Të shtunën mbaron gjendja e jashtëzakonshme, partitë ende nuk i kanë harmonizuar qëndrimet për mbajtjen e zgjedhjeve

Maqedonia e Veriut vazhdon të funksionojë me qeveri teknike tani më 5 muaj, përkatësisht nga 3 janari, 4 muaj pa Kuvend dhe pothuajse tre muaj me gjendje të jashtëzakonshme.

Gjendja e jashtëzakonshme, e katërta me radhë, e shpallur nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski më 30 maj, ndërkaq nga ana e Qeverisë thonë se tani për tani vlerësojnë se nuk ka nevojë për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Qeveria për këto dhe tjera çështje lidhur me KOVID-19 do të mblidhet dhe do të vendos gjatë ditëve në vazhdim. Në pajtueshmëri me vlerësimet, për momentin nuk ekzistojnë arsye për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Duke e pasur parasysh se sistemi shëndetësor është i gatshëm për periudhën e ardhshme, masat ekonomike janë tërësisht të rregulluara dhe në fazë të zbatimit, a për restrikcione të reja në të ardhmen, gjendja e jashtëzakonshme nuk është e nevojshme”, thonë nga Qeveria.

Vila presidenciale në Vodno

Nga kabineti i Presidentit, Stevo Pendarovski, kanë deklaruar për Portalb.mk, se momentalisht nuk është paralajmëruar seancë e Këshillit të Sigurimit dhe se vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme do të varet nga ajo nëse Qeveria do të propozojë një gjë të tillë.

“Tani për tani nuk ka paralajmërime për mbajtje të seancës së Këshillit të Sigurimit. Vendimi nëse do të shpallet sërish gjendje e jashtëzakonshme varet nga ajo se a do të dorëzohet propozim nga ana e Qeverisë, si dhe nga vlerësimi i Këshillit të Sigurisë”, kanë thënë nga kabineti i presidentit.

Pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të vazhdojë rrjedhja e aktivitetet zgjedhore, të cilat ishin ndërprerë në mars, por, partitë politike nuk kanë arritur akoma pajtueshmëri rreth datës e zgjedhjeve.

LSDM, duke u thirrur në ligje, vlerëson se zgjedhjet duhet të mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Lideri i kësaj partie, Zoran Zaev, paralajmëroi para disa ditëve se, më nuk do të prolongohen zgjedhjet parlamentare dhe ato do të mbahen më 5 korrik, duke shtuar se nuk është mirë për demokracinë që vendi me muaj të mos ketë Kuvend, ndërsa Qeveria të jetë edhe Qeveri edhe Kuvend.

LSDM
LSDM

I pyetur nga Portalb.mk, Aleksandar Popovski nga kjo parti, konfirmoi sot se, për LSDM 5 korriku mbetet data e organizimit të zgjedhjeve, nëse nuk vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme.

“Organizimi i zgjedhjeve është punë e kryer. Në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet, zgjedhjet duhet të mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Në rast se nuk vazhdon gjendja e jashtëzakonshme, atëherë 5 korriku është dita kur në pajtueshmëri me ligjet dhe Kushtetutën duhet të mbahen zgjedhjet”, deklaroi Popovski.

Megjithatë, VMRO-DPMNE vazhdon të mos pajtohet me propozimet e LSDM për zgjedhje. Nga kjo parti madje, e quajnë jo njerëzore të flitet për zgjedhje në këto momente, kur sipas tyre, situata me Covid-19, ka dalë jashtë kontrollit.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoillovski

Zëdhënësi i partisë opozitare, Naum Stoilkovski, deklaroi për Portalb.mk, se presin se çfarë do të vendoset për gjendjen e jashtëzakonshme si dhe vlerësimin e Komisionit për Sëmundje Infektive në lidhje me situatën me COVID – 19.

“Tani për tani është jonjerëzore të flitet për zgjedhje duke pasur parasysh situatën me COVID-19 dhe shifrat e reja që po regjistrohen. Fillimisht duhet të stabilizohet gjendja me virusin korona dhe situata e pakontrollueshme me rritjen e numrave”, deklaroi Stoilkovski

Nga ana tjetë, BDI është deklaruar që data e mbajtjes së zgjedhjeve të vendoset me konsensus mes partive politike. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, deklaroi dje se, deri të premten do të dihet qëndrimi i Qeverisë për gjendjen e jashtëzakonshme, i cili së bashku me mendimin e Komisionit për sëmundje ngjitëse për gjendjen me pandeminë do të jenë vendimtarë për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Bujar Osmani
Bujar Osmani

“Qëndrimi i BDI-së bazohet në dy parime themelore, ata janë konstantë. Parimi i parë është se shëndeti i qytetarëve është para cilit do proces tjetër shoqëror dhe i dyti se konsensusi është i rëndësishëm për mbajtjen e zgjedhjeve. I ndjekim në baza ditore rrjedhat epidemiologjike. Qëndrimi im është se duhet të presim deri të premten, kur përfundon gjendja e jashtëzakonshme, në mënyrë që të bëjmë analizë të trendeve, ta shohim mendimin e Komisionit dhe në bazë të asaj ta sjellim vendimin  për gjendjen e jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme do të ndikojë drejtpërdrejtë në zgjedhje. Kështu që do të presim deri të premten se çfarë do të jetë qëndrimi i Qeverisë për gjendjen e jashtëzakonshme”, tha Osmani.

Liderët partiak kanë zhvilluar dy takime te presidenti, Stevo Pendarovski, më 12 dhe 18 maj,në përpjekje për të caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, megjithatë kanë dështuar në arritjen e një marrëveshje për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat  ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Deri më tani është paralajmëruar takim tjetër liderësh, ku do të diskutohej çështja e mbajtjes së zgjedhjeve. Këtë për Portalb.mk, e kanë thënë edhe nga kabineti presidencial. Në përgjigjen e tyre me shkrim thuhet se, nuk ka paralajmërim për takim liderësh, sa i përket caktimit të datës së zgjedhjeve, ndërsa sa i përket takimit të iniciuar nga zv/kryeminsitri për çështje evropiane, Bujar Osmani, për konsensus përpara fillimit të bisedimeve me BE-në, nga ky kabinet kanë thënë se kjo nuk është në fokus tani për tani.

“Tani për tani nuk ka paralajmërim për mbajtjen e takim liderësh për caktim të datës së zgjedhjeve. Në lidhje me çështjet që janë të rëndësisë strategjike për shtetin, si në planin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm, presidenti është i gatshëm të thirr takim liderësh, përderisa për ato çështje ka pajtueshmëri nga partitë politike. Por në këtë moment, fokusi kryesor është vendosur te kriza e shkaktuar nga pandemia e Covid-19 dhe caktimi i datës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, kanë thënë nga kabineti i Pendarovskit.

Ndërkaq, situata me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë shqetësuese. Vendi po shënon një valë të dytë të përhapjes së virusit korona, ku për pesë ditë radhazi ka shënuar mbi 100 raste të reja.

Me kërkesë të Qeverisë, për t’u mbrojtur me masa më rigoroze nga përhapja e virusit korona, Pendarovski duke filluar që nga 18 marsi deri më tani ka shpallur katër herë gjendje të jashtëzakonshme, dy herë nga një muaj, më 15 maj gjendja u vazhduar edhe për 14 ditë dhe më 30 maj u vendos që të vazhdohet edhe për 14 ditë të tjera, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve.  Asnjëri vendim nuk është konfirmuar nga Kuvendi pasi që i njëjti është i shpërndarë dhe për atë nuk mund të mblidhet. Kuvendi sipas të gjitha gjasave nuk do t’i konfirmojë edhe pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button