Zaev reagoi ndaj porosisë së Ahmetit për kryeministër shqiptar: Unë do të jem kandidat

Lideri i LSDM-s, Zoran Zaev, ka reaguar ndaj porosisë që ka dërguar sot kryetari i BDI-s, Ali Ahmeti, sipas të cilit, ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut të ketë kryeministër shqiptar, njofton Portalb.mk.

Zaev ka thënë se në vendin tonë, mandatar për kryeministër mund të jetë çdokush që do të sigurojë mbështetje nga më së paku 61 deputetë dhe nëse BDI ka një kusht të tillë për koalicion, atëherë nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme.

Zaev ka shkruar në profilin e tij në Facebook se, sipas Kushtetutës, deputetët në Kuvend zgjedhën sipas vullnetit të qytetarëve dhe jo sipas përkatësisë etnike të njërit apo tjetrit kandidat.

“Është e saktë se, qytetarët e shoqërisë sonë, çdo ditë e më shumë i tejkalojnë barrierat etnike, por më e rëndësishme nga kjo është që gjatë zgjedhjes ata udhëhiqen para së gjithash, nga cilësitë e kandidatit dhe veçanërisht nga raporti i tyre drejt qytetarëve, nga përkushtimi nga shoqërisë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve dhe shtetit, si dhe shembulli personal që kandidate e lë si përshtypje para qytetarëve”, ka thënë Zaev.

Zaev ka shtuar se, nëse LSDM fiton zgjedhjet, ai është kandidati për kryeministër.

“Nëse BDI ka një kusht të këtillë për koalicion për Qeveri, atëherë BDI nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme”, ka shkruar Zaev në Facebook.

Sot partia Bashkimi Demokratik për Integrim shënon 18 vjetorin e themelimit. Me këtë rast, lideri i saj, Ali Ahmeti ka dërguar disa porosi, mes tjerash ku kërkon dhe kryeministër shqiptar për Maqedoninë e Veriut

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button