Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak kundër idesë së shkëmbimit të territoreve

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur kundër idesë për shkëmbim territoresh midis këtyre dy vendeve.

Lajçak përmes një postimi në Twitter tha se dialogu që udhëheq BE-ja, ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Një gjë e tillë duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të kontribuojë në stabilitetin në rajon. Ideja e shkëmbimit të territoreve e bën të kundërtën”, tha Lajçak, transmeton Abc News.

Së voni, lidhur me këtë është deklaruar edhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, duke vlerësuar se mundësia e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës është një çështje më pak e rëndësishme.

“Nuk mendoj se shkëmbimi i territoreve është problem. Mendoj se është një çështje dytësore”, ka thënë Varhelyi para Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, më 7 maj.

Sipas tij, pozicioni i Bashkimit Evropian ka qenë gjithmonë i qartë, që do të thotë se gjëja më e rëndësishme është që dy vendet të bien dakord për një zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët dhe që nuk përbën rrezik për vendet e tjera të rajonit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button