Ideja e radhës dhe e fundit aventureske

Të mashtrosh të tjerët është e rrezikshme, sepse në fund të fundit do të fillosh të mashtrosh veten.

Pas 18 viteve në skenën politike dhe 16 vite në ekzekutiv të BDI-së, është joserioze të merret si serioze ideja e shpalosur për kryeministër të parë shqiptar nga ana e këtij subjekti politik dhe kreut të saj.

Njerëzit serioz, të denjë, me integritet dhe mendjehapur asnjëherë nuk i kanë marrë si të mirëqëna dhe serioze idetë e prezantuara nga ana e BDI-së në prag të çdo cikli zgjedhor, e sidomos viteve të fundit. Të tillë, të cilët këto ide i mirëpresin dhe u duartrokasin janë zakonisht njerëz servil, të shitur, pa integritet, pseudoanalist, pseudointelektual, pseudogazetarë dhe të ashtuquajtur njerëz “close-minded”, të cilët besojnë fatin dhe në asnjë mënyrë njerëzit serioz, të fortë dhe me dinjitet të cilët besojnë shkakun dhe pasojën.

Atje ku fillon dogma mbaron arsyetimi.

Dogmatizmi u ka shërbyer gjithmonë atyre njerëzve të cilët kanë humbur arsyen dhe shpëtimin e tyre e kanë pritur nga mrekullitë dhe të ashtuquajturat ” ide të mëdha” nëpërmjet defokusimit të qytetarëve nga çështjet reale.

Njerëzit e arsyeshmëm janë indulgjent. Vetëm të tillë janë të denjë për të shpalosur dhe për të jetësuar ide të mëdha, ngaqë idetë e tilla janë të pamëshirshme. Ato kërkojnë sakrificë, përkushtim dhe punë të vazhdueshme në jetësimin e tyre.

Për dy dekada radhazi, BDI tregoi shembullin më të keq dhe tipik për mënyrën se si nuk duhet udhëhequr me institucionet shtetërore dhe se si nuk duhet përbuzur vullneti i qytetarëve shqiptarë.

Ai që drejton duhet t’i shohë njerëzit ashtu siç janë dhe sendet siç duhet të jenë  e që për fat të keq nuk ka qenë rasti me BDI-në dhe qeverisjen e saj 16 vjeçare. Ajo ka bërë të kundërtën. Nga njerëzit ka krijuar konformist të përbetuar, klientelë lojale, pseudoanalist dhe pseudointelektual, të cilët i ka vënë në shërbim saherë që i është rrezikuar kapitali partiak, në vend që të kryente obligimet dhe detyrat e marra nga besimi i qytetarëve shqiptarë.

Gjatë gjithë këtyre viteve qeverisje, ajo nuk ka dëshmuar asnjëherë që është e gatshme të sakrifikojë nga kapitali i saj partiak dhe politik për të mirën e përgjithshme të qytetarëve shqiptarë. Përkundrazi, ajo në vazhdimësi ka treguar që është e gatshme të sakrifikojë interesat e qytetarëve shqiptarë, mirëqënien, lirinë, dinjitetin dhe perspektivën e tyre, për të mos sakrifikuar pushtetin.

Edhe ideja për kryeministër të parë shqiptar është në këtë drejtim. Ajo paraqet përbuzjen dhe nënçmimin e radhës të inteligjencës së qytetarëve shqiptarë me të vetmin qëllim, ruajtjen e pushtetit të tyre.

Nisur nga fakti që qytetarët shqiptarë ekzaltohen nga ide të tilla të tipit “Kryetari i parë i Kuvendit”, ” Presidenti konsensual”, “Integrimi konsensual”…, ata kësaj here paraqiten me idenë për kryeministër të parë shqiptar, ngaqë tani paska ardhur koha për një gjë të tillë.

Give me a break!!!

Koha për ide të mëdha ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë, për sa kohë që punon pa ndërprerë në jetësimin e bërthamës dhe përmbajtjes së saj, dhe jo thjeshtë keqpërdorimin e formës dhe simbolikës për manipulimin e qytetarëve.

Çdo funksion, edhe ai i kryeministrit është i mirëpritur nga qytetarët vetëm atëherë kur veprime konkrete dhe substanciale angazhohen në materializmin dhe realizimin e obligimeve të marra nga besimi i qytetarëve.

Por, sa BDI dhe funksionarët e saj në qeverisjen e kaluar 16 vjeçare e shfrytezuan këtë kohë në krijimin e rrethanave dhe për t’a bërë të pamundurën të mundur? Kjo është dilema më e madhe?!!

Ndryshe, kjo ide jo vetëm që nuk do të përçmohej, por ajo do të analizohej dhe debatohej me seriozitetin maksimal, pse jo edhe të bëhej realitet.

Koha matet jo në gjatësi, por në thellësi.

Pushteti është i padobishëm dhe i paqëndrueshëm në qoftë se çdogjë i nënshtrohet vetëm atij dhe jo idesë që ai mishëron.

Prandaj, edhe ideja për kryeministër të parë shqiptar nuk është gjë tjetër pos një aventurë me një ide aventureske të radhës për ruajtjen e pushtetit. Duke qenë në dekadencë e vazhdueshme dhe duke qenë të vetëdijshëm për atë çfarë kanë mbjellë, ata bëjnë tentativën e fundit për të fshehur frikën që të mos duken të dobët nga humbja që i pret në prag të zgjedhjeve të radhës, kurdo që të mbahen ato.

Por, kjo do të jetë tentativa dhe ideja e tyre e fundit për eksperimentim me vullnetin dhe votën e qytetarëve shqiptarë.

Alternativa në skenën politike shqiptare nuk është përçarja e votës dhe plogështimi i vullnetit politik shqiptar në parti të shumta siç pretendojnë nga BDI, por ato kanë qenë dhe mbeten shpresa e vetme e qytetarëve shqiptarë për një të ardhme më të mirë.

Thonë që kur të qorton njeriu i keq, kjo është baraz me lëvdatën.

E në këtë kontekst Kanti do thoshte: “Ne shpesh skuqemi nga paturpësia e dikujt tjetër që na padit për diçka.”

Por, do të jetë hera e fundit që ata do të akuzojnë të tjerët për dështimet e tyre. Qytetarët shqiptarë janë mëse të vetëdijshëm se cili subjekt politik nën moton “Përçaj dhe sundo” monopolizoi skenën politike shqiptare. Ata e kanë të qartë se kush me servilizëm  tregtoi me besimin e tyre me të vetmin qëllim ruajtjen e pushtetit dhe privilegjet e saj. Ata kësaj here nuk do të bien në kurthin e radhës të kësaj partie, por do të dinë të dallojnë heroin nga aventuristi.

Edhe ata 18 vjeçarë, të cilët për herë të parë do të shfrytëzojnë të drejtën e votës, do të bëhen pjesë e historisë në ndëshkimin e paturpësisë e që do të sjellin ndryshimin e shumëpritur nga qytetarët shqiptarë në përvjetorin e 18-të të këtij subjekti politik shqiptar.

Historinë e kanë shkruar gjithmonë ata që kanë qenë të lirë në ëndërrat dhe sakrifikues në jetësimin e tyre, pa dallim çmimi, por assesi ata që janë kontribuesit më të mëdhenj në zbehjen e tyre dhe perspektivës së gjeneratave të ardhshme.

“Asnjë qëllim nuk mund të jetë aq i lartë sa të përligjë përdorimin e mjeteve jo të denja për arritjen e tij.” – Albert Einstein

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button