Dëshira për të qenë i pari

Në vend të shkrimit autorial, sot përktheva për lexuesit e mi një perlë të Emil Sioranit – filozofit francez me prejardhje rumune, njërit prej mendimtarëve më eminentë të sh. XX, esetë e të cilit prekin traumat e jetës së përditshme.

Ta shijojmë bashkë, sepse ka të bëjë edhe me ne.

*

I zhveshur nga instinkti i dominimit edhe Cezari është më afër një bujkrobi të katundit se sa një shpirti të përkryer e lucid. Të komanduarit është fakt i rëndësishëm: pothuajse të gjithë njerëzit e synojnë atë. A do të qeverisësh një perandori, një fis, një familje ose një shërbëtor, ti e zhvillon talentin tënd prej tirani, të famshëm apo të karikaturizuar: një botë e tërë ose një njeri i vetëm është nën komandën tënde. Dhe ja si lidhet vargu i fatkeqësive të mëdha që vijnë nga nevoja për të qenë i pari… Përreth takojmë vetëm despotë: çdo njeri, sipas mundësive të veta, kërkon turmë robërish ose kënaqet me një rob të vetëm. Askush nuk kënaqet me vetveten: madje edhe njeriu më modest vazhdimisht gjen ndonjë mik ose ndonjë të dashur për ta realizuar ëndrrën e tij prej sundimtari. Të nënshtruarit, një ditë do t’i nënshtrohen: nga viktimë ai do të shndërrohet në xhelat; kjo është dëshira më e flaktë e të gjithëve. Vetëm lypsarët dhe të urtit nuk e posedojnë – ose ndoshta loja e tyre është më subtile…

Dëshira për pushtet i lejon historisë të përsëritet dhe sërish në thelb të mbetet e njëjta; religjionet përpiqen ta zhbëjnë këtë gjakim, por arrijnë vetëm ta forcojnë. Sikur krishterimi megjithatë ta arrinte qëllimin e vet, toka do të ishte shkretëtirë ose parajsë. Nën format e ndryshme që mund t’i fitojë njeriu, fshihet një konstantë, një fon identik, i cili sqaron pse, përkundër të gjitha fantazmave, ndryshojmë, evoluojmë në një rreth – dhe pse historia do të zhdukej përnjëherë, nëse e humbasim, për pasojë të ndonjë intervenimi mbinatyror, vetinë e monstrumit dhe të zjarrvënësve.

Përpiquni të jeni të lirë: do të vdisni nga uria. Shoqëria ju toleron vetëm nëse jeni paralelisht servilë dhe despotë; ajo është burg pa roje nga i cili, prapseprapë, nuk dilni para se të vdisni. Ku të shkosh kur mund të jetosh vetëm me polisin dhe kur s’i ke instinktet e nevojshme, sepse nuk je fort i iniciativës për të lutur dhe as fort i ekuilibruar që t’i jepesh urtësisë? Më në fund mbetesh këtu, si të gjithë njerëzit, duke u shtirur se je i zënë me punë; e pranon këtë zgjidhje përfundimtare duke i falënderuar aftësisë për t’u gjendur, duke e ditur se po ta simulosh jetën i ekspozohesh më pak përçmimit, sesa nëse e jeton atë.

Gjersa njerëzit do ta gjakojnë polisin, mes tyre do të sundojë një kanibalizëm i maskuar. Instinkti politik është pasojë direkte e Mëkatit, materializim i drejtpërdrejtë i rënies. Çdo njeri duhet të kujdeset për vetminë e vet, por çdo njeri e shikon atë të të tjerëve. Engjëjt dhe banditët kanë prijësit e tyre. Do të mundeshin vallë qeniet e ndërmjetme – që paraqesin shtresën më të gjallë të shoqërisë – të mos kenë prijësa? Provoni t’ua merrni dëshirën për të qenë robër ose tiranë: në moment do ta rrëzoni polisin. Pakti i majmunëve është lidhur përgjithmonë; kurse historia e vazhdon rrugën si hordhi që rënkon mes krimesh dhe ëndërrash. Asgjë nuk mund ta ndalojë: bile edhe ata që e urrejnë shkojnë bashkë me të…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button