Kyçyk: Maqedonia e Veriut duhet të ketë Qeveri politike dhe Parlament sa më shpejtë të jetë e mundur

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyçyk, në intervistën për MIA-n, flet për nevojën e organizimit të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike sa më shpejtë që të jetë e mundshme, në mënyrë që shteti të ketë Qeveri funksionale që mund të marrë përsipër përgjegjësinë dhe Parlament, që do të mund ta kontrollojë punën e saj.

Në bisedën, raportuesi përqendrohet edhe në mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Sofjes dhe paralajmërimet për bllokadë të mundshme të bisedimeve për anëtarësim nga Bullgaria. Ai bën thirrje që komisioni i përbashkët i historisë të vazhdojë punën e tij, derisa politikanët, shprehet ai, duhet të merren me të ardhmen.

Debati kryesor në Maqedoninë e Veriut tani zhvillohet rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë çështje?

Pa ndërhyrë në punët e brendshme, kuptohet se vendi ka ligje, ka Kushtetutë që duhet të respektohen, por shikuar nga Brukseli si raportues për vendin, është interes edhe i Bashkimit Evropian edhe i Maqedonisë së Veriut që kjo e fundit të ketë zgjedhje që do të jenë demokratike, korrekte dhe të lira dhe të cilat do të japin mundësi për formimin e Qeverisë sa më shpejtë që të jetë e mundshme, në mënyrë që të ketë Parlament funksional, që do të kontrollojë vendimet që do t’i marrë pushteti. Ne shikojmë se si do të zhvillohen proceset dhe në bazë të zgjedhjeve të mbajtura, Komisioni Evropian do të dalë me raportin e saj, e edhe ne në Parlamentin Evropian do të kemi rezolutën tonë pas raportit për përparim.

Vallë fakti që nuk ka Parlament dhe pushtet funksional është problem për shpalljen e këtyre raporteve të KE-së dhe të PE-së, që priten në qershor?

Çdo pushtet teknik është i kufizuar në mandatin e tij dhe në kompetencat e tij, këtë e dimë, nuk është sikur kur ka pushtet të mirëfilltë që mund të marrë përgjegjësinë dhe kuptohet edhe Parlamenti luan rol thelbësor. Më së miri është që të ketë qeveri të formuar politike që do të ketë përgjegjësinë para qytetarëve të Maqedonisë, do të mund të marrë përsipër obligime para partnerëve ndërkombëtarë dhe të ketë korrigjues në Parlament, kështu funksionon çdo demokraci.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button