Belgjika do të pranojë 18 fëmijë refugjatë të pashoqëruar nga Greqia

Qeveria e Belgjikës, njoftoi të pranojë 18 fëmijë refugjatë të pashoqëruar nga Greqia, në kuadër të marrëveshjes për shpërndarjen e fëmijëve refugjatë të pashoqëruar në vendet e Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja belge e Shëndetësisë dhe Politikave të Migrimit, Maggie de Block, tha se kufiri i Greqisë është nën presionin e emigracionit, dhe me këtë iniciativë do t’i ndihmojnë Athinës.

Ajo vuri në dukje se të gjithë shtetet anëtare “duhet të ndajnë barrën në mënyrë të drejtë”, duke theksuar se problemet në lidhje me refugjatët duhet të trajtohen në nivel global.

De Block tha se fëmijët refugjatë të cilët janë në kushte shumë të këqija në kampet greke, do të sillen në Agjencinë Federale për Strehimin e Azilkërkuesve (Fedasil), ku atyre do t’u mundësohet mbështetje mjekësore dhe psikologjike.

Komisioni i BE-së në muajin mars filloi këtë iniciativë që parasheh shpërndarjen e 1.800 fëmijëve refugjatë, shumica prej tyre të pashoqëruar, në vendet anëtare.

Vendet që kishin treguar interes në këtë drejtim ishin Belgjika, Bullgaria, Franca, Kroacia, Finlanda, Gjermania, Irlanda, Portugalia, Luksemburgu, Lituania dhe Zvicra.

Sipas të dhënave të UNICEF-it për muajin shkurt, në kampet greke gjendent 5.463 fëmijë refugjatë të pashoqëruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button