fbpx

Robert De Niro, gangsteri i shndërruar në aktor filmi të suksesshëm

Aktori i shpërblyer me “Oscar”, Robert De Niro, gjatë karrierës së tij ka luajtur në filma të mëdhenj të Hollywoodit, si: “Taxi Driver”, “The Godfather: Part II”, “Raging Bull”, “Awakenings” dhe “The Intern”.

Robert Anthony De Niro Jr. u lind më 17 gusht të vitit 1943 në New York City. Prindërit e tij ishin artistë të respektuar nga komuniteti dhe njiheshin si çifti i artë në rrethin artistik të New Yorkut. Por pavarësisht kësaj, ata kishin përfunduar duke u ndarë në vitin 1945, me ç’rast babai i aktorit e vazhdoi karrierën e tij artistike, ndërsa e ëma, e cila përkujdesej për De Niron, u detyrua ta lërë anash artin dhe t’i bëjë dy punë në mënyrë që ta rrisë djalin e saj e vetme.

Duke qenë një fëmijë energjik dhe i zgjuar, De Niro qysh në moshë të hershme e kishte zhvilluar pasionin për filmin. Ai madje kishte ndjekur kurse për aktrim. Në moshën vetëm 10-vjeçare, aktori e shënoi paraqitjen e parë në skenë me shfaqjen “The Wizard of Oz”. Pak kohë pas kësaj, ai u pranua në shkollën prestigjioze të New Yorkut, “High School of Music and Art”, institut ky i specializuar në artet vizuale dhe performuese. Por duke qenë se nuk po përshtatej mirë në këtë shkollë, për shkak të atmosferës së tensionuar dhe konkurruese, ai u largua nga atje për t’i ndjekur mësimet në një shkollë publike.

Megjithatë, aktori duket se nuk e gjeti veten te shkolla dhe mësimet, dhe kështu përfundoi duke iu bashkuar një grupi gangsterësh italianë në New York, prej ku edhe e mori nofkën “Bobby Milk”. Edhe pse De Niro nuk ishte një gangster shumë problematik, megjithatë shoqëria me gangsterët e tjerë e kishin pajisur atë me aftësitë e jashtëzakonshme për t’i portretizuar mafiozët italianë në filma, transmeton Koha.

Në vitet ’60, pas një vizite te disa familjarë në Kaliforni, De Niro vendosi të largohet nga shkolla e mesme dhe të fillojë të studiojë për aktrim. Ai u regjistrua në kursin “Stella Adler Conservatory”, ku mësoi gjithçka rreth aktrimit nga ligjëruesja e njohur me emrin, Adler. Ajo njihej si një person me fjalorë të ashpër, karakter të rreptë, por që rrallëherë edhe i komplimentonte studentët e saj. Adler, e cila ishte përgjegjëse për formimin e aktorëve të njohur, si Marlon Brando dhe Rod Steiger, më vonë e kujtoi De Niron si një prej studentëve të saj më të mirë. Nga këtu, aktori tashmë i shkolluar për këtë profesion, kishte filluar të merrte pjesë në çdo audicion të hapur, duke u munduar vazhdimisht ta tregojë talentin e tij dhe përkushtimin për aktrimin. Debutimin e parë në film e shënoi në vitin 1968 me një rol në filmin “Greetings”. Por, sukseset e para i shijoi tek pas pesë vjetëve, duke luajtur në dy filma të njohur, “Bang the Drum Slowly” dhe “Mean Streets”, që e shënoi edhe bashkëpunimin e tij të parë me regjisorin Martin Scorsese.

Në vitin 1974, De Niro e fitoi reputacionin e një prej aktorëve më të mirë të vendit, me portretizimin e Vito Corleones në filmin “The Godfather: Part II”, i cili edhe ia fitoi shpërblimin e parë “Oscar”. Dy vjet më vonë, aktori e solli një prej performancave më rrëqethëse dhe të veçanta të karrierës së tij, duke e portretizuar taksistin Travis Bickle në filmin “Taxi Driver”, dhe ku luajti krahas aktores Jodie Forter. Ai e vazhdoi angazhimin në filma më seriozë duke luajtur në filmin e vitit 1978, “The Deer Hunter”. Nga këtu karriera e tij eci me hapa të mirë dhe të sigurt, duke iu ofruar role në filma të mëdhenj të Hollywoodit. Ndër projektet më të njohura kinematografike të aktorit gjatë viteve ‘80 ishin: “Raging Bull”, për të cilin e fitoi një shpërblim “Oscar” si aktori më i mirë, “True Confessions”, “The King of Comedy”, “Once Upon a Time in America”, “Brazil”, “The Mission”, “The Untouchables”, “Midnight Run” dhe të tjerë.

Vitet ’90, De Niro i filloi me bashkëpunimin e radhës me regjisorin e famshëm Scorsese, duke luajtur edhe në një film me gangster, “Goodfellas”, krahas aktorëve Ray Liotta dhe Joe Pesci. Ky projekt u mirëprit nga fansat dhe kritikët e filmit në përgjithësi. Tutje, ai vazhdoi të punojë në disa filma të tjerë të rëndësishëm për karrierën e tij, si: “Awakenings”, “Guilty by Suspicion”, “Backdraft”, “Cape Fear”, “Fear”, “Night and the City”, “Mad Dog and Glory”, “This Boy’s Life”, “Casino”, “Heat” dhe “Analyze This”.

Gjatë viteve 2000, De Niro pranoi role pak më dytësore në filma të zhanreve komedi dhe dramë, por megjithatë ishin projekte të suksesshme në arkat filmike. Ndër ta janë: “Meet the Parents”, “Meet the Fockers”, “Little Fockers”, “Analyze That”, “The Good Shepherd”, “Stardust”, “Everybody’s Fine”, “Silver Linings Playbook”, “The Big Wedding” “Killing Season”, “Last Vegas”, “The Intern”, “Hands of Stone” dhe të tjerë.

Në vitin 2017, De Niro e mori përsipër rolin e Bernie Madoffit në filmin e kanalit HBO, “The Wizard of Lies”. Aktori bashkë me kolegen e tij në film, Michelle Pfeiffer e fituan nga një nominim për çmimin “Globi i Artë”, për performancat e shkëlqyera në këtë film biografik. Në vitin 2019, ai u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood, e luajti një rol dytësor në filmin e suksesshëm dhe shumëshpërblyer “Joker”, si dhe aktroi krahas shokëve të tij, Al Pacioni dhe Joe Pesci, në filmin e fundit të Martin Scroseses, “The Irishman”.

Gjatë karrierës gjysmëshekullore në kinematografi, De Niro ka arritur të pranojë shpërblime të shumta, kryesisht si aktor protagonist, por edhe çmime për arritje jetësore. Ai i ka fituar dy shpërblime akademike, disa çmime për arritje jetësore, dhe në vitin 2016, aktori e pranoi “Medaljen Presidenciale për Liri” nga presidenti i asaj kohe, Barack Obama, duke e nderuar kontributin e tij në botën e artit. Përveç si aktor, De Niro shquhet edhe për përkushtimin e tij politik ndaj Partisë Demokratike. Ai është një prej aktorëve më kritikë dhe më kundërshtues të politikave të presidentit aktual, Donald Trump, me të cilin shpeshherë edhe kanë shkëmbyer fjalë ofenduese në rrjetet sociale apo nëpër fjalime të ndryshme.

Sa i takon jetës private, nuk është se aktori ka qenë shumë i ekspozuar në syrin e publikut. Në vitin 1976, De Niro u martua me aktoren Diahnne Abbott. Çifti e solli në jetë një djalë së bashku, para se të shkurorëzoheshin në vitin 1988 pas 12 vjetësh martesë. Më pas aktori e pati një lidhje të gjatë romantike me modelen Toukie Smith, me të cilën po ashtu i ka dy djem binjakë. Në vitin 1997, De Niro u martua me Grace Hightower-in, me të cilën e ka një djalë të katërt. Ndërsa në nëntor të vitit 2018, çifti e bëri të ditur lajmin se është shkurorëzuar.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close