fbpx

Debati për privatësinë dhe ‘dhomën e përgjimeve’

Akuza për cenim të privatësisë janë bërë në drejtim të tre anëtarëve të Qeverisë Kurti nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Të njëjtat akuza në drejtim të kabinetit të Kurtit i ka bërë edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila udhëhiqej njëkohë nga Hashim Thaçi.

Presidenti Hashim Thaçit dy ditë më parë tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti, zëvendësi i tij Haki Abazi e ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës, në kundërshtim me ligjin.

“Vizita e z.Kurti, ministrit Sveçla dhe zëvendëskryeministrit Haki Abazi në dhomën e përgjimeve ditë më parë në PTK është shqetësuese, është shkelje flagrante e ligjeve. Në atë dhomë të përgjimeve mund të futet vetëm kryeprokurori apo zyrtarët e autorizuar nga prokurori apo gjykata. Pse ky grupi ka shku në dhomën e përgjimeve dhe cili do të jetë pozicioni i kundërshtarëve të tyre”, është shprehur Thaçi në një intervistë dhënë për TV Dukagjinin.

Thaçi ka deklaruar se Kurti, Abazi e Sveçla e kanë ndalur kamerën dhe janë futur brenda për 3 ditë rresht.Kurse, kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka quajtur gënjeshtra dhe shpifje deklarimet e presidentit.

“Problemi me kundërshtarët është që nuk mund të gënjejnë vetëm një herë, ato janë shpifje. Duket që protagonistëve të aferës Pronto ju ka ngelur mendja te përgjimet atëherë kur e ushtronin italishtën e mafiozëve. Të mos humbim kohë sepse dëshirat po i përshkruajnë si fakte, ata kanë dëshirë të hynë në dhomën e përgjimeve”, tha Kurti sot para gazetarëve.

Zëvendëskryeministri Haki Abazi, në një postim në “Facebook” ka shkruar se Hashim Thaçi është gënjeshtar.Ndërkaq, Prokuroria e Shtetit ka filluar që të grumbullojë informacione në lidhje me akuzat e Presidentit Hashim Thaçi, se udhëheqësit qeveritar kanë ndërhyrë jashtëligjshëm në këto informacione.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka nisur grumbullimi i informatave.Pak orë më vonë, kryeministri në detyrë vazhdoi përplasjen verbale me kryetarin e shtetit, duke e quajtur “president helaq” në një publikim në profilin e tij në rrjetin social ‘Facebook’.

“Regjimi i vjetër po shpurdh nëpër studiot televizive. Ata refuzojnë ta kuptojnë se koha e tyre ka mbaruar. Po orvaten të rikthehen, përmes trysnisë mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Sa herë që ne ua godasim korrupsionin, ata piskasin “Amelika, Amelika! Gleneli, Gleneli!”. Duan ta dëmtojnë imazhin e ShBA-ve në Kosovë, ta keqpërdorin atë si strehë për ultësinë e tyre. Një popull nuk iu nënshtrua një njeriu. Dhe, e bëri ndryshimin me 6 tetor. As qeveria në detyrë nuk i nënshtrohet këtij Presidenti helaq. Ditët në vijim përcaktojnë dekadën e tretë të shekullit XXI. Në cilën anë je ti?”, shkroi Kurti.

Në orët e pasditës të së enjtes, në krah të presidentit doli edhe Partia Demokratike e Kosovës, parti të cilën e kishte udhëhequr Thaçi, deri para se të bëhej president.

Deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, në një konferencë për media ka thënë se “të dhënat e mbi 1 milion qytetarëve të Kosovës dhe komunikimet e tyre 20 vjeçare janë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila tani e tutje do të shantazhojë secilën familje kosovare dhe qytetar të këtij vendi”.Sejdi Hoxha deri në tetor të vitit 2019, ka qenë drejtor ekzekutiv i Postës së Kosovës, ku më pas dha dorëheqje nga kjo pozitë.

KALLXO.com kishte raportuar se Sejdi Hoxha në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike kishte mbajtur dy pozita, atë në Postën e Kosovës dhe kryetarit të degës së PDK-së në Drenas.

PDK-ja i ka bërë thirrje Prokurorisë të veproj menjëherë me hetime dhe që “organet e drejtësisë t’i arrestojnë të gjithë zyrtarët e lartë në Telekom që lejuan këtë vizitë të paligjshme të zyrtarëve të lartë të qeverisë në këtë dhomë”.

Avokati Arianit Koci, në një postim në Facebook, ka dhënë disa sqarime sa i përket dhomës së përgjimeve ligjore.Ai ka thënë se kjo dhomë përveç kamerave në hyrje, çdo hyrje-dalje në objekt regjistrohet nëpërmjet kartelave. Më tej Koci sjhtpm se numri i personave që mund të hyjnë në këtë pjesë është i limituar dhe se nuk ka gjasa që të nxjerrën shënime pa lënë gjurmë. Ai madje ka sqaruar se operatorëve të rrjetit dhe ofruesve të shërbimeve nuk u lejohet t’i ruajnë Meta Datat (bisedat, mesazhet etj.) për një periudhë më shumë se nëntë (9) muaj kalendarik.

Lidhur me këto zhvillime, kryeshefja e Telekomit Burbuqe Hana në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) ka konfirmuar një takim me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Në fillim të muajit ne kemi pasur shkëputje të linjave në stacionet tona bazë. Domethënë kanë prek në asetin e Telekomit”, është shprehur ajo.

Hana ka thënë se është takuar me ministrin në objektin e Telekomit, por nuk ka treguar nëse kanë pas qasje në dhomën e përgjimeve apo jo.

Burimi: VERTETMATES

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button