Pavarësisht shkeljeve të konstatuara nga revizioni, Arifi nuk do ta shkarkojë drejtorin Beadini

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, para gazetarit të Portalb.mk refuzoi që keqpërdorimet e konstatuara nga Enti Shtetëror për Revizion në lidhje me punën e N.P “Parkingu i Qytetit” t’i quaje si keqpërdorime, ajo tha se bëhet fjalë për lëshime të cilat mund të ndodhin në procesin e themelimit të secilës ndërmarrje publike. Ajo nuk e ka ndërmend të shkarkoje Beadinin derisa të flasin institucionet kompetente për (mos)ngritjen e procedurave të mëtejme, shkruan Portalb.mk.

Në rolin e shefes së Komunës Tetovës, kërkuam nga Arifi të komentoje raportin e Entit Shtetëror për Revizion, sipas së cilit, një drejtor i emëruar nga kjo e fundit ka kryer një sërë keqpërdorimesh me detyrën zyrtare.

Megjithatë, Arifi nuk deshi ta komentoje në thelb këtë, ajo potencoi se ka pjesë në këtë raport ku duhet intervenuar.

Çdo institucion është pjesë e mbulimit nga ana e revizionit dhe normalisht është revizioni i cili ka bërë vërejtët e veta të cilat është shumë e rëndësishme të intervenohet në pjesët ku duhet dhe normalisht për ne është shumë e rëndësishme që të kemi një institucion i cili i ndjek edhe vërejtët të cilat janë bërë me qëllime të mira” tha Teuta Arifi.

Teuta Arifi kryetare e Komunës së Tetovës (Foto: Arbnora Memeti)
Teuta Arifi kryetare e Komunës së Tetovës

Sidoqoftë ajo pranoi se ndërmarrja N.P. ”Parkingu i Qytetit” e udhëhequr asokohe nga Fejsal Beadini, ka pasur siç thotë ajo “lëshime” të cilat mund të ju ndodhin secilës ndërmarrje gjatë procesit së themelimit të vet ndërsa refuzoi të përdore termin keqpërdorim.

“Unë nuk mund të flas për keqpërdorime, mund të flas për punën e një institucioni i cili ka qenë i themeluar rishtazi dhe që normalisht ka qenë në procesin e themelimit të vet. Dhe si çdo institucion në kuadër të procesit të themelimit mund të ketë edhe lëshimet e veta dhe prandaj janë institucionet si enti për revizion që ato lëshime të përmirësohen dhe jam shumë e bindur se kjo ndërmarrje me kujdes të veçantë do të arrije që ti përmirësoje” theksoi Teuta Arifi.

Fejsal Beadini disa muaj pasi u shkarkua nga posti i udhëheqësit të NP “Parkingu i Qytetit” për shkak të akuzave për keqpërdorime të mundshme të detyrës, u emërua nga kryetarja Arifi si drejtor në një ndërmarrje tjetër, respektivisht në ndërmarrjen “Tetova Transport”, ku vazhdon të jetë drejtor.

Për këtë, Arifi nuk tha diçka konkrete, e njëjta vetëm potencoi rëndësinë e themelimit të ndërmarrjeve të reja. Sidoqoftë kjo nuk ishte pyetja e gazetarit të Portalb, ndërsa për atë se a do të shkarkohet Beadini nga posti i drejtorit të ndërmarrjes “Tetova Transport” tha se vendimet do të merren pasi institucionet të vendosin për (mos) hapjen e procedurave.

“Për arsye se për ne ka qenë e rëndësishme pikërisht fakti i formimit të ndërmarrjeve që nga fillimi dhe ato vlerësime kanë qenë të tonat që mund të vazhdohet edhe me themelimin e një ndërmarrjeje tjetër. Për pjesën e shkarkimit, unë sa e di për keqpërdorime dhe për vlerësime të asaj natyre janë disa institucione tjera të cilat eventualisht mund të hapin procedurën, ne nuk kemi informacione të asaj natyre prandaj edhe qëndrimet tona do ti shohim me kujdes” shtoi Arifi.

Ndryshe, një javë më herët Shemsi Sallai nga Komisioni për Antikorrupsion na konfirmoi se ata aktualisht po e shqyrtojnë këtë rast dhe se ditëve në vijim, do të vendosin se a do të hapin procedurë për këtë apo jo.

Portalb ua sjellë disa prej shkeljeve që i ka gjetur revizori në punën e NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”:

Fejsal Beadini
Fejsal Beadini
  1. NP “Parkingu i Qytetit” nuk ka sistem të kontrolleve të brendshme dhe nuk janë miratuar procedura për lëvizje të dokumenteve dhe sistem për ndjekje dhe kontroll të dokumentacionit të kontabilitetit me kompetenca dhe përgjegjësi të definuara dhe kufizuara qartë.
  2. Nuk janë përgatitur politika dhe raporte kontabiliste dhe raporte për rrjedhën e parave me të cilat është e nevojshme që të sigurohet koezistenca, vazhdimësia dhe ligjshmëria në shfaqjen e të gjitha ngjarjeve financiare dhe kontabiliste.
  3. Nuk është nënshkruar marrëveshje mes kryetari të Komunës së Tetovës dhe drejtorit të ndërmarrjes publike në të cilën do të konstatoheshin të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e ndërsjella.
  4. Janë konstatuar parregullsi gjatë llogaritjes së rrogave të të punësuarve në ndërmarrjen publike.
  5. Ndërmarrja publike ka hyrë në borxh pa akt të miratuar nga ana e Bordit Udhëheqës dhe themeluesit – Komuna e Tetovës.
  6. Vlera e kapitalit nuk është e regjistruar në Regjistrin e Vetëm Tregtar dhe në regjistrin e personave tjerë juridik në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
  7. Nuk është kryer regjistrim i patundshmërive, inventarit, pajisjes, mjeteve jomateriale (patentat dhe licencat), mjetet financiare, por edhe të mjeteve dhe obligimeve aktuale. Regjistrimi është obligim ligjor që të kryhet një herë në vit.
  8. Nuk është vënë në funksion operacioni i thesarit, në pajtueshmëri me dispozitat ligjore,, ndërkaq janë konstatuar edhe dallime mes mjeteve në para të treguara në Bilancin për gjendjen e llogarisë në bankë.
  9. Gjatë furnizimeve të mallrave dhe shërbimeve nuk është respektuar në tërësi Ligji për Furnizime Publike.
  10. Për këto gjetje, Enti i Revizionit nga ana e personit përgjegjës të NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë” nuk ka marrë vërejtje për draft-raportin e revizorit të autorizuar shtetëror.

Revizioni gjithashtu ka konstatuar edhe shkelje tjera si për shembull:

  • Nuk janë plotësuar vendet e punës në Sektorin për Punë të Përgjithshme, pozitat udhëheqëse dhe vendet tjera të punës.
  • Nuk është miratuar akt për person të autorizuar i cili do ta ndjekë realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara me operatorët ekonomik pas procedurave të zbatuara për furnizime publike.
  • Revizioni gjithashtu ka zbuluar raste kur NP “Parkingu i Qytetit”, u ka paguar të punësuarve orë jashtë orarit të punës për ditën e shtunë, ndërkaq i punësuari nuk ka qenë i evidentuar në fletoren për orar të punës.
  • Parkingu i Qytetit – Tetovë ka marrë borxh 3.4 milionë denarë (55.000 euro) pa vendim paraprak të Këshillit të Komunës dhe Bordit Udhëheqës. Pos kësaj, nuk ka treguar se për çfarë do t’i përdorë mjetet.
  • Ndërmarrja Publike nuk ka miratuar akt me të cilën rregullohet shfrytëzimi i telefonave zyrtarë. Gjatë vitit 2018-të, për këtë qëllim janë paguar mjete me vlerë prej 601.000 denarë (9.700 euro) një operatorit ekonomik për shfrytëzimin e telefonisë celulare.
  • Në vitin 2018-të, pa procedurë për furnizime publike është kryer furnizim të mallrave dhe shërbimeve me vlerë prej 1.855.000 denarë (30.000 euro) për furnizim të shërbimeve me automjet special – karrotrec, servisim të automjeteve – karrotrec dhe për pjesë kompjuterike dhe programe me mirëmbajtjen e tyre në mënyrë të parregullt.

Raportin e plotë të Revizionit mund ta gjeni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button