ASh: Shteti nuk po bën asgjë për kthimin e qytetarëve të bllokuar në vendet e huaja

Aleanca për Shqiptarët, ka reaguar në lidhje me qytetarët e bllokuar në shtetet e huaja. Nëpërmjet një kumtese, nga kjo parti kanë thënë se, disa herë kanë reaguar për këtë problematikë, duke apeluar deri tek Ministria e Jashtme dhe Qeveria, se nuk po bën asgjë për të ndihmuar kthimin e qytetarëve tanë, sidomos nga Italia, ku situata është shumë shqetësuese për shkak të numrit të madh të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që duan të kthehen në vendlindje, njofton Portalb.mk.

“Këtë e themi për shkak se kemi pranuar shumë shkresa të drejtpërdrejta nga qytetarë tanë që kanë mbetur të bllokuar në vende të ndryshme të BE-së për shkak të krizës me pandeminë. I nderuar Zv/Kryeministër Bujar Osmani, problemet nuk zgjidhen as me deklarata boshe, e as duke i nënçmuar gazetarët që interesohen për këtë problematikë. Prandaj merrni masa sa nuk është bërë vonë, që mos të bëheni ju shkaktarë për ndonjë tragjedi, siç është rasti me një familje shqiptare nga rrethina e Shkupit, e cila sipas informacioneve tona është bllokuar prej 48 orëve në kufirin Hungarez”, thuhet në reagimin e ASh.

Në njoftim po ashtu theksohet se, numri i atyre që duan të kthehen është shumë i madh, por përfaqësitë konsullore të RMV-së nuk janë në gjendje as t’ua hapin telefonin, e lëre më të bëjnë diçka më shumë për të ndihmuar kthimin e tyre.

Aleanca për Shqiptarët këtë problematikë e ka ndjekur me shumë shqetësim që nga fillimi dhe vazhdimisht kemi apeluar që të merren masa serioze për kthimin e mërgimtarëve tanë në vendlindje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button