Mos e shpëtoni ekonominë, ndryshoni mënyrën e punës

Pandemia e koronavirusit do të ndryshojë botën, dhe ky transformim do të vijë me sfida të mëdha ekonomike. A do të jemi në gjendje të ballafaqohemi këto sfida, do të varet plotësisht nga gatishmëria dhe aftësia jonë për t’u përshtatur të njejtave.

Deri më tani, qeveritë janë duke bërë të kundërtën. Ato janë duke u përpjekur të ruajnë një status quo – duke hedhur para në qarkullim mes qytetarëve, të cilët i kanë humbur punët dhe bizneset për shkak të mbylljes.

Masat e tilla ishin një zgjidhje e mirëpritur në javët e para të pandemisë, por t’i përmbahesh një strategjie si kjo në muajt në vazhdim mund të sjellë vetëm një katastrofë. Përderisa qeveritë nuk përshtaten me rrethanat e reja ato do të rrokullisen drejt një kolapsi ekonomik dhe paqëndrueshmërie financiare.

Municioni që tashmë është gjuajtur është me të vërtetë spektakolar, dhe akoma vazhdon, pasi kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron ranë dakord për një plan-bluprint për një fond të rimëkëmbjes 500 miliardë euro për të ndihmuar vendet e goditura më rëndë të BE-së.

Nëse bota përsëri do të ndeshej me një Depresion të Madh si ai amerikan i viteve 1930 – me një kapacitet të tepërt prodhimi dhe papunësi kudo – një  stimulim i tillë makroekonomik do të ishte i përshtatshëm.

Por ne po përballemi me një rrezik tjetër. Problemi ekonomik i krijuar nga COVID-19 është një Mospërputhje e Madhe Ekonomike.

Edhe pse pjesë të mëdha të ekonomisë globale janë mbyllur nga distancimi social, kemi parë një shpërthim në kërkesa për mallra dhe shërbime që janë të rëndësishme për nevojat tona shëndetësore dhe që janë në përputhje me standardet e sigurisë: furnizime me pajisje mjekësore, paketa ushqimore, shërbime financiare, logjistike, dhe marketing.

Problemi me të cilin po ballafaqohemi është se si të kapërcejmë  këtë mospërputhje midis furnizimit të tepërt me resurse në disa sektorë dhe kërkesës së tepërt në të tjerët. Me paralajmërimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë se virusi mund të mos largohet kurrë, problemi ka të ngjarë të vazhdojë me muaj nëse jo me vite.

Aktualisht, qeveritë në vendet e pasura i paguajnë firmat për të mbajtur punonjësit e larguar (qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, për shembull, po paguan deri në 80 përqind të pagave të punëtorëve) dhe mbështesin të papunët (në Amerikë, më shumë se 33.5 milion njerëz janë paraqitur si të papunë që nga fillimi i krizës).

Një përdorim shumë më i mirë i këtyre parave do të ishte përdorimi i tyre për të promovuar një ridrejtim nga sektorët e dëmtuar në sektorë që janë në ekspanzion. Qeveritë mund të ofrojnë mbështetje mbarëkombëtare gjatë kërkimit të vendeve të punës dhe shërbimeve që përputhen në mënyrë që të promovohet ky ridrejtim, ku pajisjet dhe pronat e patundshme do të ishin ridrejtohen nga forma e tyre statike në vende ku nevoja pët to është vitale.

Një regjim i tillë politik do të ndihmonte njerëzit të kalonin nga bota e vjetër fizike dhe interaktive në një botë të re në të cilën konsumi dhe prodhimi janë në përputhje me distancimin shoqëror.

Në vend të shopingut fizik në qendër të qytetit, konsumatorët duhet të jenë në gjendje të blejnë në mënyrë virtuale. Hartat në pajisjet digjitale mund të bëjnë lidhje mes shitoreve të njohura me aplikacionet në celularë për të lehtësuar transakcionin.

Shumë restorante mund të shndërrohen në shërbime delivery dhe hapësira që lirohet në këtë mënyrë mund të përdoret për objektet e testimit, qendrat mjekësore, qendrat e ndihmës logjistike dhe akomodimin e përkohshëm për stafin mjekësor. Teatrot, operat dhe vendet sportive mund të fillojnë shfaqje me veprimtari dhe ngjarje që janë në përputhje me distancimin shoqëror (siç po planifikon Opera Kombëtare Angleze).

Për fat të mirë, fondet për një mbështetje të tillë janë tashmë të mundshme në dispozicion përmes shumë paketave bujare të shpëtimit të qeverive. E tëra që kërkohet është që këto paketa – që aktualisht  financojnë beneficionet e papunësisë, kreditë, dhe grante – të ridrejtohen në mbështetje të punësimit dhe subvencione për trajnime, kredi investuese, shërbime të punësimit dhe platforma online.

Megjithëse disa sektorë – siç është aviacioni dhe forma të ndryshme të turizmit – nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë tranzicionin në mënyrë profitabile, shumica e vendeve të tjera të punës janë të mundshme për tu tarnsformuar. Edhe punë që aktualisht nuk mund të bëhen kryesisht nga shtëpia – siç janë përgatitja dhe shërbimi i ushqimit, transporti publik, instalimi dhe mirëmbajtja, pastrimi, shërbimi mbrojtës, ndërtimi, nxjerrja, arsimi, prodhimi, shitja me pakicë, bujqësia dhe peshkimi, pylltaria, si dhe shërbimet shoqërore – kanë potencialin e madh, të pashfrytëzuar, për tu shndërruar në aktivitete të distancuara fizikisht.

Është e panevojshme të thuhet që transformimi do të përfshinte një humbje të produktivitetit, pasi të punosh në distancë kërkon më shumë hapësirë, pajisje dhe infrastrukturë dixhitale sesa format e tanishme të punës.

Për punët e tjera që janë më të kompatibile me punën në distancë – të tilla si arkitektura, inxhinieria, punë juridike, menaxhimi, biznesi dhe operacionet financiare, artet dhe dizajni, dhe programimi – humbja e produktivitetit do të ishte thelbësisht më e ulët.

Por këto humbje të produktivitetit janë kostoja minimale e pakthyeshme për të mbajtur distancën sociale. Zgjedhja me të cilën përballen politikëbërësit aktualisht është midis pagimit të kësaj kostoje ose pagimit të kostos shumë më të lartë për të mbështetur njerëzit dhe bizneset, produktiviteti i të cilëve është zhdukur.

Riadaptimi në këtë mënyrë është gjithashtu një investim i mençur afatgjatë.

Do të kalon shumë kohë para se të mbarojë pandemia, pasi virusi nuk mund të mposhtet nëse ai nuk mposhtet gjithkund në botën e globalizuar. Dhe pasi të ketë ndodhur kjo, njerëzit në mbarë botën do të presin që politikanët e tyre të japin më shumë rezistencë ndaj tronditjeve shëndetësore. Ata do të presin që qeveria t’i lejojë ata të vazhdojnë punën, të mbajnë ekonominë të gjallë, e gjithë kjo duke mbrojtur shëndetin e tyre në të njejtën kohë.

Mbrojtja nga pandemitë ka të ngjarë të shihet si thelbësore si mbrojtja nga përmbytjet ose zjarret, dhe investimi në një mbrojtje të tillë do të shihet si thelbësore, ndoshta edhe një e drejtë e njeriut. Një rezistencë e tillë do të duhet të ndërtohet paraprakisht. Politikat e riadaptimit do të na lejojnë të fillojmë ta bëjmë këtë tani.

Këto politika gjithashtu u japin politikëbërësve një strategji daljeje nga angazhimet e tyre të kushtueshme fiskale. Pasi aktiviteti ekonomik të ridrejtohet atje ku është e nevojshme, nuk do të kërkohet mbështetje e mëtejshme. Si rezultat, do të ishte më pak e mundshme që kriza aktuale shëndetësore të çojë në borxh ndaj publikut dhe privatit që mund të precipitonte krizën e ardhshme financiare.

Mësimi që duhet të mësojmë nga kjo pandemi është se distanca sociale nuk ka nevojë të nënkuptojë bllokim dhe paralizë ekonomike. Kjo është vetëm sepse ne nuk jemi të përgatitur që distancimi shoqëror tani kërkon që shumë prej nesh të qëndrojnë në shtëpi. Nëse i riadaptojmë ekonomitë tona, ne mund të praktikojmë distancën sociale duke i mbajtur gjallë ekonomitë tona.

Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar botën. Është koha që ne ta arrijmë dhe të dalim përpara tij.

Teksti është parafrazim i punimit të Dennis J. Snower, president i Global Solutions Initiative dhe profesor i makroekonomisë dhe qendrueshmërisë në prestigjiozen Hertie School

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button