fbpx

Filipçe: Edhe pse rritet numrit i rasteve të reja situata është nën kontroll, në fundjavë do të vendoset a do të rikthejmë masat

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për media, ka deklaruar se edhe krahas rritjes së numrit të rasteve të reja me COVID-19 ditëve të fundit, situata është nën kontroll dhe nuk ka përhapje të pakontrolluar të virusit. Ai tha se, 70% e të infektuarve të ri me koronavirus nga Shkupi, janë nga komuna dhe klastere që tanimë janë të njohura, njofton Portalb.mk.

Ministri i Shëndetësisë, tha se edhe përkrah numrit të madh të rasteve të reja, është shumë i vogël numri i pacientëve që hospitalizohen, pasi numri më i madh i tyre nuk kanë simptoma, apo kanë simptoma të lehta.

Sa i përket të infektuarve në Shtip, ai tha se bëhet fjalë për punëtor të disa konfeksioneve të tekstilit, të cilët kanë udhëtuar me transport të njëjtë.

“Në Saraj veç më ka filluar të ulet numri i të infektuarve. Mbetet Çairi dhe aty punojnë ekipet e shëndetit publik. Më tej, është Studeniçani, ku sot po anketohen njerëz. Në Shtip, të diagnostifikuarit e ri janë nga disa konfeksione. Sot një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor kanë qenë aty dhe është sjellë vendim që të mbyllen pesë konfeksione deri të hënë e ardhshme, ndërsa 600 persona do të testohen në këtë periudhë”, deklaroi Filipçe.

Filipçe tha se po bëhen analiza nëse ka nevojë për vendosjen e karantinës dhe eventualisht orës policore në Çair, Gazi Babë, Saraj, Studeniçan dhe Shtipit me rrethinë, komuna në të cilat ditëve të fundit janë regjistruar më shumë raste të reja.

“Tani për tani nuk do të ketë ndryshim të masave, por kah fundi i javës, kur do t’i kemi rezultatet e 2-3 ditëve të ardhshme, do të flasim për vendosjen e serishme të orës policore lokale, në disa rajone”, deklaroi Filipçe.

Ai po ashtu, ka bërë të ditur se, në fund të javës po ashtu, do të vendoset për hapjen e kufijve dhe çerdheve.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë informoi se në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 7 persona nga virusi korona, ndërkaq nga 727 testet e kryera janë regjistruar 89 raste të reja, 17 të tjerë janë shëruar. Me këtë numri i përgjithshëm i të infektuarve në RMV ka arritur në 2.315, të shëruarve 1.569, të vdekurve 140, ndërkaq momentalisht kemi 606 raste aktive.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close