Tetovë, me anulimin e zgjedhjeve të prillit, u anuluan edhe punimet për bulevardin industrial (FOTO)

U përuruan punimet 1 muaj pasi u shpallën zgjedhjet e prillit, me anulimin e zgjedhjeve u anuluan edhe punët për ndërtimin e bulevardit “Vidoe Smilevski-Bato”, ky bulevard po e merr fatin e bulevardit “Bllagoja Toska” dhe është shndërruar në parking. Komuna fajëson pandeminë me virusin korona, ndërkaq kjo e fundit në asnjë moment nuk ka ndaluar punëtorët të shkojnë në vendin e punës, shkruan Portalb.mk.

Në maj të vitit të kaluar pas një debati të ashpër nga Këshilli i Komunës së Tetovës, u vendos që komuna të kërkoje një shumë prej 60,640,956.97 denarë, apo 1 milion euro për ndërtimin e këtij bulevardi.

Tre muaj më vonë, nga kjo komunë njoftuan se paratë për ndërtimin e bulevardit V.S Bato janë siguruar dhe se punimet do të fillojnë së shpejti.

“Ky Projekt është me prioritet për Komunën e Tetovës, bulevardi që planifikohet të ndërtohet është i përfshirë në Planin gjeneral urbanistik dhe Planin detal urbanistik, si dhe në Strategjinë për zhvillim ekonomik lokal dhe Programin vjetor për trafik, rrugë dhe tokë ndërtimore. Vlera totale e Projektit MSIP është 60,640,956,97 denarë” njoftuan nga Komuna e Tetovës me datë 22,08,2019.

E jo më larg se në shkurt të këtij viti, në këtë vend erdhi zëvendës ministrja e financave Shiret Elezi, kryetarja e Komunës së Tetovës dhe disa funksionar tjerë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për të uruar, siç thane ata, “fillimet e punës për ndërtimin e këtij bulevardi”.

Meqenëse ky përurim u bë pikërisht në kohën kur ishin paraparë zgjedhjet e 12 prillit, gazetari i Portalb.mk pyeti kryetaren Arifi se a ka lidhje koha kur fillojnë ndërtimet me zgjedhjet, e njëjta u përgjigj kështu.

“Në qoftë se do ti njihnit procedurat e aplikimit në Bankën Botërore dhe IPA, atëherë do ta dinit që thirrjet dhe aplikimet sa i përket mjeteve  bëhen vite më pare për shkak të programeve strategjike. Nënshkrimi i kontratës për këtë u bë këtë verë, pas kësaj neve na është lejuar që të hapim procedurat për tenderim. Duhet cekur se këto janë zgjedhje të parakohshme, e jot ë planifikuara” tha Teuta Arifi me datë 13,02,2020.

Zgjedhjet u anuluan, njëkohësisht edhe punët për ndërtimin e bulevardit.

Ndërsa pikërisht sot, që janë anuluar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ende nuk dihet se kur do të jenë zgjedhjet e ardhshme, vizituam vendin ku duhet të kishin filluar punimet nga shkurti, i njëjti ishte shndërruar në parking dhe nuk kishte mjete punuese.

Bulevardi "Vidoe Smilevski-Bato"
Bulevardi “Vidoe Smilevski-Bato”

E fajin për këtë, nga Komuna e Tetovës e adresojnë te virusi korona, sipas tyre, punët nuk kanë vazhduar për shkak se punëtoret nuk kanë mundur të jenë në vendin e punës.

“Pandemia ka bërë që punëtorët e operatorit ekonomik që merret me realizimin e këtij projekti të mos kenë mundësi të jenë në vendin e punës deri në një vendim të ri qeveritar për kthimin e gjendjes normale nga ajo e jashtëzakonshme dhe më pas do të vijojnë punimet jo vetëm tek ky projekt por edhe projektet e tjera të cilat kanë mbetur në gjysmë  thonë nga Komuna e Tetovës.

Bulevardi "Vidoe Smilevski-Bato"
Bulevardi “Vidoe Smilevski-Bato”

Megjithatë, edhe në kohën kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme nga Qeveria e RMV-së njoftuan se kjo nuk do të përbëje problem për kompanitë, punëtorët e të cilëve punojnë në teren, sepse të njëjtit do të mund të pajisen me një leje të veçantë dhe do të mund të punojnë në çdo kohë pa asnjë problem.

Ndryshe, hapja e këtij bulevardi është parashikuar përmes qendrës sportive dhe lidhja e tij me lagjen “Tetovarja”, ky projekt gjithsej ka kushtuar 1 milion euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button