RMV, Ministria e Arsimit do të ndajë vauçerë për nxënësit e shkollave të mesme, studentët dhe të rinj deri në 29 vjeç

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi në konferencën e sotme për media paralajmëroi se shteti do të ndajë vauçerë për të rinj deri në 29 vjet, për mbulimin e një pjese të participimit për shkollim dhe vendosje dhe për organizimin e trajnimeve, njofton Portalb.mk.

Lloji i parë i vauçerit me shumë prej 6000 denarëve do t’u ndahet studentëve dhe nxënësve të familjeve me të ardhura të ulëta, për participim për studim dhe vendosje në konvikte.

Lloji i dytë është kartelë për pagesë me shumë prej 3000 denarëve, e dedikuar për studentë, për blerje të produkteve dhe shërbimeve vendore.

Vauçeri i tretë deri në 30.000 denarë është për të rinj deri në 29 vjeç, për bashkëfinancim të trajnimeve, kurseve për IT dhe aftësi digjitale.

“Investimi për këto tri masa, sipas vlerësimeve, do të jetë 12 milionë euro, ndërsa do të përfshihen rreth 100.000 shfrytëzues. MASh si institucion i obliguar për implementimin e masës, do të veproj menjëherë rreth përpunimit të planit konkret me qëllim të zbatimit të suksesshëm të asaj që është miratuar si konkludim”, deklaroi Ademi.

Vauçerët pritet të ndahen në qershor, ndërsa më së voni deri në fund të muajit korrik.

Ndërkohë, kryeministri Oliver Spasovski, para disa ditëve, prezantoi pakon e tretë për ndihmë ekonomike të hartuar nga qeveria. Vlera e kësaj pakoje me masa është 355 milionë euro dhe me atë janë përfshirë 730.000 shfrytëzues. Ndihma e përgjithshme në ekonomi, në të gjitha tre pakot për ndihmë ekonomike në valën e koronavirusit në vend është zmadhuar në 550 milionë euro, përkatësisht 5,5 përqind e BPV-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button