RMV, për psikologët, ndikimi i TV mësimit në zhvillimin e fëmijës nuk është i përshtatshëm

Në Maqedoni, fëmijëve ju mundësua përveç se mësimi në distancë ose on-line edhe mësimi në Televizor. Edhe pse është një mundësi për të nxënë mësimet, fëmijët në shkollat fillore, psikologët nuk e shohin të arsyeshme qëndrimin gjatë, të fëmijëve, pranë televizorit dhe kompjuterit. Ata mendojnë se ka efekte negative, në zhvillimin e tyre, shkruan Portalb.mk

Profesori universitar i psikologjisë, Arafat Shabani thotë se TV-mësimi, nuk i ka ata efekte zhvilluese që mund t’i ketë mësimi në distancë ose “on-line”. Gjithashtu për dallim nga mësimi në distancë ose “on-line” e cila i ka më të operacionalizuar qëllimet, objektivat arsimore, platformat adekuate të krijuara për qëllimet arsimore, trajnimi i mësimdhënësve dhe të nxënësve për të menaxhuar dhe të drejtuar, për arritjet e qëllimeve arsimore, TV mësimi nuk i ka as për së afërmi këta ndikime dhe arritje arsimore.

“Për ta analizuar TV mësimin në zhvillimin e fëmijës, së pari duhet analizuar ndikimin e TV-së në përgjithësi në jetën e njeriut e posaçërisht të fëmijës.

Hulumtimet shkencore na sqarojnë se TV-ja ka ndikimi negativ në sjelljen e fëmijës e posaçërisht në rritjen e sjelljes agresive. Gjithashtu, TV`ja ndikon në rënien ose uljen e motivit të brendshëm për mësim, e cila zëvendësohet ose transformohet me motive të jashtme për veprime negative në shkollë, familje dhe në shoqëri.

Aspekti tjetër ose efekti i TV`së është se nuk kemi kontroll adekuat të përmbajtjeve televizive konform moshave dhe konform qëllimeve dhe objektivave arsimore. E gjithë kjo ndikon në nxitjen ose promovimin e vlerave të dhunshme, të cilët janë vlera anti-arsimore, anti-edukative dhe anti-socializuese. Ndërsa, në sferën e kompjuterëve dhe kombinimi i tyre me internetin situata është ende më alarmante. Domethënë, s’mund të presim shumë për zhvillimin e fëmijëve përmes TV-mësimit duke e marrë parasysh të gjithë atë që e potencuam më lartë dhe duke e marrë parasysh edhe faktin se TV-mësimet janë shumë të shkurta, pa përvojë paraprake dhe njekahëshe, pa interaksion dhe informatë kthyese nga ana e fëmijëve, tha për Portalb, psikologu Shabani.

Psikoterapeuti Migjen Amzai, thotë se koha që po jetojmë ka bërë që fëmijët të jenë më pranë televizorit dhe kompjuterit, gjë që ndikon negativisht në zhvillimin e tyre. Madje, kjo situate ndikon përpos në dëmin psikik, poashtu edhe në shëndetin fizik.

“Në radhë te parë, ekspozimi para ekraneve nuk është fare i shëndetshëm për fëmijët, kjo sa më i vogël në moshë aq më i madh dëmi. Sidomos kur flasim për moshën 6-vjeçare që mësojnë, ose supozohet në atë moshë të mësojnë të lexojnë dhe nga pak me shkronjat. Potencoj se supozojmë sepse një pjesë e madhe e fëmijëve sot, nga telefonat dhe TV dinë të lexojnë dhe nuk është aspak tendencë e shëndetshme, sepse lexojnë dhe metabolizojnë sllogane dhe jo përmbajtje. Kjo masë energjie (për të mos folur edhe procesin e joneve pozitive që emetojnë ekranet që afektojnë edhe zhvillimin normal të trurit), sipas studimeve ka tendencë t’i bëjë fëmijët obezë. Fëmijët në moshën 6 vjeçare duan dhe duhet fizikisht të maten me botën dhe ta masin botën. Mësimi përmes ekranit, mendoj unë, është vetëm informacion por jo mësim, ajo që e përmenda më lartë, si sllogane, dhe pikërisht në moshën kur fëmija duhet të gjurmojë dhe fantazojë, sot po bie pre e ofertës së shijeve të dikujt tjetër. Fëmija duhet ta fantazojë lojën e vet, prandaj edhe komunikojnë me zë me lodrat dhe pikërisht ngjyrimit të zërit ose rrethanave të lojës ia persishten edhe lodrën (ose anasjelltas). Monitori ia jep të gatshme këto dhe gjymton masën në të cilën fëmija do dhe duhet të mësojë, qoftë të pjekë shijen e tij, po qoftë edhe arsyetimin dhe gjykimin dhe sigurisht emetimi i çfarëdo objekti ose subjekti në monitor e zëvendëson këtë cilësi dhe zëvendëson edhe fisnikërinë e të mësuarit të shkronjës që supozohet të jetë proces që len gjurmë në personalitetin e fëmijës dhe jo fëmija të ketë vulën e një marke në shijen dhe memorien apo në lojën e tij. Komunikimi ynë më shumë se 90 përqind është fizik, pra joverbal. Në atë mënyrë dimë si ta pranojmë ose refuzojmë diçka që e shohim ose dëgjojmë. Uroj që mos kthehet në traditë ky lloj i të nxënit mësimi se lerë që nuk do lë gjurmë fëmijë në botë, po as nuk do mund të gjurmojnë fëmijërinë e tyre fizike. Kjo sigurisht vlen për ekspozimin para çdo lloj monitori”, tha Portalb, psikoterapisti Amzai.

Shtimi i interesit të fëmijëve në përdorimin e TV-së dhe internetit, sipas tyre, do të lë pasoja dhe atë të pa shëndetshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button