Poeti dhe gjethet e verdha

Poetët e lashtë të Lindjes, ashtu si rapsodët tanë apo si aedi i verbër i quajtur Homer, udhëtonin prej një vendi në tjetrin dhe i recitonin poezitë e tyre nën shoqërimin e muzikës. Mbase poetët dukeshin si të krisur (siç janë dukur përherë në sytë e turmës), por ata jetonin me poezinë dhe këngën, kishin kuptim tjetër për jetën apo pasurinë. Botës ata i falnin diçka të përjetshme – poezinë.

Për jetën e tyre zakonisht ka pak të dhëna dhe shumë legjenda. Jeta e tyre ishte këngë.

Më ka pëlqyer poezia e tyre pa sforcime, që rrezaton dashuri për Zotin dhe për Njeriun. Ka në atë poezi ndjenjë, urtësi, humanizëm.

Njëri prej tyre flet me gjethin e verdhë, që “nënë e baba e ka dheun dhe vëlla e motër i ka degët”. Gjethi i zverdhur, që shkon drejt përqafimit të vdekjes, e njeh poetin, i cili beson se është i amshuar. Quhet Junus Emre (1238-1320). Është poet turk, adhurues i Rumit të famshëm. Njerëzimit i ka lënë si trashëgim një krijimtari që rrezaton humanizëm të pashoq. Lavdia e tij shkoi aq larg sa pas vdekjes u vlerësua si shenjt. Viti 1991 u shpall nga UNESCO-ja si “Viti ndërkombëtar Yunus Emre”.

Edhe për jetën e Emresë ka shumë legjenda dhe pak fakte. Dimë se kishte lindur në një fshat të Anadollit; se krijimtaria e tij ndikoi në letërsinë turke dhe jo vetëm; se ishte bashkëkohës i Rumit (1207 – 1273), madje, sipas një legjende, ishin takuar njëherë të vetme. Dimë se ka shkruar mijëra vargje në forma të ndryshme: ilahi, kaside e gazele, që janë përkthyer në disa gjuhë të botës.

Poeti Emre ka shkruar për dashurinë mistike, për Zotin, për Njeriun, të vërtetën, të fismen, humanen. Ka përdorur figurat letrare të zakonshme për letërsinë e kohës, por duke u dhënë shkëlqim të ri.

Ai besonte se poeti duhej ta thoshte vetëm të vërtetën; se “fjala e vërtetë është fryt i heshtjes”, kurse “prej fjalëve të tepërta zemra rëndohet, tymoset dhe mjegullohet”.

Emre është poet i çmuar në Lindje dhe në Perëndim. Ai çmohet për poezinë, por edhe për humanizmin e thellë që e rrezaton vepra e tij.

Poeti besonte se kishte ardhur në këtë botë për të dashur dhe për të dashuruar. Për të njeriu pa dashuri i përngjet pemës së tharë.

“Nuk kam ardhur në botë për luftëra dhe urrejtje. Dashuria është thirrja e jetës sime…”

Për poetin të gjithë njerëzit janë të vlefshëm, sepse janë krijesa të Zotit.

“Për ata që vërtetë e duan Zotin dhe udhët e Tij të gjithë njerëzit e botës janë vëllezër dhe motra”… “Eja, së paku sall njëherë, që të jemi vëllezër, jetën ta bëjmë më të lehtë; të duhemi dhe të na duan, sepse bota s’do t’i mbetet asnjërit prej nesh.”

Ai shpreh tolerancë mahnitëse ndërfetare.

“Asnjë fe nuk i kundërvihet tonës; dashuria e vërtetë lind kur gjithë fetë bashkohen”.

Bashkohen në dashuri e mirëkuptim.

Poeti është i bindur në vlerën e veprës së tij.

“Mos iu frikëso vdekjes, jeta yte është e amshuar”… “Vdekja është për egërsirat, jo për poetët”.

Ai shpreh dashuri të thellë për Zotin dhe për Njeriun.

“Të dua nga thellësia e shpirtit tim… Ti je më afër se sa jemi afër vetes… Të dua dhe dora e vdekjes kurrë s’do më prek”.

Vepra e Emresë, që na bën ftesë për ta njohur dhe zbuluar vetveten, zemrën dhe shpirtin, ka mbetur e padëmtuar nga tirania e kohës. Ajo nuk është prekur nga dora e vdekjes. Kjo vepër e përjetshme na fton të duam dhe të mos u ngjajmë egërsirave të përkohshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button