Zyra e kryeministrit Kurti: Gjykata Kushtetuese bie në kundërshtim me vetveten

Gjykata Kushtetuese nuk ka paraqitur përmbajtjen e saktë të punës së Komisionit Kushtetues. Kështu thuhet në një komunikatë të Zyrës për Komunikim Publik të kryeministrit të Kosovës. Zyra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, vlerëson se Gjykata ka paraqitur në mënyrë të shtrembëruar faktet rreth shpërndarjes automatike të Kuvendit pas mocioneve të mosbesimit në vitet 2010 dhe 2017, transmeton Koha.net.

Gjykata Kushtetuese të hënën ka publikuar Aktgjykimin e plotë. Në komunikatë thuhet se edhe Zyra e Kryeministrit ka pasur në posedim një kopje të dokumenteve përgatitore të Kushtetutës.

“Gjykata po ashtu ju referohet opinioneve të Komisionit të Venedikut përkitazi me rregullimet kushtetuese të shteteve tjera. Këto rregullime kushtetuese dallojnë thelbësisht nga rendi kushtetues i Kosovës dhe si të tilla nuk kanë asnjë relevancë për çështjen në shqyrtim. Sistemi kushtetues i Kosovës nuk ka ngjashmëri as me Moldavinë dhe as me Turqinë, e aq më pak me Mbretërinë e Bashkuar e cila ka një sistem rregullativ që bie në të drejtën zakonore”, thuhet në komunikatë.

“Gjykata po ashtu shtrembëron përmbajtjen e Aktgjykimit KO 103/14, në të cilin shprehimisht është theksuar nga Gjykata se Presidenti konsultohet vetëm me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën, qoftë relative apo absolute. Ndërkaq ajo që Gjykata thotë tani është se në frymën e atij aktgjykimi Presidenti nuk është i detyruar të konsultojë vetëm partinë e parë”.

Zyra e kryeministrit vlerëson se Gjykata është kundërthënëse edhe në dispozitivin e saj, pos në lidhje me arsyetimin e neneve të Kushtetutës, procedurës së ndjekur nga Presidenti dhe kompetencave të tij në këtë fazë.

Vendimi është vlerësuar i papranueshëm.

“Përderisa në arsyetimin e aktgjykimit (tek përfundimet) ajo thekson se gjyqtarët me shumicë kanë votuar për përputhshmërinë e dekretit të Presidentit me ‘… paragrafin 4 të neni 95 të Kushtetutës’, në dispozitivin e aktgjykimit është fshirë paragrafi 4. Ky nuk mund të jetë një lëshim teknik apo riformulim gjuhësor, por është paraqitje kundërthënëse e vendimit që kanë marrë gjyqtarët. Ata ose kanë votuar për nenin 95 të Kushtetutës në tërësinë e tij ose për paragrafin 4 të nenit 95. Këshilltarët tanë ligjorë bashkë me ekspertë të fushës janë duke përgatitur një analizë të detajuar në lidhje me komplet aktgjykimin. Kjo analizë do të publikohet vetëm për të sqaruar absurditetin e këtij vendimi të cilin nuk mund ta pranojmë. Kjo ka qenë një çështje kushtetuese tepër e thjeshtë. As 162 mijë faqe interpretimesh të shpikura, lëre më 162 faqe, nuk mund ta fshehin këtë fakt”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button