COVID-19 “merr kahe tjetër në Afrikë”, thotë OBSH-ja

54 shtetet e Unionit Afrikan kanë raportuar një total prej 103,933 rasteve me koronavirus deri sot, sipas Qendrës Afrikane për Kontroll të Sëmundjeve, shkruan Koha.net.

Deri më tani shtetet afrikane kanë raportuar 3,183 vdekje nga COVID-19, dhe 41,473 njerëz janë shëruar që nga shfaqja e virusit për herë të parë në këtë kontinent para 14 javëve.

Sa i përket ndikimit potencial që do të kishte pandemia për Afrikën, OBSH-ja ka pasur parashikime apokaliptike.

Por të premten mbrëma, pasi që u arrit rasti i 100,000 i të infektuarve, zyra afrikane e OBSH-së tha se “duket se pandemia po merr një tjetër kahe në Afrikë”, transmeton KOHA.

“Numri i rasteve të infektuara nuk është rritur eksponencialisht si në rajonet tjera, dhe deri tani Afrika nuk e ka pasur shkallën e lartë të vdekshmërisë si disa pjesë të botës. Sot, janë rreth 3,100 të rasteve të konfirmuara të vdekjeve në tërë kontinentin e Afrikës”, tha OBSH-ja.

Nëse e krahasojmë me Evropën, në momentin kur rastet e infektuara arritën në 100,000, numri i vdekjeve ishte 4,900. Analizat e hershme të OBSH-së sugjerojnë se vdekshmëria më e ulët në Afrikë mund të jetë rezultat i demografisë dhe faktorëve tjerë. Afrika është kontinenti më i ri, me më shumë se 60% të popullatës nën moshën 25 vjeçare.

OBSH-ja gjithashtu theksoi se qeveritë afrikane ishin të shpejta në vendosjen e masave kufizuese për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Sidoqoftë, edhe pse kishte “përparim të dukshëm në testim” ky kontinent ka shkallën më të ulët të testimeve në krahasim me rajonet tjera.

Për fund, ky raport i OBSH-së theksoi se pavarësisht numrave të vegjël të rasteve “pandemia mbetet kërcënim i madh për sistemet shëndetësore të këtij kontinenti”, raporton The Guardian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button