fbpx

Mediat si edukatore e audiencës, rëndësia e kujdesit në mënyrën e përcjelljes së informacionit

Burimi: KriThink

Gazetarët përveç se duhet të jenë roje e pushtetarëve të pa ndershëm, të korruptuar dhe të kriminalizuar, kanë edhe një detyrë shumë të rëndësishme  – edukimin e lexuesve. Mediat duhet të jenë të vëmendshëm për mënyrën e përcjelljes së informacionit dhe ndikimin që ka te marrësi i mesazhit. Duke qenë Maqedonia e Veriut një shoqëri multietnike, mediat duhet të kujdesen shumë që të mos ngjallin urrejtje midis komuniteteve të ndryshme, por edhe ta edukojnë qytetarin ‘rebel’. Me qenë se  revolucioni dixhital dhe interneti, kanë ndryshuar pothuajse gjithçka, audienca është shumë më shumë e kyçur në interaktivitet me mediat edhe reagimi i audiencës është më i zëshëm, më i ndjeshëm se sa dikur, kur mediat tradicionale sundonin me hapësirën mediatike dhe interaktiviteti ishte pothuajse zero. Pra media duke pasur mundësi të kuptojë gabimet e veta nga reagimi i atyre që pranojnë mesazhin, mund ta përdorë këtë në favor për të ndryshuar gabimet e veta.

Shkruan: Naile Dauti    

Jo gjithmonë duhet funksionuar me parimin ‘Lajmet e këqia  janë lajme të mira’

Mediat pothuajse gjithmonë në mënyrën e të bërit lajm funksionojnë mbi parimin ‘bad news are good news’ (lajmet e këqij janë lajme të mirë) ose ‘bad news sells better than good news’ (lajmet e këqija shesin më shumë se sa lajmet e mira). Kjo nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Nëse një media për shembull, plason një rast korrupsioni të ndonjë funksionari, kjo do të ketë  një ndikim te funksionarët tjerë për të mos bërë një veprim të ngjashëm. Lajmet e mira ndërkohë nuk janë surprizë po aq sa lajmet e këqia. Gjithashtu, mungesa e ‘bad newsa-ve’ në një shoqëri si kjo e jona, në fakt do të ishte në të vërtetë lajmi i keq , sepse kjo nënkupton shumë gjëra: mungesë transparence nga institucionet, shantazhe dhe frikë për t’i zbuluar të njejtat, censurë dhe vetëcensurë etj. Pra ky parim në vetvete ka  shumë elementë pozitiv. Por megjithatë, ka disa ngjarje, çështje apo situata të cilat nuk mund dhe etikisht nuk duhet trajtuar mbi këtë parim, sidomos kur ke të bësh me qytetarët. Përgjithësimet janë shumë të rrezikshme, për çka mund të ketë pasoja shumë të mëdha dhe afatgjate. Pra kur gazetari ka të bëjë me mos respektim të ndonjë rregulle nga ana e qytetarëve, do të duhej që të përmendet edhe respekti ndaj po të njëjtës, sidomos kur të parët nuk janë shumica.

Masat qeveritare në kohë pandemie, mediat  dhe qytetarët

Mbi gjashtë muaj e gjithë bota po përballet me pandeminë e koronavirusit. Maqedonia e Veriut, zbatoi disa masa për mbrojtje nga koronavirusi Kovid-19, ndër to edhe vënien e orës policore, gjatë së cilës periudhë qytetarët duhej të qëndronin në shtëpi dhe të mos lëvizin jashtë, përveç atyre që kishin leje të posaçme për lëvizje. Në këtë kontekst, kishte nga të tillë që nuk e respektonin këtë vendim dhe për këtë sigurisht se sanksionoheshin, por edhe ishin cak i mediave. Por ajo që bie në sy gjatë mënyrës së raportimit është përgjithësimi dhe mungesa e sensibilizimit, motivimit dhe edukimit të qytetarëve. Për shembull në një kronikë të Televizionit Alsat, që kishte të bëjë me orën policore thuhej:

“Festën e Fitër Bajramit besimtarët musliman po e festojnë në karantin prej 42 orëve. Nëpër rrugët kryesore në Shkup qarkullojnë vetëm veturat e policisë dhe ata që posedojnë leje për lëvizje. Por kështu nuk ishte nëpër disa lagje të Çairit. Disa metra më larg, disa banorë në këtë mënyrë kishin zgjedhur të kalojnë festën e Bajramit në kohë të karantinës.”

I gjithë teksti vijoi me të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendëshme për personat që nuk respektuan orën policore, masën për izolim dhe vetëizolim.

Po njësoj ndodhi me një lajm të Televizionit 21, cak i së cilit  për mos respektim të orës policore ishin qytetarët e komunës së Çairit.

“Por edhe pse ora policore është shpallur për 42 orë, në disa pjesë të qytetit qytetarët nuk e respektonin kufizimin e lëvizjes. Në Çair edhe pse kishte vazhdimisht patrullë policore, vëreheshin lëvizje. Fëmijët dhe qytetarët e rritur lëviznin lirshëm nëpër rrugë. Gjatë kohës që qëndruam në  rrugën tek Jahja Pasha, aty kishte edhe më shumë lëvizje të veturave. Në rrugë të tjera të qytetit ishte më  qetë. Nuk kishte lëvizje të njerëzve ndërsa automjetet e vetme që mund t’i has kamera e TV21 ishin taksitë, automjetet e ambulancës dhe makinat policore.”, thuhej në tekstin e kësaj medie.

Një komunë me mbi gjashtëdhjetë mijë banor, nuk e përfaqësojnë, po edhe 1000 banorë qofshin ata që nuk e respektojnë orën policore, sepse pjesa tjetër janë pesëdhjetë e nëntë mijë të tjerë që e respektojnë këtë masë dhe po ky numër duhet të lavdërohet nga mediat për vigjilencën dhe kujdesin e tyre për veten dhe rrethin.

Këto dy raportime ngjallën revoltën e qytetarëve të kësaj komune nëpër rrjetet sociale, sipas të cilëve mediat ‘monitorojnë’ vetëm lagje të banuara me shqiptar, jo të tjera në të cilat banojnë qytetarë të etnive tjera. Kjo pastaj pasoi me nxjerrjen e fotografive dhe lajmeve nga qytetarë, më pas të shpërndarë edhe nga  disa media onlajn, se edhe në komunat të banuara me maqedonas ka të tilla shkelje. Ky rast është vetëm një dëshmi se si mediat të cilat me mos kujdesin e tyre mund të ngjallin përçarje midis qytetarëve të etnive e komuniteteve të ndryshme. Edhe pse qëllimi i këtyre mediave mund të mos ketë qenë ai që kuptuan qytetarët,  por qëllim në vetvete i mediave duhet të jetë kujdesi dhe përçimi i mesazhit pa ekuivokë.

Foto nga lajmi

Pasojat mund të jenë afatgjate

Pasojat e moskujdesit të mediave mund të jenë afatgjatë, sepse në shumë raste qytetarët pavetëdijshëm ndikohen nga informacionet. Sot njeriu përballet me një lum informacionesh të cilat nuk arrin t’i përpunojë dhe një pjesë e tyre, sidomos kur ka të bëjë me lajmet të llojeve paragjykuese por të cilat janë të mbuluara mirë me petkun e informacionit, ndikojnë thellë në subkoshiencën e tyre, pra ndikojnë në mënyrë të pavetëdijshme te njerëzit dhe kjo është më e rrezikshmja. Ata megjithëse nuk do arrijnë ta kuptojnë menjëherë, paragjykimet, urrejtja nëse do ‘ushqehen’ me lajme të tilla do të ngjizet dhe dikur do të bëhet pjesë e  përditshmërisë së tyre.

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button