Byrnes: Nevojitet Qeveri me kompetenca të plota dhe Kuvend funskional, sapo të krijohen kushtet

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Kate Byrnes, duke komentuar situatën rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka deklaruar për “360 shkallë” se, nevojitet Qeveri me kompetenca të plota dhe Kuvend funskional, sapo të lejojnë kushtet një gjë të tillë, transmeton Portalb.mk.

“Nga perspektiva e ShBA-së, është e arsyeshme që të pritet mbajtja e zgjedhje posa të lejojnë kushtet, duke pasur parasysh shëndetin dhe mirëqenien e votuesve dhe të anëtarëve të bordeve zgjedhore. Ne nuk parashohim krizë të re politike. Momentalisht ka qeveri teknike. Kjo qeveri duhej të ishte në pushtet në periudhë të kufizuar para se të mbahen zgjedhjet. Pandemia e paparashikuar ndërkombëtare ka detyruar prolongimin e datës, derisa kushtet të lejojnë që të caktohen përsëri zgjedhjet. Qeveria teknike ka mandat të kufizuar dhe nuk ka Kuvend funksionale”, tha ajo.

Kujtojmë se, liderët partiak zhvilluan një takim më 18 maj, te presidenti, Stevo Pendarovski, në përpjekje për të caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, por edhe pas më shumë se 3 orëve bisedime, krerët e partive politike në vend, nuk u morën vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ky është takimi i dytë që liderët te presidenti Stevo Pendarovski flasin për zgjedhjet.

Në takimin e 12 majit, u vendos që para përcaktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve, të kërkohet mendim nga Komisioni Shtetërore i Zgjedhjeve, nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse dhe nga Zyra e OSBE/ODIHR.

Anëtarët e KSHZ-së janë dakorduar se të gjitha vendimet që duhet të sillen lidhur me zgjedhjet e parakohshme dhe vazhdim të procesit zgjedhor në kontekst të masave për koronavirusin duhet të jenë në pajtim me Kodin zgjedhor dhe ligjet ekzistuese.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, deklaroi javën e kaluar se, Komisioni për Sëmundje Infektive ka përgatitur protokoll për zbatimin e fushatës zgjedhore dhe për ditën e zgjedhjeve. Sipas tij, për fushatën zgjedhore propozohen rregulla për lëvizje, tubimet duhet të zhvillohen duke respektuar distancën fizike prej 1.5 deri në 2 metra, mbajtja e obligueshme e maskës dhe mbulimi i gojës dhe hundës gjatë fushatës në hapësira të mbyllura, ndërsa në hapësira të hapura, kur nuk mund të mbahet distancë fizike.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button