NDËRGJEGJJA

“Nëse s’ke tru je i djegur, por nëse s’ke ndërgjegjë s’ekziston fare!”

Rumiu

Një prej kategorive morale që gjen vend thuajse në çdo bisedë, në shumë ndërveprime njerëzore, një vlerë që stolis çdo fjalor të etikës dhe filozofisë është ndërgjegjja; një “frymë” kjo që e mban gjallë njerëzillëkun te çdo qenie humane, që e mban në piedestal njeriun, që nëse është e gjallë s’e lë atë të rrokulliset në humnerën e pafundme të pacipësisë, në theqafje të pakthim. Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, “ndërgjegja është ndjenjë vetjake e përgjegjësisë morale për sjelljen e veprimet përpara të tjerëve ose shoqërisë, është vlerësim i brendshëm i sjelljes e i veprimeve në përputhje me kërkesat e shoqërisë; qëndrim i drejtë e i ndershëm në punë a në një veprimtari, që niset nga kjo ndjenjë.”

Ndërgjegjja është një zë i brendshëm që bën gjykime për vendimet dhe veprimet e personit, që i afirmon apo i refuzon të njëjtat, që kërkon përgjegjësi, që akuzon, që e bën njeriun me hak ta ndëshkojë vetveten, që njeriut ia tregon të mirën dhe të keqen. Kjo ndjenjë e padukshme dhe misterioze brenda njeriut, i ndihmon mendjes dhe zemrës që ta gjejë rrugën e drejtë, shprehur me fjalorin e teknologjisë është një navigues në rrugët apo ujërat e pafundme të jetës.

Ndërgjegjja është shkathtësi e gjykimit të vetëvetes, e vetëgjykimit, madje edhe pa të thënë diçka të tjerët, mjedisi, pa veprimin e agjensëve të jashtëm. Është forcë e vetëllogarisë. Është autoriteti i vetëpeshimit, i matjes së veprave vetjake por edhe të të huajave, është sens i empatisë, i bashkëndjesisë. Siç është shprehur shkrimtari i njohur francez Victor Hugot, “është drejtësia më e përsosur”. Sipas Tolstojit “brenda nesh ekziston drita hyjnore, që quhet ndërgjegje”. Mahatma Gandi, themeluesi i Indisë së pavarur një radhë ishte shprehur se “ekziston një gjykatë më e lartë se çdo gjykatë tjetër, ndërgjegjja.”

Ndërgjegja është gradacion i moralit, është ndjenjë e përgjegjësisë, është një mekanizëm i mbjellur te njeriu, një ndjenjë e shenjtë. Janë dy orientues që i bëjnë dritë njeriut në rrugëtimin e tij të jetës, arsyeja dhe ndërgjegjja. Njeriu vendimet i merr duke i matur me peshoren e racios dhe duke i kaluar nëpër filtrin e ndërgjegjes. Ajo ndërlidhet edhe me fenë, sepse feja synon që ta mbajë aktive vazhdimisht ndërgjegjen, të mos e lërë atë të në gjendjen out ose off. Dikush shumë bukur, në mënyrë lakonike ka pohuar se ndërgjegja është Zoti vetë brenda nesh! E nëse pra njeriu sillet në mënyrë të pandërgjegjshme do të thotë se i ka larë duart me të Madhin, se litari hyjnor për të është një gjë e panjohur, i është këputur lidhja me hyjnoren. Këta njerëz e kanë humbur kontrollin, torruan.

A ka edhe njerëz me ndërgjegje të fjetur, të bllokuar apo të vdekur? Po, edhe atë shumë. Njerëz që s’japin pesë pare për norma, rregulla, për turbulenca të brendshme, për syrin kolektiv, për opinionin publik, që shkelin mbi vlerat si të shkelin mbi lloç, pa i vrarë ndërgjegjja, pa iu bërë tër syri. Këta janë kategoria e “të gjallëve të vdekur”. Këta bëhen më të rrezikshëm kur gjejnë pandanët e vet, kur shumohen, kur gjejnë bashkëmendimtarë, kur unifikohen me racën e të pacipëve dhe atëherë gjenerojnë një klimë të tmerrit,  imoralitetit, të kataklizmës, të ferrit qysh në këtë botë. Ky lloj njerëzish të bëjnë ta humbësh optimizmin, besimin për të nesërmen e mirë, krijojnë një re të zezë që shkon duke na pllakosur të gjithëve. Këta janë të pandërgjegjshmit. Te Shakespeare në “Richardi III”  në replikën e mbretit të pashpirt gjejmë edhe këtë fjali: “Ndërgjegjja s’është gjë tjetër pos një fjalëz që të dobëtit e përdorin për t’i trembur të fuqishmit. Ndërgjegjja jonë janë krahët tonë të fuqishëm, kurse ligji ynë janë shpatat!” Ja kjo është kategoria e sociopatëve që faktikisht janë njerëz pa ndërgjegje, që s’ndjejnë empati, faj, frikë, turp gjatë lëndimit të të tjerëve ose shkeljes së nocionit të moralitetit.

Antinomi i kategorie së të pëndërgjegjshmive janë njerëzit me perde, njerëzit e ndërgjegjshëm, që mbajnë nën kontroll egon, egoizmin, agresivitetin, pasionet, të gjitha djallëzitë, lista e të cilave është shumë e gjatë, sepse edhe engjëlli edhe djalli gjenden brenda tek i gjalli (Beqja). Në fakt edhe nuk është aq e lehtë të jesh i ndërgjegjshëm, sepse kërkon luftë me të gjitha fuqitë negative, luftë me vetveten, me forcat që duan të prishin rendin në ne, në botë, në horizont. Ndaç bëru i ndërgjegjshëm ndaç jeto pa të, ndaç engjëll ndaç djall. Për vete e ke! Natyrisht edhe për shoqërinë, por pa ndërgjegje, para së gjithash ia gërryen varrin vetes me duart e tua, varrosesh për së gjalli, vetëvarrosesh. Varrosesh për së pari herë, para së të të varrosë xhemati, shoqnia. Mes tjerash, për të konstatuar nëse një njeri ka ndërgjegje ose jo mund të kuptoni nga sjellja që ka ndaj njerëzve që i ka më poshtë, p.sh. prijësi me vulgun, pronari i restorantit me kamerierin, drejtori me pastruesen, profesori me studentin etj.

Si çdo shoqërie, edhe tonës i duhet profili i njeriut me intuitë të së vërtetës morale objektive. E për të arritur këtë gradë duhet që të funksionojë çdo pore e shoqërisë, nga prindi deri te maja e piramidës, të gjithë duhet të jenë shembëlltyrë në veprimet e veta. Njeri shembullor s’mund të jetë ai që s’gabon dhe që s’pendohet, por ai që shihet në pasqyrë. Sipas Wunenburger, pendimi është variant i brejtjes së ndërgjegjes, por gjithashtu një sintezë e vërtetë e ndjenjave dinamike që pasojnë fajësinë, është një vurrata (shenja) e transformimit shpirtëror, nga një nivel në një tjetër.

Ta përmbyllim: ndërgjegjja si vetëdije (knowledge of yourself), si “dëshmim i zemrës” (A.V.Pasha) është vlerë universale, nuk është në monopolin e asnjë doktrine, ideologjie, kombi apo feje, atë e gjejmë edhe te çdo qenie që ka ruajtur natyrshmërinë të paprishur (fitrah). Ajo s’ka të bëjë fare me nivelin dituror, as me statusin social. Ajo ka një fuqi manjetike që i bën për vete njerëzit, tërheq duartrokitje dhe like, madje edhe lotë. Refleksionet e saj i gjejmë në parahistori, në librat e shenjtë, në aktualitet. Pa kulturë e pa zë të gjallë të ndërgjegjes s’ka as arsim, s’ka jetë e as shoqëri të shëndoshë. Pandërgjegjësia të humb gjithçka, autoritet, post, famë, nam e nishan,  nga njeri me kurorë të bën anonimus, ta bën jetën të hidhur si pelini, të çon të futesh në birucë të miut, të bën të urresh vetveten.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button