Mësuesit të ligjerojnë, prindërit të angazhohen me fëmijën në mësimnxënie

Shkollat e mbyllura për shkak të koronavirusit, kanë angazhuar jo vetëm mësuesit në të gjithë republikën, por edhe prindërit si dhe autoritet qeveritare, për të angazhuar mësues për mësimdhënie në programet televizive. Mësuesit janë angazhuar të krijojnë grupet online me nxënësit dhe prindërit. Grupe ku do të zhvillohet mësimi në mënyrë normale, duke ndjekur kalendarin dhe planin e punës, shkruan Portalb.mk.

Por, se kush duhet të ketë  ndikim më shumë te fëmija, që ndjek shkollën, mësuesi, programet televizive, apo prindi, sipas mësuesit dhe prindit, por edhe psikologut, barra bie te të gjithë.

“Është e rëndësishme që prindërit të kuptojnë se personaliteti i fëmijëve varet nga ajo se çka fëmijët mësojnë dhe sa u jepet mundësia dhe sa është angazhimi, interesimi i prindërve në edukimin, disiplinimin e fëmijës. Prindi është ai që do të duhet të ketë mbikëqyrjen më të madhe, sepse mësimi on’line është me orar të shkurtuar, poashtu edhe programet televizive. Përsëritja e mësimit që ligjërojmë ne është e domosdoshme, sepse ajo i mundëson fëmijës të mbajë mend dhe të ketë njohuri më të thella”, tha për Portalb, mësuese Vjollca Kërluku.

Marrëdhëniet e prindërve ndaj fëmijëve si dhe  mënyrën në të cilën zhvillohen, edukohen, sipas mësueses, është faktor shumë i rëndësishëm për ngritjen e fëmijës, zhvillimin e proceseve njohëse, arritjen në mësimnxënie etj.

Një psikolog mendon se shumë me rëndësi është që në edukimin dhe arsimimin e fëmijës, të përfshihen edhe prindi edhe mësuesi, por edhe indikatorë të tjerë.

“Prindërit së pari të punojnë për prevenimin e efekteve negative dhe të merren me planifikimin e veprimeve dhe funksionimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Mësuesit të angazhohen më shumë për nxitjen e motivit të brendshëm për të mësuarit e nxënësve dhe mësimin e tyre ta orientojnë për vlerat sociale dhe jo vlera të dhunshme dhe rritjen e ndërgjegjësimit te nxënësit. Mësuesi edhe prindi të punojnë për zëvendësimin e efekteve negative të televizorit me rritjen e kureshtjes së nxënësve me aktivitete arsimore”, tha për Portalb, Arafat Shabani, psikolog.

Për prindërit, ndeja  dhe mësimi i fëmijës në shtëpi, ka krijuar angazhim të shumëfishtë. Madje, sot kuptohet se sa vlerë ka shkolla dhe mësuesi, në zhvillimin dhe përparimin e fëmijës.

“Jam prind i tre fëmijëve dhe secili është i angazhuar me mësime. Arjana është klasë e katërt dhe mësimin e ndjek në kompjuter. Besforti është klasa e shtatë dhe Bujari klasa e parë. Të gjithë ndjekin mësim në distance. Është një sfidë e madhe për mësuesit, por më shumë për ne prindërit. Sepse, vetëm te një fëmijë duhet angazhim e jo më tre e më shumë fëmijë, siç kanë prindërit e tjerë. Kjo është fakt se, vetëm njërit ta mbikëqyrësh do të duhet orë të tëra, për ta kontrolluar se si i ka kryer detyrat, si lexon, e të tjera. Vërtet, është angazhim i madh për ne prindërit. Por, tani e kuptojmë se sa e rëndësishme është shkolla dhe mësuesja. Unë gjithë kohën merrem me fëmijët, angazhime këto që nga përgatitja e ushqimit, higjienë, deri aty sa që ulem e i kontrolloj detyrat e dhëna nga mësimdhënësi dhe po ashtu lexim të tekstit, për përmbajtjen e mësimit. Angazhim shumë i madh. Preferoj në këtë mënyrë të përkushtohem për fëmijët, sepse nuk e shoh të arsyeshme që ata ndonëse dua të jenë të pa varur, ata kërkojnë ndihmën tonë. Fëmijët e mi e pëlqejnë teknologjinë, tv apo kompjuterin, por unë jam me atë se mësimi tradicional zhvillon më shumë fëmijët. Prandaj, puna e mësuesit është e shenjtë”, tha për Portalb, nëna Jehona.

Përkushtimi i prindit dhe mësuesit, ka ndikuar që fëmija të jep rezultate të përkryera, këtë e tregojnë dhe shumë hulumtime, në fushën e arsimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button