fbpx

RMV, policia nuk do të hyjë nëpër shtëpi private

Burimi: KriThink

Ditë më parë në disa media u plasua një lajm, kinse policia ka gjasa të hyjë nëpër shtëpi private, kjo për shkak të siç thuhej në këta artikuj, numrit në rritje të të diagnostifikuarve me Covid-19. Një lajm i till sigurisht se paraqet shqetësim për qytetarët aq më shumë kur nuk është i sqaruar siç duhet. Policia nuk mundet të hyje nëpër shtëpi pa urdhër dhe leje nga organet përkatëse, megjithatë ka raste përjashtuese, por nuk mund ta bëjë këtë pa një arsye të veçantë, gjegjësisht pa pasur dyshime ose prova se është duke u kryer vepër penale, pa bërë thirrje dikush për ndihmë, si dhe në raste të tjera të rregulluara me ligj.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku origjinal i artikullit: Raste të shumta në Maqedoni, policia: Do të hyjmë nëpër shtëpi

Data e publikimit: 04.06.2020

Data e recensimit: 07.06.2020

Recensuese: Naile Dauti

Ku dhe si dhe filloi kjo dezinformatë

I gjithë zinxhiri i kësaj dezinformate filloi nga një lajm i plasuar në Televizionin Alsat, më datë një qershor, në të cilën trajtohej çështja e zhvillimit të dasmave në disa vende të Shkupit, të cilat konsideroheshin si vatra të virusit, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve. Në po të njëjtin lajm, ishte paraqitur zëvendës ministri i punëve të brendshme Agim Nuhiu, i cili kishte deklaruar si vijon:

“ Unë dua t’ju apeloj të gjithë këtyre familjarëve që të heqin dorë nga këto aktivitete sepse është i ndaluar organizimi i dasmave dhe manifestimeve ku marrin pjesë persona në numër më të madh. Policia këtu nuk do të fal, ne do të intervenojmë e ndërpresim çdo aktivitet apo manifestim të tillë.”

Në lajmin e kësaj dite, transmetuar në TV Alsat, nuk u tha që zëvendës ministri Nuhiu ka deklaruar se policia do të hyjë edhe në shtëpi private, por vetëm se ka bërë thirrje që të mos organizohen dasma apo ahengje të tjera, sepse do të intervenojë policia duke arrestuar, gjobitur dhe duke i vendosur pjesëmarrësit në karantinë kolektive.

Tre ditë më vonë (4 qershor), në po të njëjtën media, u trajtua sërish tema e njëjtë, kësaj radhe me titullin: Vazhdojnë ahengjet në restorante gjatë kohës së pandemisë. Këtë here, brenda lajmit thuhej Ditë më parë nga MPB-ja thanë se do të intervenojnë me polici nëpër restorante apo shtëpi private, por në rastin e këtij ahengu polica është treguar symbyllur edhe krerët e dikasterit thanë se policia  nuk do të falë”, kjo duke iu referuar deklaratës së datës një qershor, por se këtë herë ishte përdorur vetëm pjesa e fundit e deklaratës së zëvendës ministrit Nuhiu, më saktësisht pjesa si vijon:

Policia këtu nuk do të fal, ne do të intervenojmë e ndërpresim çdo aktivitet apo manifestim të tillë”

Nga deklarata shihet qartë se zëvendës ministri nuk ka thënë se do të intervenojnë nëpër restorante e shtëpi private, të paktën nuk e thotë këtë në pjesën e deklaratës që është përdorur në kronikë.

Ky ka qenë mesa duket burimi, prej nga pastaj Televizioni Top Channel po të njejtën ditë, bëri lajmin me titull Maqedoni e Veriut, shtohen infektimet/ Policia: Do të hyjmë nëpër shtëpi!. Në të përmendet ahengu në një lokal të Kumanovës, i përmendur edhe në TV Alsat.

“Në qytetet e tjera do të ketë regjim më të lehtë të masave izoluese. Zyrtarët e rendit thonë se do të ndërhyhet me polici nëpër restorante e deri edhe në shtëpi private, siç raportojnë mediat vendase. Numri më i madh i rasteve të reja mbetet në kryeqytet.”, thuhet mes tjerash në lajmin e kësaj medie.

Edhe pse aty përmendet se është thënë nga zyrtarë të vendit,  nuk përmendet as kush saktësisht dhe as cilat media kanë raportuar, kur në fakt atë ditë kjo temë me kontekstin që e ka trajtuar Top Channeli ishte trajtuar nga TV Alsat. Përgjithësime të tilla zakonisht bëhen për t’i ikur përmendjes së medias apo burimit të vërtetë të lajmit.

Sidoqoftë, ky lajm u shpërnda me titull pothuajse të njëjtë nga disa media onlajn të vendit, pa ndryshim as pikë e as presje, thjeshtë duke e kopjuar tekstualisht. Më poshtë janë linqet e disa mediave që shpërndanë lajmin në fjalë.

Raste të shumta në Maqedoni, policia: Do të hyjmë nëpër shtëpi – Fol.mk
Raste të shumta në Maqedoni, policia: Do të hyjmë nëpër shtëpi – Nëshesh.mk
Raste të shumta në Maqedoni, policia: Do të hyjmë nëpër shtëpi – tetovasot.mk
Raste të shumta në Maqedoni, policia: Do të hyjmë nëpër shtëpi – ina-online.net

Problemi i mos identifikimit dhe mos sqarimit të lexuesve nga mediat onlajn të vendit, është gabimi profesional dhe etik që është bërë në këtë rast.

Funksionarët të japin deklarata të përgjegjshme dhe të qarta

Edhe pse nga ajo që arritëm të shohim për aq sa është plasuar dhe thënë, nuk mund të konstatohet se zëvendës ministri Punëve të Brendëshme Agim Nuhiu, ka deklaruar pikërisht atë që transmetuan mediat. Por gjithsesi, nëse është thënë ashtu siç u pasqyrua edhe në kronikën e Televizionit Alsat, kjo duhet të jetë një arsye më shumë që funksionarët të jenë shumë të kujdesshëm për atë se çfarë thonë dhe si e thonë.

Pas kësaj dezinformate, reagoi Sektori për Punë të Brendshme i  Tetovës, nga ku i hodhën poshtë si të pa vërteta këto informacione.

Sektori kryen kontrolle të cilat përqëndrohen në implementimin e tërësishëm të dekreteve qeveritare, qëllimi i së cilave është parandalimi i përhapjes së Kovid-19. Në këto aktivitete, do të kontrollohet mbajtja e maskave nga qytetarët në vende publike të karakterit të hapur dhe të mbyllur. Gjithashtu, intensivisht do të kontrollohet respektimi i protokollit për punë në objektet hotelerike, si dhe objekte të tjera publike, përderisa në rajonet ku është në fuqi ora policore do të kontrollohen në përputhje me urdhrin për  kufizim të lëvizjes”, thuhej në reagimin e SPB-së.

Rastet e veçanta kur policia mund të hyjë në objekte private pa urdhër dhe vendim të organeve gjyësore

Policia që të kryej kontrolle nëpër shtëpi private apo në hapësirat e tjera të mbyllura, këtë mund ta bëjë vetëm me urdhër dhe vendim të gjykatës kompetente ose me urdhër të prokurorit publik përkatës. Megjithatë në Ligjin për Policinë, ka përjashtime kur i njëjti lejon hyrjen pa urdhër me shkrim edhe atë: në rastet kur dikush në shtëpi bën thirrje për ndihmë, në rast të shmangies së ndonjë kërcënimi serioz për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, në rast të shmangies së dëmeve serioze në pronën e qytetarëve, nëse ka ndonjë person që duhet të ndalohet ose sillet me forcë me urdhër gjykate, për privimin e lirisë së dikujt që kapet duke kryer një vepër penale e cila ndiqet penalisht sipas detyrës zyrtare dhe mund të hyjë në ndonjë vend ku është kryer ndonjë krim, me qëllim për të inspektuar. Në disa prej këtyre rasteve, zyrtarët policor kur ndërmarrin aksion duhet të veprojnë në përputhje me Ligjin për procedurë penale.

Me siguri se lexuesit nuk i ka ikur pjesa që ndoshta do të duket kontestuese në raport me shkrimin, ndërhyrja e policisë pa urdhër në rast të shmangies së ndonjë kërcënimi serioz për jetën dhe shëndetin e qytetarëve’. Por ky lloj përjashtimi nuk i referohet kësaj situate, sepse policia nuk mund ta mbrojë qytetarin nga diçka e padukshme, përveç se të kontrollojë personat e izoluar dhe vetë-izoluar, personat që grupohen, të cilët mund të paraqesin kërcënim për shëndetin e të tjerëve dhe kjo tashmë po zbatohet nga zyrtarët policor. Por policia nuk mund dhe nuk ka të drejtë, përveç për këto arsye të zhvillojë kontrolle nëpër shtëpi private.

Sipas Kodit Etik të Gazetarëve, gazetari duhet të publikojë demantin kur informacioni rezulton i pasaktë, gjë që nuk e kanë bërë shumë media në fjalë.

“Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës”- neni 3 i Kodit Etik.

Në gjithë këtë zinxhir (dez)informatash janë përdorur manipulimi i Thirrjes së mundësisë, kur autori i artikullit ka pretenduar se fakti që ka numër të lartë të të infektuarve  me siguri ekziston mundësia që të ketë kontrollë policore edhe në shtëpi private. Thirrja në autoritet nga ana tjetër jo plotësisht pa të drejtë  është interpretuar si i vërtetë, sepse në fund të fundit është përcjellë nga një njeri kompetent, por do të ishte më e udhës që gazetari të kërkojë informacione shtesë për mundësinë e zhvillimit të një aksioni të tillë. Detajet janë çelësi i paqartësive dhe kureshtja për të njejtat në këso rastesh nuk duhet t’iu mungojë gazetarëve.

Lexuesi i sotëm ka mundësi të panumërta për të verifikuar lajmet e tilla. Çdo gjë që dikur duhej ta kërkoje të shtypur, sot e gjen onlajn dhe pothuajse falas. Prandaj qytetarët në raste të tilla mund të lexojnë dhe kuptojnë të drejtat dhe obligimet e tyre, pas çka nuk do të mund t’i cenohen, sepse do të dijë çfarë është e drejtë dhe çfarë obligim, ku fillon dhe ku përfundon liria e tij dhe ngjashëm.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button