Pendarovski shpalli gjendje të jashtëzakonshme, KShZ pret vendimin për shpalljen e zgjedhjeve nga kryetaparlamentari që të fillojë përgatitjet

Presidenti Stevo Pendarovski mbrëmë shpalli gjendje të jashtëzakonshme prej tetë ditësh në territorin e tërë vendit të Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk. Vendimi, siç kumtuan nga kabineti i presidentit, do të mundësojë përgatitje të zgjedhjeve parlamentare pa pengesa.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas propozimit të paraqitur nga Qeveria, dhe do të zgjatë tetë ditë, duke filluar nga 15 qershori i vitit 2020.

“Partitë politike kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik 2020. Prandaj, vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme merret me qëllim që të mundësohet përgatitja pa pengesa të zgjedhjeve, dhe veçanërisht për zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në kushtet e pandemisë së virusit korona të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, deklaron komunikata.

Vendimi i presidentit, erdhi pas seancës së mbrëmshme të Qeverisë së RMV-së, në të cilën u miratua konkluzë që t’i shtrojë propozim presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, në bazë të nenit 125 të Kushtetutës, të përcaktojë ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme për periudhë prej tetë ditësh, gjegjësisht të zgjasë prej më 15 qershor deri më 22 qershor.

Ndërkohë, kryetari i KSHZ-zë, Oliver Derkoski, deklaroi se pasi ta marrë Vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga kryetari i Kuvendit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do të fillojë ta organizojë procesin me veprimet në mesin e të cilave edhe shqyrtimin e Librit të afateve.

“Aktivitetet teknike tashmë një kohë të gjatë po i bëjmë. Kemi veprime tashmë të planifikuara për Librin e aftave dhe sapo të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme do të mbajmë mbledhje në të cilën do ta miratojmë në mënyrë formale Librin e afateve me të cilën do të parashihen veprimet tjera deri në ditën e zgjedhjeve”, deklaroi Derkovski për emisionin “Top Tema” në TV Tellma.

Nga autoritetet shëndetësore pret protokoll të cilin KSHZ do t’i shënojë në udhëzimet dhe instruksionet deri te bordet zgjedhore.

Ndryshe, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dje kanë arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve. Këtë e ka konfirmuar  Zaev në konferencë për media, ku tha se 15 korriku do të jetë data përfundimtare për mbajtje të zgjedhjeve. Ai tha se për këtë ka biseduar me liderin opozitar dhe i njëjti i ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje më 15 korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button