Gjuha shqipe nuk duhet të shkelet, ajo është çelësi i demokracisë dhe barazisë, në Maqedoninë e Veriut

Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, në shtetin tonë. Mirëpo, me dashje apo pa dashje, ajo neglizhohet nga disa udhëheqës të institucioneve. Me themelimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës (AZGJ), janë dhënë rekomandime për institucionet qendrore dhe komunale për të inkurajuar, mbështetur dhe ofruar zgjidhje, të qëndrueshme strukturore dhe një politikë stimulimi për përdorimin e gjuhës shqipe. Mos respektimi i saj, shkel ligjin, cenon të drejtat e shqiptarëve. Për këtë qëllim u themelua edhe Inspektorati për zbatimin e gjuhës, ku edhe do të mbikëqyr institucionet që nuk respektojnë ligjin, shkruan Portalb.mk.

Porse, edhe pas 1 viti në hyrje në fuqi të ligjit, shqiptarët ende hasen në vështirësi të zbatimit të së njëjtës.

Besim Fetai nga Tetova, i cili bashkë me disa shokë për dy javë kanë qëndruar në karantinë shtetërore në një hotel në Strugë, thotë se nuk ka nënshkruar dokumentin që i është ofruar, në gjuhën maqedonase, për arsye se nuk kuptojnë gjuhën e tyre.

“Kemi qenë në karantinë shtetërore dhe kemi kërkuar që formularët (deklaratat) të jenë në gjuhën shqipe. Kemi zhvilluar një protestë të vogël para dyerve të dhomave, secili. Kur jemi futë në karantinë shtetërore, fare nuk na kanë informuar për rregulloren e karantinës. Për këtë arsye na kanë shqiptuar gjoba. Refuzimi për nënshkrimin e deklaratës nuk është bërë për shkak se disa nuk e dinë gjuhën maqedonase, por ligji na lejon që formulari të plotësohet në gjuhën tonë amtare. Protesta ka qenë individuale. Shkelje nuk kemi bërë. Ushqimet i kemi marrë nga jashtë”, thotë për  Portalb.mk Fetai.

Zeqir Kadriu
Prof. Dr. Zeqir Kadriu                        (Shef i Katedrës së Gjuhës e letërsisë shqipe, (UEJL-Tetovë)

Refuzimi i nënshkrimit të deklaratës për karantinë shtetërore në gjuhën maqedonase gjashtë shqiptarëve nga Tetova, Shkupi e Kumanova u ka shkaktuar gjoba në vlerë prej 18 mijë eurove. Për këtë rast, përfaqësuesi ligjore i këtyre të dënuarve, avokati Naser Raufi, thotë se në rastin konkret bëhet fjalë për shkelje klasike të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, konkretisht gjuhës shqipe.

Për shmangie të gjuhës shqipe, në dokumente, formularë, institucione, profesori Universitar Zeqir Kadriu thotë se me paraqitjen e pandemisë, proceset e zbatimit të gjuhës shqipe kanë ngecur. Kjo, edhe shkel demokracinë e qytetarëve.

“Maqedonia e Veriut përveç problemeve të cilat përkapin karantinimin me Covid-19,  për fat të keq ndeshet edhe me ngulfatjen e demokracisë së brendshme ndëretnike.

Tani kur po përgatitet vendi të futet në strukturat euroatlantike, si duket, të gjitha proceset kanë ngelur pezull. Kjo për faktin ndoshta të justifikueshëm që e solli Pandemia e përmasave në  shtrirje botërore. Por si duket, strukturave aktuale shtetërore ju shkon përshtati, nga se edhe ashtu ngelën në mes të rrugës proceset që kanë të bëjnë me implementimin e gjuhës shqipe si gjuhë e një popullate të konsiderueshme në Maqedoninë e Veriut”, tha për Portalb.mk, Zeqiri Kadriu, profesor Universitar.

Për fat të keq, shton Kadriu, edhe ligji për përdorimin e gjuhës shqipe që u soll në Parlament, nuk po merr trajtën e duhur.

“U tha që do të formohet edhe një Agjenci edhe një lloj Inspektorati për implementimin e saj, por si duket as kjo nuk merr rrugëtimin në drejtim të duhur,  e as funksionon fare.

Ma merr mëndja , se kështu i përshtatet palës maqedonase duke përfituar edhe nga gjendja aktuale që ndoshta si e tillë ka vënë çdo iniciativë në heshtje, por një gjë nuk e kam të qartë! Përse hesht opozita shqiptare dhe partitë shqiptare që bëjnë pjesë në pushtet? Kam drojën se edhe ky ligj si edhe shumë të tjerë (të sjellur në Parlament) të  bien në gjumin e letargjisë dhe si të tillë të mbeten në harresën e kohës!

Shumë institucione dhe zyra në Administratën Publike e shtetërore, presin me padurim urdhrin për zbatimin e domosdoshëm të shqipes, por as kjo nuk ndodh.

“Tërheq e mos këput”, i thonë kësaj, por një gjë është e qartë se: Rruga për në BE ( për të cilën RMV) pret të rrugëtojë, nuk do  të jetë e lehtë, ashtu siç nuk do të jetë e lehtë edhe neglizhenca që po i bëhet Marrëveshjes me shtetin fqinjë Bullgarinë lidhur me faktet historike. Kujtoj që, nëse ne shqiptarëve na ka zënë gjumi  me pandeminë, ata të BE-së nuk do t’i mbyllin sytë përpara këtyre çështjeve të ndjeshme!”, tha profesor Kadriu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button