Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv për rrjetet sociale

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që kërkon të heqë imunitetin ligjor ndaj rrjeteve sociale si Twitter dhe Facebook për përmbajtjen që ato shpërndajnë.

Urdhri, që Trump e nënshkroi më 28 maj, udhëzon agjencitë ekzekutive të studiojnë nëse mund të vendosin rregullore të reja për kompanitë.

Por, ekspertët shprehin dyshime nëse ndonjë ndryshim i mundshëm do të mund të zbatohej pa një akt të Kongresit, njofton REL.

Trump ka akuzuar rregullisht platformat e mediave sociale për shtypjen ose censurimin e zërave konservatorë.

Ai e ka akuzuar Twitterin për ndërhyrje në zgjedhje, pasi më 27 maj, ky rrjet social, për herë të parë, i etiketoi dy postime të presidentit amerikan, Donald Trump, si “të pabaza” dhe tha se ai po përhap pretendime të rreme.

Postimet e Trumpit “pretendojnë rrejshëm” se votat me postë do të sjellin “zgjedhje të falsifikuara”, tha Twitter.

Nën postimet e tij, kompania ka shkruar me të kaltër: “Sillni fakte për votat me postë”.

“Kontrolluesit e fakteve thonë se nuk ka prova se fletët e votimit me postë lidhen me mashtrim të votuesve”, tha Twitter.

Drejtori i Përgjithshëm i Twitter-it, Jack Dorsey tha më 27 maj se qëllimi i kompanisë nuk është të bëhet “arbitër i së vërtetës”, por do të vazhdojë të verifikojë lajmet e rreme për zgjedhjet në nivel global.

Drejtori i Përgjithshëm i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, i tha Fox News se politika e platformës së tij është e ndryshme nga ajo e Twitter-it.

“Unë thjesht besoj fuqimisht se Facebook nuk duhet të jetë arbitri i së vërtetës për gjithçka që njerëzit thonë në internet”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button