Maqedonia e Veriut ka nevojë për Kuvendin, ka nevojë për zgjedhje

(Intervistë ekskluzive me Naser Ziberin, njohës i çështjeve politike dhe legjislative)

  • Nga Delvina Kërluku

Qeveria merr ingerencat e Kuvendit, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme,  deri te funksionimi i pushtetit ligjvënës-përfaqësues me atë ekzekutiv dhe me këtë rrezikohen vlerat themelore të rendit kushtetues, thotë në një intervistë (ekskluzive) për Portalb.mk, Naser Ziberi, njohësi i çështjeve politike. Ai shton se vendit i duhen zgjedhje, duke mos rrezikuar shëndetin e qytetareve, për çka duhet të flasin ekspertët e fushës, sepse vendit i duhet Kuvendi. Të gjitha këto vështirësi që ballafaqohet shteti e bën të ngecin negociatat me Bashkimin Evropian.

Naser Ziberi
Naser Ziberi

Portalb: z. Ziberi, mos marrja e datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian në tetor të vitit të kaluar, ishte arsyeja që liderët e partive më të mëdha në vend të pajtohen për zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill të këtij viti. Ndërkohë ato u anuluan për shkak të shpërthimit të krizës shëndetësore me pandeminë botërore me virusin Korona. Shtyrja e zgjedhjeve, ku e çon Maqedoninë e Veriut?

Ziberi: Shtyrja e zgjedhjeve të caktuara për 12 prill 2020, ishte e  kuptueshme dhe arsyeshme, por prolongimi i mëtejmë i mbajtjes së zgjedhjeve mendoj se nuk i bën mirë procesit politik dhe situatës së përgjithshme në vend, edhe atë për dy shkaqe kryesore:

– Së pari, Maqedonia e Veriut nuk ka në funksion organin kryesor të pushtetit shtetëror-atij përfaqësues të qytetarëve. Pra, Kuvendi me vendim të deputetëve, është shpërbërë. Kjo situatë nuk mundet të zgjat shumë, sepse mundet të ketë pasoja serioze për vendin i cili edhe ashtu ka gjendje të brishtë të demokracisë dhe ndërtimit të institucioneve stabile shtetërore.

-Së dyti, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme konform nenit 126, Qeveria merr ingerencat e Kuvendit, pra ajo shndërrohet edhe  në organ ligjvënës përmes sjelljes së urdhëresave me fuqi ligjore-dekret ligjeve. Pra, vjen deri te funksionimi i pushtetit ligjvënës-përfaqësues me atë ekzekutiv dhe me këtë rrezikohen vlerat themelore të rendit kushtetues të parapara me nenin 8’të Kushtetutës.

Koncentrimi i këtillë i pushtetit në periudhë tani më dy mujore, paraqet rrezik potencial të funksionimit të sistemit politik të bazuar në kushtetutë i cili për parim themelor të rendit kushtetues dhe vlerë sublime të demokracisë liberale, njeh parimin e ndarjes së pushteteve në ligjvënës-ekzekutiv dhe gjyqësor.

Me një fjalë, pushteti koncentrohet në duart e një grupacion të vogël politik, i cili nuk kontrollohet nga kontrollori-pra organi përfaqësues i qytetarëve-Kuvendi, ashtu siç parasheh kushtetuta e vendit. Kjo situatë me zgjatje disa mujore është e padurueshme dhe e dëmshme për

vendin. Pra, shtyrja e mëtejme e datës së organizimit të zgjedhjeve vendin e shtyn drejt autokracisë në formën e saj më të vrazhdët.

Foto: Borçe Popovski, “Kolektiv.mk”

Portalb: Ngecja e procesit të zgjedhjeve do të vazhdojë pasi të ndërpritet gjendja e jashtëzakonshme. Çfarë dobie do t’u sjellin qytetarëve dhe vetë shtetit, këto zgjedhje. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Ziberi: Konform dekretligjit numër 4 të Qeverisë përzgjedhjet, procesi i organizimit të zgjedhjeve është ngrirë deri në skadimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Paragrafi i dytë i këtij dekreti thotë se pas skadimit të gjendjes së jashtëzakonshme do të vazhdoj procesi i organizimit të zgjedhjeve aty ku ka mbetur procesi para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, që do të thotë se të gjitha veprimet e marra deri në datën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme llogariten të vlefshme, pra lista zgjedhore, listat e kandidatëve për deputet të propozuar nga partitë politike, radhitja e partive konkurruese në listat e votimit sipas shorteut dhe të gjitha veprimet tjera të ndërmarra nga Komisioni shtetëror zgjedhor llogariten si të vlefshme.Por, kjo do të mbetet kështu, në rast se Gjykata Kushtetuese nuk merr vendim për anulimin eventual të datës së shpalljes së zgjedhjeve që këto ditë është në shqyrtim. Në rast se Gjykata kushtetuese eventualisht vendos të anuloj vendimin e kryetarit të Kuvendit për shpalljen e zgjedhjeve, atëherë procesi do të filloj nga e para, pra do të duhet të ketë vendim të ri për shpalljen e zgjedhjeve, afate të reja e kështu me radhë. Pra, vendit i duhen zgjedhje, kuptohet pa vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve, për çka duhet të flasin ekspertët e fushës, vendit i duhet Kuvend funksional, i duhet qeveri me legjitimitet të plotë, aq më tepër që pritet që vendi të ballafaqohet me probleme shumë serioze ekonomiko-sociale. Një qeveri kështu çfarë e kemi, pra transitore dhe e dorëhequr ( sipas nenit 93 paragrafi 4 thotë ‘Qeverisë i pushon mandati kur Kuvendi shpërbëhet’, vështirë se mundet të ballafaqohemi me krizën e shkaktuar nga Covit 19.Me një fjalë, vendit i duhen organe të pushtetit shtetëror me legjitimitet të përtërirë në zgjedhje.

Portalb: Çështja e çeljes së negociatave është temë e Brukselit, por jo e edhe prioritet. Prioritet është për liderët vendor në Maqedoni, sidomos për LSDM-në e cila pretendon se vendin e ka sjell para dyerve të BE-së, që nuk është e vërtet për shkak se ky është një proces i gjatë? Si mendoni!

Ziberi: Është fakt se fillimi procesit negociues i UE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk është prioritet për Unionin edhe për shkak të gjendjes së pandemisë Covid 19. Por, mendoj se problem serioz për të dyja vendet paraqet fakti se Këshilli i Unionit Evropian ne samitin e kaluar edhe pse dha dritë jeshile për fillimin e negociatave, nuk caktoi edhe datë konkrete për këtë. Kjo është indikator i qartë se UE nuk është e vendosur seriozisht për fillimin sa më të shpejtë të negociatave, e kur kësaj t’ia shtojmë edhe gjendjen me Covid -19 dhe problemet që sjell e njëjta si në planin ekonomik, social e politik, brenda Unionit, atëherë është e qartë se pritshmëritë për fillim të shpejtë të procesit negocius janë të gabuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button