Mësimi-online në Maqedoninë e Veriut “larg nga idealja”

“Larg nga idealja” kështu nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme e vlerësojnë procesin e mbajtjes së mësimit online në RMV. Pabarazi, testim jo-fer, mungesë e njohurive digjitale nga mësimdhënësit dhe ngarkesa psikologjike te nxënësit janë vetëm disa nga vërejtjet të cilat shihen në raportin e UNSHM-së, shkruan Portalb.mk.

Menjëherë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme Republikën e Maqedonisë së Veriut, Portalb informoi për nevojën e mbajtjes së mësimit online, në shkurt të këtij viti nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës na thanë se po përgatiteshin për “opsionet, përvojat më të mira” për këtë.

Kurse nga data 11 mars procesi arsimor në vendin tonë është zhvilluar online, për mënyrën dhe kushtet se si kjo e fundit është realizuar, biseduam me Blendi Hodain, i cili paraprakisht kishte publikuar një raport me vërejtje dhe rekomandime drejtuar ministrisë së Arsimit.

Blendi Hodai
Blendi Hodai

Sipas tij, dallimi mes shkollave private dhe publike në këtë aspekt ka qenë jashtëzakonisht i madh, ai thotë se shkollat private paraprakisht vetëm se kishin platforma për mbajtjen e mësimit online, ndërsa të njëjtat nuk përdoreshin nga shkollat e mesme publike në vend.

Hodai gjithashtu potencoi nevojën e krijimit të një platforme unikate shtetërore për E-Arsimin, ku të gjithë mësimdhënësit në vend do ta përdornin të njëjtën platforme e kështu nuk do të krijonin një huti te nxënësit.

“Nuk ka platformë unikate shtetërore për E-Arsimim dhe shumë mësimdhënës përdorin më shumë platforma, që mund të hutojë nxënësit” tha Blendi Hodai.

Si pika të rëndësishme në këtë raport ishte edhe pjesa ku theksohet mungesa e trajnimit te mësimdhënësve, hulumtimet e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme tregojnë se autoritet arsimore nuk investojnë në trajnimin e mësimdhënësve për zhvillimin e aftësive digjitale te ata.

Përveç kësaj, duke analizuar statistikat e rasteve të vetvrasjeve në shtetin tonë fqinj, Republikën e Kosovës, nga kjo organizatë erdhën në përfundim se Qeveria e RMV-së gjithashtu nuk merr në konsideratë ndikimin psikologjik të kësaj krize tek mësimdhënësit, nxënësit dhe familjarët e tyre.

“Qeveria jonë nuk merr në konsideratë ndikimin psikologjik të kësaj krize tek mësimdhënësit, nxënësit dhe familjet e tyre, veçanërisht limitimet e shërbimeve për shëndet mendor që rrjedhojnë nga masat e distancimit shoqëror. Ka shumë pasiguri dhe mungesë informacioni, gjë e cila shkakton që nxënësit e shkollave të mesme të ndjehen nën stres apo ankth të madh. Për shembull, që nga fillimi i masave te distancimit shoqërorë në shtetin tonë fqinj Republikën e Kosovës, ka pasur disa raste vetëvrasjeje nga nxënës dhe student” shtoi Blendi Hodai.

Portalb ua sjell disa nga rekomandimet dhe vërrejtjet e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme drejtuar ministrisë së Arsimit, të cilën e dorëzuan sot.

  • Arsimi duhet të qëndrojë në sektorin publik dhe të jetë i pavarur, domethënë çdo lloj monopoli të ndonjë platforme private online për mësimdhënie dhe notim duhet të shmanget.
  • Gjatë zgjedhjes së platformës online, autoritetet arsimore në vend duhet t’i kushtojnë rëndësi më të madhe nxënësve me nevoja të veçanta dhe të sigurojnë alternativa gjithëpërfshirëse të mësimit.
  • Nxënësit që nuk kanë qasje në pajisjet e nevojshme apo në internet duhet të mbështeten me masa konkrete që ata të përfshihen në procesin arsimor.
  • Ministra e Arsimit dhe Shkencës duhet t’u jap shkollave udhëzime të qarta rreth përmbajtjes që duhet të jepet në mësim online dhe se si të kryejnë vlerësimet me qëllim që së paku të arrihet një nivel standardizimi nacional dhe të ulen pabarazitë që momentalisht janë prezente.
  • Investimet nga institucionet arsimore duhet të rriten për të akomoduar të gjithë mësimdhënësit në rrethana të reja të mësimdhënies.
  • Autoritetet arsimore duhet të sigurojnë platformë për bashkëpunim mes nxënësve dhe mësimdhënësve me qëllim që të mbajnë gjallë aspektin shoqëror të arsimit.
  • Çdo ndryshim i obligueshëm në metodat e vlerësimit duhet të konsiderohen si rritje e vështirësisë në anën e nxënësve dhe nxënësit nuk duhet penalizuar asnjëherë për shkak të vështirësive së adaptimit që ata mund të kenë.
  • Asnjë vendim për të ardhmen tonë nuk guxon të merret në mënyrë efektive pa përfshirjen e nxënësve dhe studentëve.
  • Republika e Maqedonisë së Veriut e ka të domosdoshme të fillojë të ri-shqyrtojë sistemin arsimor dhe të përqendrohet plotësisht në formulimin e një vizioni të ri arsimor në kohë të pashmangshme krize apo emergjence. Kjo ka peshë të madhe, pasi që nga autoritetet përkatëse parashikohet një valë e re pandemie në fillim të vjeshtës.

Ndërkaq, nga kjo organizate shtojnë se kriza e tanishme tregon se institucionet arsimore në vend nuk janë të gatshme për mësim nga shtëpia. Kjo krizë sipas tyre shërben si mundësi për të analizuar modelet tona të arsimit e të kërkojmë metoda të reja inovative të mësimdhënies, hap dyert për të reflektuar dhe për të përmirësuar mësimin nga shtëpia, respektivisht nga distanca që të jetë më efektive në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button