Shqipëri: Rritet numri i të prekurve me COVID-19

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë kryer 270 testime nga të cilat kanë rezultuar pozitive me COVID-19, 48 raste, kryesisht kontakte të rasteve të mëparshme, por edhe raste të reja që po hetohen.

Në komunikimin e përditshëm me mediat, Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se shpërndarja e rasteve të reja është 24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 2 Lezhë, 2 Pukë, 3 Kamëz, 1 Gjirokastër, 1 Elbasan.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 5 qytetarë dhe aktualisht më shumë se 70% e të prekurve që nga fillimi i epidemisë janë shëruar”, tha Beqo, transmeton REL.

Ajo shtoi se në vend vijon të ketë shtrime të reja në Spitalin Infektiv.

Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 52 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive dhe një i intubuar.

“Në vendin tonë janë aktualisht 389 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë”, tha Beqo.

Ajo tha se ditët e fundit është vënë re rritje e numrit të rasteve në disa aktivitete biznesi, në institucione të ndryshme, në pjesëmarrje në ceremoni mortore dhe grumbullime.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara: distancën fizike, përdorimin e maskave në shërbim dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, higjienën personale, dezinfektimin e ambienteve, ajrosjen e tyre, në menyrë që të kufizohet përhapja e COVID-19”, u shpreh Beqo.

Ajo shtoi se inspektorët e Task-Forcës anti-COVID-19 do të vijojnë kontrollet në çdo subjekt, në institucione apo biznese tregtare të çdo lloji, për zbatimin e protokolleve të sigurisë.

“Do të vijojë bashkëpunimi me forcat e rendit për kontrollin e vazhdueshëm për zbatimin e karantinës të qytetarëve të konfirmuar pozitive që janë pa shenja dhe që duhet të respektojnë detyrimin për të qëndruar të izoluar”, bëri të ditur Beqo.

Shkelja e rregullave, sipas saj, nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Shqipëria gjatë javës së fundit është duke shënuar numra rekord të të prekurve me koronavirus.

Në vend janë hequr të gjitha masat e detyrueshme të mbylljes së bizneseve, karantinimit e izolimit të njerëzve. Sipas qeverisë, tani është përgjegjësi e vetë qytetarëve që të kujdesen dhe të zbatojnë rekomandimet për distancim.

Virusi ka lënë të vdekur 35 persona prej kur është shfaqur për herë të parë në Shqipëri në muajin mars.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button