Filipçe, Fotografitë nga festimi i djeshëm në tempujt fetarë dhe para tyre janë shqetësuese

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka drejtuar kritika në lidhje me festimet e djeshme të besimtarëve myslimane me rastin e Fitër Bajramit. Përmes një shkrimi në Facebook, Filipçe tha se, fotografitë dhe kronikat nga festimi i djeshëm në tempujt fetarë dhe para tyre janë sërish shqetësuese, njofton Portalb.mk.

Ai shtoi se, pavarësisht thirrjeve nga institucionet shëndetësore që mos të tubohemi, të respektojmë masat e distancës dhe kufizimit të lëvizjes, kjo nuk ndodhi.

Filipçe theksoi se virusi “nuk ka vdekur” dhe se ende është në mesin tonë.

“I respektoj festat dhe besoj fuqimisht se ato janë ngjarje të rëndësishme për të gjithë ne, pavarësisht cilës fe i përkasim. Por këtë vit, festat nëpër botë festohen në mënyrë tjetër, duke e vendosur shëndetin tonë dhe të bashkëqytetarëve tanë para gjithçkaje dhe mbi gjithçka. Falënderoj qytetarët që i përmbahen masave, dhe të cilët, për fat të keq, mund të vazhdojnë të jenë në rrezik për shkak të atyre që nuk e bëjnë këtë. Koronavirusi nuk është as i vdekur dhe as nuk ka shkuar. Ai është këtu dhe për fat të keq, problemi do të vazhdojë për sa kohë që ka nga ata që e injorojnë. E kam përsëritur shumë herë, por këtu do ta them përsëri. Punëtorët e shëndetësisë nuk mund ta bëjnë këtë vetëm. Masat janë të mira dhe janë vendosur me kohë, por ato funksionojnë vetëm nëse respektohen, përndryshe nuk kanë asnjë efekt. Respektimi i masave dhe efektet e tyre varen vetëm nga ne si qytetarë. Thjesht duhet të pranojmë mënyrën e re të jetës, duhet të rregullojmë jetën tonë të përditshme duke ndjekur rekomandimet”, ka shkruar ministri Filipçe.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, në një deklaratë të dhënë dje pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, tha se ai shpall fitoren ndaj virusit dhe e shpall atë të vdekur.

Ndërkohë, besimtarët muslimanë në Maqedoninë e Veriut dje falën namazin e Fitër Bajramit nëpër xhami. Në organizim të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut ceremonia qendrore e faljes së namazit të Fitër Bajramit u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button