Shovinizmi “intelektual”

A mund të jetë një intelektual/e shovinist/e?

Në këtë shtet vazhdojmë të shohim e të dëgjojmë edhe sot e kësaj dite deklarata raciste dhe shoviniste nga persona që në shikim të parë i perceptojmë si intelektualë. Zakonisht, këtu bëhet fjalë për individë që kanë bërë karrierë akademike, në kuptimin e asaj që kanë radhitur njërin pas tjetrit titujt më të lartë shkencorë dhe të njëjtit i kanë verifikuar me diploma përkatëse. Shumica prej këtyre individëve kanë pozita të dalluara dhe të respektuara në shoqëri, janë profesorë ordinarë nëpër universitete ose anëtarë të rregullt të Akademisë. Rrjedhimisht, kjo karrierë e tyre duhet të ketë kuptimin se bëhet fjalë për individë të dalluar të shoqërisë, me mendime të lira dhe kritike, me diapazon të gjerë dhe horizont të pafund mendimesh, me kuptim për dallimet dhe me respekt për diversitetin kulturor të një shoqërie. Sepse në fund të fundit, fjala “intelekt” nënkupton aftësinë për të arsyetuar dhe kuptuar në mënyrë objektive çështje të cilat mund të jenë konkrete ose abstrakte. Arsyetimi objektiv është pra esenca e intelektit, dhe prandaj intelektualizmi identifikohet me diapazon të gjerë dhe liri të plotë të të menduarit dhe gjykuarit, liri nga komplekset emocionale dhe paragjykuese, shikim përtej atyre komplekseve.

Në këtë mënyrë, njeriu që është intelektual i mirëfilltë dallohet me liri në të menduar dhe në të shprehur, dallohet me atë që çmon barazinë mes njerëzve dhe nuk i shikon ata në bazë të përkatësisë së tyre grupore, por komunikon me të tjerët në bazë të zhvillimit të tyre intelektual, mendor e shpirtëror. Në këtë kuptim njeriu që është intelektual i mirëfilltë nuk mund të jetë njëherit edhe shovinist dhe të identifikojë tek një grup etnik arsyen e përhapjes së një sëmundje, dhe rrjedhimisht të aludojë me një deklaratë të thjeshtë në rrjetet sociale se çmimin e bashkëjetesës e paguakemi me jetë. Kjo deklaratë është e turpshme kur vjen nga secili njeri mendja e të cilit funksionon e ngujuar nga kuptimet shoviniste dhe raciste, por kjo deklaratë është shumëfish më e turpshme kur vjen nga një person i cili është anëtar i përhershëm i Akademisë shtetërore të shkencave dhe arteve, pra kur vjen nga një person i cili në shoqëri perceptohet si intelektual. Deklarata mbetet e turpshme edhe pasi e njëjta të jetë fshirë nga postimi, edhe pasi jepet një farë sqarimi sipas të cilit kjo deklaratë paska qenë disi personale dhe nuk paska pasur qëllim të ofendojë një komunitet etnik. Jo, ajo deklaratë assesi nuk duhet parë si ofendim! Pse, ku e shihni ju ofendimin se bashkëjetesa me dikë rezulton në humbjen e jetës së dikujt tjetër?!

Sikur të ishte vetëm kjo deklaratë, por ja që nuk është. Deklaruesja, intelektuale e lartë, anëtare e akademisë, profesorë ordinare, vetëm para një viti ishte prijëse e grupit që thërriste ish-presidentin Ivanov të mos e nënshkruajë dekretin e shpalljes së Ligjit për përdorim të gjuhëve, duke mbjellë urrejtje mes qytetarëve dhe duke përhapur frikë se me këtë ligj dikush do bëhet më i fortë dhe do e ndryshojë karakterin e shtetit e do të rrezikojë madje edhe prishjen e tij. Sikur të ishte vetëm kjo “intelektuale e mirëfilltë” edhe do t’ia dilnim të harronim disa veprime të pahijshme, por e keqja është se ajo nuk është e vetme. Së bashku me të vepron edhe kandidatja për presidente e cila humbi zgjedhjet e fundit presidenciale, por fitoi shumë vota nga shumë individë tjerë që i ndajnë me këtë grup mendimet e tyre shoviniste dhe raciste. Së bashku me to vepron edhe një pjesë e mirë e klasës “intelektuale” të këtij shteti që shpesh nuk e kanë për qeder të shprehen se sa shumë shokë shqiptarë kanë, por ama të gjithë duhet ta dinë vendin e tyre dhe mundësisht të mos na infektojnë me virus që ta paguajmë me kokë çmimin e bashkëjetesës.

Është me të vërtetë e turpshme që ata që duhet të jenë udhëheqës të qarqeve intelektuale dhe shkencore të një shteti të përhapin racizëm, urrejtje, frikë dhe shovinizëm. Shpërthime të tilla shohim vazhdimisht dhe të njëjtat assesi të mbarojnë. Ato vetëm përsëriten në raste të ndryshme dhe në forma të ndryshme, por vazhdojnë të jenë pjesë përbërëse e kësaj shoqërie.

Mjerë intelekti që çdo ditë përballet me kuptime të tilla injorante, retrograde dhe mesjetare. Mjerë shoqëria që në këtë kohë kur njerëzimi pushton gjithësinë duhet të merret me këto shpërthime meskine të një shpirtvogëlsie mizore që me shekuj e ndjen veten të rrezikuar nga të tjerët e shpesh herë edhe nga vetvetja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button