Biblotekat e shkollave pa libra, mjerim që s’kapërdihet

Kaq pak kohë na mbetet për të lexuar libra. Veçmas sot kur, brezat e rinj orët e leximit i harxhojnë në media ose libra, në formë elektronike. Ndonjëri mund të thotë se në çfarëdo forme të jetë leximi, njohuritë merren, dija përvetësohet. Ata, të cilët i’a dijnë vlerën librit, faqeve të letrës së brishtë, ngjyrë drite, ngjyrë vjeshte, kuptojnë se libri është burimi i dijes tonë, historia e shkrimtarit, e romanit, historia e kombit. Pikërisht, përmbajtja e një libri e takon lexuesin, madje bëhet pjesë e një personazhi. Një personazh, i cili lidhet me historinë e së kaluarës apo asaj të së ardhmes, që ëndërron. Kjo porosi, e bën lexuesin të dijë se në cilin shteg do të ec, në të ardhmen. Pra, në libra lexohet e kaluara, lexohet edhe e ardhmja.

Prandaj, që në shtratin e fëmijërisë, prindërit, veçmas gjyshi dhe gjyshja u lexojnë përralla fëmijëve nga autorë të gjuhës amtare dhe asaj të huaj. Në këtë frymë, kur rritet fëmija në një kopsht, në gjirin familjar dhe me biblotekë, ai fëmijë ka ardhmëri të sigurtë, ka gjithçka që do të duhet. Më pastaj, kur ky fëmijë bëhet për në shkollë ai di të shprehet, ndonjëri edhe di të lexojë, sepse i ka mësuar se cilat janë margaritarët e gjuhës. Mësuesi dhe dija e nxën, në shkollë, e përgadit atë për sfidat e jetës. Tek jeta bëhet një libër, të cilin shkrimtarët e shkruajtën në copa letre dhe e shkruajnë, për ta bërë libër, që t’i jepet lexuesit.

Ky lexues mund të jetë nxënës i shkollës, i rritur apo i moshuar. Leximi e bën të freskët jetën, e mban në formë trurin e njeriut, sa që nuk e lejon që të ngjeshet me mërzit e jetës së vet apo të botës që na rrethon. Leximi, pasuron edhe fjalorin dhe të shprehurit. Prandaj, shkollat në plan programet, zhvillojnë orë mësimi edhe për librat e autorëve vendas (shqiptar), po ashtu edhe të huaj. Përgjegjësit e shkollave thonë se nxënësi është i detyruar të lexojë pesë ose shtatë libra, gjatë vitit. Këto libra, lektyra shkollore janë aeroplani, treni, rruga. Ata janë destinacioni dhe udhëtimi. Ata janë shtëpia. Janë libra që jo vetëm që ke mësuar një histori, por edhe e njeh edhe autorin. Ai shkrimtar, që e bën më të bukur botën tonë. Njeriu kur e ka mbaruar së lexuari një libër, dëshiron ta ketë mik autorin që e ka shkruar, që të mund t’i telefonojë dhe t’i tregojë se si ndihet. Kjo, gjithsesi nuk para ndodh.

Por, duket se lexuesi e merr “shpirtin” e tij ose copëza jete nga autori.E bukura e shkrimtarëve tanë është se përshkruajnë edhe historinë e popullit tonë, ndër vite, bëmat, përpjekjet për fitore. Histori, e cila në kohë lirie dhe demokracie, harrohet. Shumë njerëz mund t’i mbyllin sytë në realitet, por jo në kujtimet e një shkrimtari, i cili herëdo do ta shkruaj, me figura stilistike, metafora.., tërësinë e fateve të njeriut (shqiptarit) dhe e fakteve e ngjarjeve dhe e dukurive të rëndësishme e të lidhura ndërmjet tyre, që i përkasin së kaluarës së popullit të tij. Pikërisht, këto ngjarje në libra, të cilat quhen lektyra në shkollë janë dhe duhet të jenë në biblotekat e shkollave.

Por, ndër vite ka mungesë të librave. Punëtorët e biblotekave, por edhe drejtorët e shkollave, mësuesit edhe pse nuk u vihet faj, ata duhet të luftojnë, që nxënësit e tyre t’i furnizojnë me lektyra, të cilat janë të parapara në programin e mësimit, të rekomanduara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në mungesë të tirazhit të lektyrave, fajin i’a lënë njëri – tjetrit. Por, nuk e dijnë se ky gabim e lë prapa nxënësin, që edhe nuk përmirësohet te shumë fëmijë. Është e kuptueshme se duhet të bëjmë kujdes prej librave, çfarë është brenda tyre, fjalët, kanë fuqinë të na ndryshojnë. Pikërisht, përmbajtja e lektyrave nga klasa e dytë deri në të nëntën në arsimin fillor – gjuhë shqipe, me autorë, që dora e tyre ka shkruar gjithhçka për botën e fëmijëve, për lojën, dijen, artin dhe vetë historinë e një ngjarje apo të bazuar në luftrat (e shqiptarëve) me okupatorë, janë domosdo për t’u lexuar. Sepse ne, që jemi rritur me libra kemi kuptuar në ç’bëma ka kaluar kombi ynë, vetë shkrimtari, i cili lufton gjithmonë me pendë dhe i’a bën më të lehtë lexuesit historinë e kombit të vetë, të një dashurie, e cila kurrë s’duhet të pushojë, por përkundrazi të të pushtojë.

Janë këta, shkrimtarë të pa përsëritshëm: Naim Frashëri, Migjeni, Josip Rela, Petro Marko, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ali Podrimja, Abdylaziz Islami e shumë të ndjerë e deri ndër të gjallët, Ismail Kadare, Bardhyl Londo, Resul Shabani, Mehmet Kraja etj.., të cilët e kanë shkruar historinë dhe të vërtetën, në romane, drama, poezi.. Dhe këta libra, të mungojnë në duart e nxënësve tanë, te brezat e rinj është mjerim që s’kapërdihet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button