Gjenerata pa ideal në kohë pandemie

Jetojmë në fund-dhjetëshin e dytë të shekullit XXI, siç duket vetëm teknikisht në kuptimin e zhvillimit të teknologjisë dhe zbulimeve shkencore.

Botën e shikojmë materialisht, faqet e historisë i lexojmë me syrin e botëkuptimit materialist, edhe shkrimtarët dhe shkencëtarët më të mëdhenj me ide të fuqishme zhvillimore dhe përparimtare i fusim në kornizën e botëkuptimit materialist.

Për ironi të fatit, jemi gjenerata që edhe shkollimin dhe arsimimin nuk e kuptojmë si vlerë dhe kënaqësi por e trajtojmë dhe e peshojmë me kandarin e materiales duke i venduar hesapin e matematikës së numrave dhe çmimeve.

Burra ka patur në çdo gjeneratë dhe zakonisht gjeneratat me burra kanë qenë ato që kanë patur ideale.
Njerëzit me ideale nuk vdesin kurrë sepse me vdekjen e tyre idealet vazhdojnë të jetojnë dhe trashëgohen gjeneratë pas gjenerate.

Një popull vdes kur i shteren idetë dhe më nuk mendon si kampion por mendon se si do të pësojë ose të humbasë apo të shkatërrojë.

Kur mbetesh pa ide, dhe fillon të flasësh gjithë kohën për zhvillim, progres, përparim, investim, me fjalë boshe dhe pa pragmatizëm.

“Burrat” e gjeneratës pa ideal gjithë natën flasin për fe, por pa dituri fetare, me emocione, pa vendosmëri dhe rrugëzgjidhje… Në të shumtën e rasteve edhe nuk janë vetja e tyre!

Gjenerata pa ideal është në situatë të rënduar kur flet pa pikë dhe presje për patriotizëm dhe kombëtarizëm, por nuk mund të gjejë asnjë varr në oborrin e shtëpisë apo familjes, asnjë të plagosur apo të burgosur, të përjashtuar apo të përndjekur.

Në këtë situatë flet për të panjohurat, për të paqenat apo të vetdëshiruarat.

“Burrat” e gjeneratës pa ideal flasin për kauzën humane, por në fakt nuk i gjen për asnjë moment në këtë aspekt, me kontribut “zero” në humanizëm edhe kur kanë patur mundësi kanë neglizhuar apo hezituar.
Qesharake është kur i dëgjon të flasin për familje dhe ndërtimin e familjes, për edukimin e fëmijëve, por ende nuk janë bërë prindër dhe nuk e kanë të njohur as teorikisht dhe as praktikisht ndjenjë e atësisë. Çuditërisht flasin për martesa të të njëjtit lloj si e drejtë natyrore dhe edukim liberal (neoliberal) të gjeneratave të reja, por për “x” dhe “y” jo për të vetët.

Flasin për të drejta fetare, për adhurimet, për fetarësinë, për liritë fetare… flasin dhe nuk turpërohen aspak nëse i pyet kur ka qenë hera e fundit nëse e ke kryer një rit fetat.

Është më tepër se mëkat nëse gjenerata pa ideal do të prodhonte edhe një gjeneratë tjetër pa ideal!

Për të shmangur këtë patjetër të vendoset një ndryshim rrënjësor, jo latent por i vrullshëm, i dukshëm dhe i shpejtë.
Te gjeneratat që vijnë krahas nevojave materiale të kultivojmë idealet dhe aspirata të fuqishme.
Të vendojmë një hierarki të respektimit dhe nderimit të atyre që kanë dhënë kontribut në çështje të caktuara dhe aspekte të ndryshme.
Të lexohen dhe vletësohen gjërat, dhe kontributet në vazhdimësi dhe kontinuitet pa kapërcim të rrjedhës së kohës.
Të bëjmë përgatitjen e gjeneratave të reja për një kohë të tyre dhe jo vetëm për të tashmen.
Të mos lejojmë që gjeneratat që vijnë pas nesh të rriten pa identitet të pastër, sepse më pastaj do të vushken idetë e asaj gjenerate.
Gjenerata pa ideal, të keqes nuk do t’i thotë ndal asnjëherë.
Të përgatisim gjeneratë që dinë të respektojë, të jetë mirënjohëse, falënderuese ndaj të mirave dhe nënshtruese vetëm ndaj Zotit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button