Zhbogar: Politikanët të vendosin për datën e zgjedhjeve sa më shpejtë të jetë e mundur

Euroambasadori, Samuel Zhbogar, sot pas prezantimit të donacionit të BE-së për t’u ballafaquar me Kovid-19, duke u përgjigjur në pyetjet politike të gazetarëve, tha se, situata në të cilën ndodhet vendi, pa Kuvend dhe me qeveri me kompetenca të kufizuara, nuk është e qëndrueshme, njofton Portalb.mk.

Ai tha se “nuk na takon neve t’ju themi se kur do të mbahen zgjedhjet në vendin tuaj”, dhe porositi se, vendimi për zgjedhjet varet nga politikanët e vendit dhe ata duhet ta bëjnë atë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që qytetarët të kenë njëfarë orientimi për atë që do të pasojë.

“Nga ana ime shoh dy situata, nga njëra anë, një situatë në të cilën nuk keni Parlament, keni një qeveri teknike me kompetenca të kufizuara, gjithashtu keni gjendje të jashtëzakonshme që nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Pra, kjo nuk është një situatë e qëndrueshme, sidomos sot kur kemi të ballafaqohemi me krizën e koronës, kur keni nevojë për institucione që të ballafaqohen me situatën. Nga ana tjetër, ju keni një situatë kur rastet e Kovidit janë në rritje dhe shpresoj që ajo që tha ministri Filipce se deri në fund të kësaj jave do të shohim një realitet të ri, dhe kjo do të thotë të kemi një ulje të numrit të të infektuarve”, tha Zbogar.

Vlerësoi që politikanët duhet të arrijnë një ekuilibër për sa i përket zgjedhjeve.

“Ne duhet të themi se sa i përket zgjedhjeve, nuk ka asnjëherë kohë të duhur, e as moment të duhur. Sidoqoftë, duke e pasur parasysh situatën aktuale me koronavirusin, nuk mendoj se është aq e vështirë të bëhet zgjedhja e duhur. Sepse mendoj se situata nuk do të përmirësohet deri në fund të vitit, siç tha Filipce, virusi nuk do të zhduket, por do të jetë këtu dhe të gjithë do të duhet të jetojmë me atë realitet”, tha Zbogar.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut ishin paraparë të mbahen më 12 prill, por u prolonguan për shkak të epidemisë së koronavirurit. Partitë politike akoma nuk kanë gjetur kompromis për ricaktim të datës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button