BeH, Kryeministri i Federatës Novaliç dhe dy të tjerë të dyshuar për vepra penale

Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH) ka kërkuar masën e paraburgimit për Kryeministrin e Federatës Fadil Novaliç, Drejtorin e Departamentit Federal të Mbrojtjes Civile Fahrudin Solak dhe pronarin e kompanisë “FH Srebrena malina” Fikret Hoxhiç nën dyshimet se kanë kryer disa vepra penale gjatë importit të respiratorëve gjatë pandemisë së koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në seancën dëgjimore, e cila zgjati gati shtatë orë, Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës shpjegoi arsyet e dyshimit dhe kërkesën për paraburgim 30-ditor, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin e të dyshuarve, duke pretenduar se ata janë ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka elemente të veprës penale.

Gjykata e BeH-së vendimin duhet ta sjellë deri të dielën pasdite.

Prokuroria ngrakon Novaliç, Solak dhe Hoxhiç për shoqërim të kryerjes së veprës penale, shpërdorim të detyrës, marrje të shpërblimit për tregti me ndikim, pastrim të parave dhe falsifikim të dokumenteve.

Prokuroria konsideron se duke mbetur në liri, të dyshuarit mund të ndikojnë në prova, te dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët dhe se mund të prishet rendi publik dhe paqja.

Mbrojtja tha se ka kaluar afati për mbajtjen e të dyshuarve pa vendim të Gjykatës dhe se Prokuroria nuk kishte paraqitur provat e nevojshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar.

Seanca dëgjimore filloi të shtunën në ora 20:00 dhe përfundoi të dielën, rreth orës 3:00 të mëngjesit.

Pas marrjes në pyetje, tre të dyshuarit e kaluan natën në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) të enjten, kurse të premten ata u transferuan në ambientet e Prokurorisë së BeH-së.

Zyra e prokurorit të shtetit është duke kryer hetime për prokurimin e 100 respiratorëve nga Kina, të cilat Federata i bleu përmes kompanisë “F. H. Srebrena malina”. Prokuroria më herët deklaroi se raporti i ekspertit vërtetoi se respiratorët e blerë nuk ishin të destinuar për t’u përdorur në kujdesin intensiv, konkretisht për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button