nga familja e ngushtë qoftë nga shoqëria e gjerë. Dhe, për shkak të këtij stigmatizimi realisht ata nuk arrijnë t’i gëzojnë të drejtat e tyre”, tha Rushiti, e cila shtoi se vetëm duke u ballafaquar me të kaluarën dhe luftën e Kosovës dhe duke i dhënë vendin e merituar viktimave të dhunës seksuale, “ndërtojmë një shoqëri që respekton këtë kategori”.

Vjosa Osmani
Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila mori pjesë në këtë aktivitet tha se thirrja e saj në këtë ditë është “thirrje për drejtësi, por kjo thirrje nuk duhet të përfundojë në Kosovë, por të dëgjohet në gjithë botën”.

“Thirrja jonë e sotme në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale gjatë luftës është thirrje për drejtësi. Por, kjo thirrje nuk duhet të përfundojë këtu. Nuk duhet të përfundojë në Kosovë, duhet të dëgjohet nëpërmjet zërit tonë kudo në botë. Këto lule anembanë duhet t’i mbajë në veçanti secili përfaqësues i Kosovës që ulet në tavolinë me Serbinë. Që në radhë të parë t’ia përkujtojë vetvetes dhimbjen që akoma e kanë këta 20 mijë njerëz tanë, e në veçanti gratë. Por, t’ua përkujtoj përfaqësuesve serbë krimin që e kanë kryer”, tha Osmani.

Ajo shtoi se familjet e të mbijetuarve të dhunës seksuale duhet të mbështeten institucionalisht dhe nga shoqëria.

Në Kosovë ndonëse vlerësohet se janë rreth 20 mijë persona të cilët kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së fundit, deri më tani organizatat joqeveritare kanë dokumentuar dhe identitifkuar rreth 1.000 prej tyre të cilët i kanë rrëfyer tregimet e tyre të dhunës seksuale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button