Është sulmuar fizikisht aktivisti i Lëvizjes “Anti Bixhoz”

Një nga aktivistët e Lëvizjes “Anti Bixhoz” është sulmuar dje rreth orës 17:30, sipas kësaj organizate, sulmin e ka kryer një punonjës i një kazinosë në Tetovë. Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet për zbardhjen e rastit, shkruan Portalb.mk.

Lëvizja “Anti Bixhoz” në një konferencë për shtyp sot njoftoi se një nga aktivistët e tyre dje është sulmuar fizikisht, sipas tyre arsyeja për këtë është “beteja për mbylljen e kazinove”.

“Dje rreth orës 17:30 dita e premte pranë ish restorantit Potpor është sulmuar fizikisht në pabesi anëtari i kryesisë së Lëvizjes Anti Bixhoz me inicialet Z.A me pretekst se merret me betejën për mbylljen e kazinove dhe bastoreve në RMV.

Sulmi është kryer nga personi me iniciale M.M punëtor në kazinonë Admiral. Ne nga Lëvizja Anti Bixhoz reagojmë ashpër për veprimin makabër të këtij personi të cilin akt e llogarisim sulm ndaj Lëvizjes Anti Bixhoz. Derisa ne si LAB kërkojmë në mënyrë institucionale sjelljen e ligjit për lojërat e fatit edhe me këtë rast kërkojmë me vendosmëri nga organet përgjegjëse që personi në fjalë të merr dënimin e merituar dhe të mos mendon ai dhe askush tjetër se mund të marrin veprime të tilla ndaj anëtarëve të Lëvizjes Anti Bixhoz.

Gabohen rëndë mercenarët dhe porositësit e tyre pasi ne nuk gjunjëzohemi dhe se fuqia jonë qëndron tek populli, ne nuk merremi me individ pasi target i Lëvizjes Anti Bixhoz është mirëqenia e qytetarit deri në sjelljen e ligjit për mbylljen e të gjitha objekteve të lojërave të fatit në nivel Republikan” deklaruan nga Lëvizja “Anti Bixhoz”.

Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë, deklarojnë se kanë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas kësaj do të pasojnë parashtresat adekuate.

“Mbrëmë (12-qershor) në ora 20 e 20 minuta, në SPB Tetovë 44 vjeçari A.Z. nga fshati Përshevcë ka denoncuar se rreth orës 17 e 30 minuta deri sa ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën e ,,Ilindenit” në Tetovë, ka qenë i sulmuar fizikisht nga personi M.M. i cili ka qenë bashkë edhe me një person të panjohur ku të njëjtit pa asnjë arsye e kanë grushtuar në pjesën e fytyrës duke i shkaktua lëndime të dukshme trupore. SPB Tetovë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitete për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, me ç’rast do të pasoj edhe parashtresë adekuate” thanë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.

Ndryshe, Lëvizja “Anti Bixhoz” funksionon tash disa vite në Maqedoninë e Veriut dhe të njëjtit kanë organizuar protesta dhe aksione të ndryshme guerille, kështu duke kërkuar distancimin e kazinove së paku 3 kilometër nga çdo vendbanim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button